E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Fushë Milot-Gurrëz

Sot, jemi i vetmi vend në Ballkan, i vetmi vend në Evropë, që kriza e thellë ekonomike dhe financiare nuk e përkuli; i vetmi vend që parashikoi për vitin e ardhshëm rritjen e madhe të buxhetit me 400 milionë dollarë.
 
Për ne, që u besojmë lirisë dhe vlerave të saj, 28 qershori, pas 22 marsit dhe anëtarësimit të vendit në NATO, përbën arritjen më të madhe në historinë e këtij vendi.
 
Më 8 dhjetor, ne festojmë krenarë, sepse festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s;  ne festojmë krenarë si qytetarë të një vendi që u vendos përfundimisht për t’u pranuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
 
Kryeministri Berisha përuroi sot pasdite përfundimin e rikonstruksionit e rrugës Fushë Milot-Gurrëz, në rrethin e Kurbinit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milion lekë.  
 
Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast, Kryeministri u shpreh:
 
“Zotërinj deputetë, zoti kryetar i komunës, zotërinj qeveritarë vendorë, të dashur qytetarë dhe  qytetare të Fushë Milotit, Gurrëzit dhe të gjithë kësaj zone, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit e rikonstruksionit të  rrugës Fushë Milot-Gurrëz dhe vazhdimin e saj, një investim prej rreth 1 milion dollarë apo  rreth 100 milion lekë i qeverisë shqiptare, për të ndryshuar infrastrukturën tuaj. Një investim që ju, njerëzit punëtorë të Gurrëzit, të Fushë Milotit, e meritoni plotësisht me të gjithë përkushtimin tuaj të madh për punën, familjen, vendin.
Unë gjithashtu vij këtu gjithmonë shumë mirënjohës ndaj jush, sepse në të gjitha kohërat, që nga themelimi i PD-së deri më sot, keni qëndruar  të pamposhtur, të palëkundur në besimin e madh ndaj saj. Prandaj dhe dua të garantoj secilin prej jush,  kryetarin e komunës, qeveritarët vendorë se qeveria ime do të mbështesë absolutisht çdo projekt për zonën tuaj, për fshatrat tuaja, për rrugët dhe rrugicat e tyre,  do mbështesë projektet për vaditjen, do të mbështesë projektet për bujqësinë, do bëjë çdo gjë që bashkërisht ta ndryshojë gjithnjë e për mirë jetën tuaj.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Gurrëzit dhe Fushë Milotit,
 
Ky vit ka qenë viti i mbarësisë ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare. Ne sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtarë të NATO-s; ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e tij, zgjedhje të lira dhe të ndershme, të certifikuara nga mbarë bota.  Dua t’ju them se për ne, që u besojmë lirisë dhe vlerave të saj, 28 qershori, pas 22 marsit dhe anëtarësimit të vendit në NATO, përbën arritjen më të madhe në historinë e këtij vendi.
 
Ne mblidhemi në këtë shesh vetëm një javë, pasi 27 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së morën për Shqipërinë, për shqiptarët, për gjithsecilin prej nesh që kemi integrimin europian ëndrrën më të bukur për të ardhmen tonë , vendimin më historik. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i pranimit të Shqipërisë në procesin e integrimit të plotë të saj në BE.
Por 2009 është viti i fitores sonë të merituar, fitores, të cilën na e besuan qytetarët shqiptarë dhe sot, në 19 vjetorin e  përmbysjes së murit të Berlinit, ne vijmë si forca e vetme  politike në pushtet që e përmbysi atë 19 vjet më parë. Ne vijmë sot, si një vend jo pa halle dhe probleme, sepse kudo ku të hedhësh sytë, krahas progresit dhe zhvillimit, gjen edhe problematikën që duhet zgjidhur. Por një gjë është e sigurt, se sot, jemi i vetmi vend në Ballkan, i vetmi vend në Evropë, që kriza e thellë ekonomike dhe financiare nuk e përkuli; i vetmi vend që parashikoi për vitin e ardhshëm rritjen e madhe të buxhetit me 400 milionë dollarë; jemi i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që parashikoi për vitin e ardhshëm rritje të madhe të rrogave dhe të pensioneve; jemi i vetmi vend që parashikoi për vitin e ardhshëm rritjen e investimeve për shkollat e fëmijëve tanë me 32 përqind, krahasuar me vitin e kaluar; jemi i vetmi vend që parashikoi rritjen me 22 përqind të investimeve në bujqësinë shqiptare. Pra, ne kemi shumë e shumë arsye që të jemi krenarë dhe optimistë për Shqipërinë që  po ndërtojmë, për rrugën që po ndjekim.
 
Më datën 8 dhjetor, qytetarët e Gurrëzit, Kurbinit, Fushë-Milotit, Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të festojnë në Tiranë, ditën e idealit të tyre europian, ditën e krenarisë së tyre të madhe, ditën që studentët liberatorë, të mbështetur nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, u përballën nëpër rrugët e Tiranës, me diktaturën më të egër të planetit dhe e gjunjëzuan atë.
 
Më 8 dhjetor, ne festojmë krenarë, sepse festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s;  ne festojmë krenarë si qytetarë të një vendi që u vendos përfundimisht për t’u pranuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian; ne festojmë si qytetarë të një vendi që brenda disa muajve, vitin e ardhshëm do të lëvizim të lirë pa viza në tërë kontinentin. Këto i kemi realizuar bashkërisht, i kemi realizuar me mund dhe sakrifica dhe duhet të jemi krenarë për realizimet tona.
 
Vëllezër dhe motra!
 
Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e historisë. Ato jo vetëm janë zgjedhjet më të lira, më të mira dhe të ndershme që ka pasur ndonjëherë vendi, por ato mandatuan në pushtet forcën integruese, lokomotivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Votën tuaj të 28 qershorit e ka vlerësuar lart mbarë bota e qytetëruar; e kanë vlerësuar lart të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian; e kanë vlerësuar lart Parlamenti Europian, Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe ka gëzuar të gjithë miqtë e këtij vendi, kudo në botë.
 
Vota juaj e 28 qershorit nuk pranohet, nuk njihet nga një aleancë punisto-mafioze, nga një grup miliarderësh mafiozë, të cilët menduan se, duke mobilizuar dhjetëra e dhjetëra milion euro në zgjedhje, do të mund të blinin pushtetin tuaj. Por atë nuk e realizuan dot dhe tani na kërkojnë të heqim gurin e themelit të kësaj ndërtese, të anulojmë me politikë vendimin e gjykatave apo ta shqyrtojmë atë.
 
Unë jam këtu për t’ju siguruar juve se ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me rrugë të reja; ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me shkolla të reja për këta fëmijë; ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me heqjen e vizave për secilin prej jush dhe lëvizjen tuaj të lirë; ultimatumeve të tyre, ne do t’u përgjigjemi me garancinë e protestës për ata dhe për çdo qytetar shqiptar. Ju garantoj ju se aleanca punisto-mafioze do të marrë përgjigjen më të merituar ligjore. Dhe një ditë ultimatumin e tyre do ta gjejnë si të dhjetat e aleancës së tyre.
 
Ndaj edhe një herë ju ftoj të festojmë së bashku me 8 dhjetor, sepse ne meritojmë të festojmë. Kemi bërë një rrugë të gjatë, të lodhshme, të mundimshme e të vështirë, por të  suksesshme, dinjitoze, të ndershme, optimiste.
 
Ju përshëndes të gjithë juve, qytetarë të Kurbinit dhe të mbarë Shqipërisë.”
 
 
 24/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›