Kryeministri Berisha pret Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel

- Zoti Mirel e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e reformave të qeverisë shqiptare dhe i shprehu atij mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për të ndihmuar Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në përpjekjet e mëtejshme për të plotësuar të gjitha standardet, në mënyrë që procesi i integrimit të ecë me ritme sa më të shpejta.
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel.
Pasi e uroi përzemërsisht për mirëseardhjen, Kryeministrin Berisha e falënderoi zotin Mirel dhe Komisionin Europian për mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin e jashtëzakonshëm që i kanë dhënë në mënyrë të vazhdueshme Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, në projektin madhor kombëtar, integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave.
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i konfirmoi atij se Komisioni Europian dhe çdo funksionar i tij, ndihet jashtëzakonisht i kënaqur me vendimin e Këshillit, i cili i dha dritën jeshile Komisionit për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe për përgatitjen e pyetësorit përkatës, por edhe me ecurinë shumë të mirë të procesit të liberalizimit të vizave.
Në këtë kontekst, zoti Mirel e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e reformave të qeverisë shqiptare dhe i shprehu atij mbështetjen e plotë të Komisionit për të ndihmuar Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në përpjekjet e mëtejshme për të plotësuar të gjitha standardet, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme sa më të shpejta. Ekziston një ndjenjë e përgjithshme në Komisionin Europian që është detyra jonë fisknike të ndihmojmë Shqipërinë për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në BE, u shpreh zoti Mirel.
Gjithashtu, zoti Mirel vlerësoi si shumë të mirë ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri.
Në takim u vlerësua rëndësia e plotësimit sa më të shpejtë e të gjitha kritereve, standardeve dhe praktikave të nevojshme politike, institucionale e ligjore, që këto procese të ecin përpara me shpejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat ekonomike, përfundimi i reformës së pronësisë, forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative, por në veçanti reformat për konsolidimin e kritereve politike të Kopenhagenit, janë dhe mbeten prioritet parësor. Të dy palët shprehën edhe njëherë angazhimin e përbashkët të Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare, për të bashkëpunuar ngushtësisht së bashku në periudhën në vijim, për të realizuar të gjitha standardet e kriteret e kërkuara në këtë kontekst.
Kryeministri Berisha e siguroi zotin Mirel se progres-raporti i Komisionit Europian dhe dokumentet e tjera, janë dhe mbeten udhërrëfyesit dhe shtyllat themelore të programit të punës së qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije zotit Mirel masat e fundit të marra nga qeveria shqiptare si: liberalizimi i mëtejshëm i kritereve për lejet e licencat dhe përfshirjen e parimit “heshtja është miratim”, shkurtimi i shpenzimeve administrative, thjeshtëzimi i procedurave fiskale për biznesin, etj. Këto dhe të tjera masa, në favor të përmirësimit të klimës së biznesit, po bëjnë të mundur që Shqipëria, me gjithë krizën financiare botërore, të shënojë një rritje në investimet e huaja direkt, në masën 59 për qind vetëm për vitin 2009, tha Kryeministri Berisha.24/11/2009