E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon delegacionin kinez të Asamblesë Popullore

Kryeministri Berisha priti sot delegacionin Delegacionin Parlamentar të Komisionit të Bujqësisë dhe çështjeve Rurale të Republikës Popullore të Kinës, kryesuar nga z. Sun Uen-Sheng, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar të Popullit dhe Nënkryetar i Komitetit të çështjeve Bujqësore dhe Rurale. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen anëtarëve të delegacionit, duke e cilësuar këtë  një vizitë shumë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, si dhe një shprehi e nivelit të shkëlqyer të vullnetit për forcimin dhe ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel edhe më të lartë.
Kryetari i delegacioni z. Sun Uen-Sheng falenderoi Kryeministrin Berisha për mikëpritjen e tij duke u shprehur se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm vitet e fundit; janë zhvilluar disa takime të rëndësishme të nivelit të lartë vitin e fundit, dëshmi kjo e mbështetjes dhe bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve dhe dy popujve miq.
Z. Sun Uen-Sheng u shpreh se kjo vizitë është me rëndësi edhe sepse bujqësia është një nga çështjet jetike, për një popull të madh siç është populli kinez dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe ndihma reciproke  në këtë drejtim është mjaft e rëndësishme. Ai theksoi se takimet e zhvilluara në Shqipëri, janë përqendruar në tri fusha të rëndësishme siç janë sistemi i tokave bujqësore; sistemi i ndërmarrjeve bujqësore dhe sigurimet shoqërore për popullsinë rurale. Z. Sun Uen-Sheng theksoi se gjatë qeverisjes së Kryeministrit Berisha, Shqipëria ka patur një zhvillim të shpejtë dhe të jashtëzakonshëm, veçanërisht në fushën ekonomike, gjë që merr një rëndësi të veçantë për këtë kohë të krizës globale financiare. Zoti Sun Uen-Sheng, u shpreh se ka parë  dhe ka ndjerë nga afër në Shqipëri vullnetin e qeverisë shqiptare  për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kryeministri Berisha u shpreh se në vitet e fundit ka patur një zhvillim intensiv të marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona dhe qeveria shqiptare është e përkushtuar që të punojë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Duke u ndalur në zhvillimin e bujqësisë dhe të zonave rurale në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se Kina dhe Shqipëria kanë të përbashkët luftën që i kanë shpallur të dyja qeveritë varfërisë, e cila është e përqendruar në Shqipëri kryesisht në zonat rurale dhe në zonat malore, të cilat kanë pak tokë. “Arritjet e Kinës, - u shpreh Kryeministri Berisha,  - në këtë aspket janë unike në botë dhe janë bërë në një kohë rekord dhe bashkëpunimi me Kinën në këtë drejtim është mjaft i dobishëm”. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha e njohu  Z. Sun Uen-Sheng me masat dhe hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si rritjen me 23 % të fondit për bujqësinë dhe zonat rurale, ndërtimin e infrastrukturës në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, vaditje, mbrojtjen sociale, si dhe masat për nxitjen e prodhimit. Kryeministri Berisha dhe zoti Sun Uen-Sheng u ndalën në mundësinë e mbështetjes financiare nga qeveria kineze përmes një fondi ose kredie të butë, për ndërtimin e rrjetit të rrugëve rurale dhe zoti Sun Uen-Sheng garantoi Kryeministrin Berisha se do të inkurajojë qeverinë kineze në këtë drejtim.
Gjithashtu Kryeministri Berisha ftoi investitorët kinezë në fushën e bujqësisë që të investojnë në Shqipëri, duke garantuar për mbështetje të plotë të qeverisë për investimet e tyre në vend. 24/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›