E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit akademik 2008-2009 në Universitetin UFO

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të njërës prej godinave të reja të Universitetit privat në Shqipëri “Ufo University”, i cili hapi dyert për të pestin vit radhazi për 4000 studentë. Kjo godinë përbën një nga investimet më të mëdha të bëra vitet e fundit jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fushën e arkitekturës për qytetin e Tiranës.


Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha tha se në tre vite qeveria ka dëshmuar një përkushtim të madh ndaj arsimit dhe po dyfishon buxhetin, ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore statusin e mësuesve në mbarë vendin dhe ka realizuar një reformë të thellë të institucioneve kërkimore-shkencore dhe akademike.


Kryeministri theksoi se qeveria gjithashtu është përpjekur të zgjerojë arsimin ndaj sektorit privat gjithnjë e më shumë. “Universitetet private, universitetet në tërësi janë streha të mendimit intelektual, mendim i cili përbën promotorin e zhvillimit të një kombi të një shoqërie. Universitetet private gjatë këtyre viteve janë fuqizuar dhe po fuqizohen me shpejtësi dhe në kushte të pabarabarta”, u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në konsolidimin e praktikave fiskale, Kryeministri tha se të parët që do të përfitojnë nga paketa tjetër do të jenë universitetet dhe shkollat private.  

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

Dëshiroj t`ju përgëzoj sot në ditën e parë të vitit të ri arsimor, t`ju uroj gëzuar godinën e re të mrekullueshme që keni rinovuar dhe përshtatur me kushtet më optimale, t'ju uroj ju këtu dhe të gjithë studentët, pedagogë dhe pedagoge të universiteteve private dhe publike në Shqipëri. Unë pak minuta më parë isha në universitetin Politeknik. Në këtë takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Politeknik, por edhe këtu në takimin me ju dua sërish të deklaroj se për qeverinë time arsimi përbën përparësinë më absolute.

Unë mendoj se në arsim kjo qeveri në tre vite ka dëshmuar një përkushtim të madh, po dyfishon buxhetin, ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore statusin e mësuesve në mbarë vendin, ka bërë një reformë të thellë të institucioneve kërkimore-shkencore dhe akademike, është përpjekur të zgjerojë hapësirat ndaj sektorit privat gjithnjë e më shumë. Të gjitha këto dua t`ju them ju se janë vetëm fillimi sepse një projekt shumë herë më i madh do të jetë projekti i vitit që vjen dhe ky projekt do të ketë si pikënisje, si frymëzim pikërisht arsimin privat, pjesëmarrjen, kontributin e sektorit privat në arsim. 

Ne jemi një komb me një trashëgimni problematike dhe gjërat duhet t`i njohim që t`i ndryshojmë dhe jo t`i lustrojmë, se ashtu nuk ka shërbejnë, por potencialet tona më të mëdha se në brigjet tona, se në ujërat tona se në nëntokën tonë janë njerëzit, të rinjtë shqiptarë. Ndaj dhe ju siguroj se si qeveri do t`i përkushtohemi shumë herë më tepër këtij sektori.
Universitetet private, universitetet në tërësi janë streha të mendimit intelektual, mendim, i cili përbën promotorin e zhvillimit të një kombi të një shoqërie. Universitetet private gjatë këtyre viteve janë fuqizuar dhe po fuqizohen me shpejtësi dhe në kushte të pabarabarta.

Zoti Rektor, unë jam i vetëdishëm se qeveria duhet të jetë më e barabartë me ju, më e drejtë me ju. Një sistem tjetër fiskal është i domosdoshëm, por edhe një gjë duhet të kuptoni nuk e ka penguar qeverinë time të marrë vendimet për të ardhurat që ajo merr nga universitetet private.Sepse unë mund të jap me dhjetra shembuj se me një tarifë që kemi hequr kemi humbur trefishin e asaj që marrim nga të gjitha universitetet private. Por kemi adaptuar, në mënyrë që të konsolidojmë disiplinën fiskale, sistemin e mospërjashtimit, kemi ndjekur rrugën e uljes drastike të taksave nga 25 në 10 përqind, nga 23 në 10 përqind, nga 3 në 1.5 për biznesin e vogël.

Kompletimi dhe konsolidimi i kësaj praktike do të na krijojë të gjitha mundësitë dhe ju siguroj se të parët që do të përfitojnë nga paketa tjetër do të jenë universitetet dhe shkollat private. Ndaj dhe nuk duhet ta gjykoni me rreptësi qeverinë në këtë aspekt sepse qeveria nuk ka bërë ndonjë përjashtim. Përjashtimin e parë qeveria do ta bëjë për arsimin, por do ta bëjë në një mënyrë shumë më të organizuar, do ta bëjë në një mënyrë në të cilën i hap të gjitha mundësitë sektorit privat të kontribuojë në shkollimin e djemve dhe vajzave.

Kjo është rruga e vetme që ne të mobilizojmë të gjitha burimet financiare në funksion të shkollimit të të rinjve shqiptarë . Qeveria Fondin e Ekselencës, Brain Gain-in etj që aplikon për sektorin publik, do ta aplikojë edhe në universitetet private. Ndaj ju në kuadrin e Brain Gain-it jeni të ftuar mbi bazën e kritereve të fitoni dhe rekrutoni celebritete shqiptare kudo që ndodhen dhe qeveria do të përgjigjet me Fondet e Ekselencës njëlloj si universitetet publike. Studentët e universiteteve private të vijnë të aplikojnë, nëse duan të ndjekin universitetet më të mira perëndimore i ftoj të aplikojnë ata që fitojnë ndër dhjetë më të mirët do të kenë bursën nga shteti.

Pedagogët që do të aplikojnë pë doktoratë dhe master jashtëuniversitar me kusht që të kthehen dhe të punojnë 5 vite në Shqipëri do të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës. Gradualisht ne do të zhdukim pabarazitë që ekzistojnë, sepse unë besoj se rruga më e sigurt e modernizimit, rruga më e sigurt e suksesit në arsim është rruga e angazhimit të sektorit privat. Ne jetojmë në një kohë globale, koha globale ka orën e vet të pamëshirë, nëse nuk e ndjek ajo të përzë, ndaj dhe duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ndjekur orën globale, për t`iu përgjigjur asaj. Por nëse ka një kusht, nëse ka një sektor që ndihmon më shumë këtë vend dhe këtë komb për të ndjekur orën globale, për t`iu përgjigjur asaj, ky është arsimi.

Ndaj edhe ne do ta shndërrojmë atë në çështjen më absolute parësore tonën, dhe për ne arsimi është një fushë e përzgjedhur me bindjen më të thellë se gradualisht ne do të mund të matemi me vendet me sistem arsimore më të mirë në botë, kjo është ambicia ime. Ne nuk kemi ndërmend të matemi me kombet e mëdha në shumë aspekte, por në arsim ne do të matemi me çdo komb dhe jam i bindur se ne mund ta realizojmë, në interesin tonë më të mirë.

Sot flitet për cilësi dhe dua t`ju them këtu se cilësia e arsimit universitar dhe e arsimit në tërësi është një problem madhor, i cili do të zgjidhet nëpërmjet konsolidimit, nëpërmjet reformave, nëpërmjet hapjes dhe shumë praktikave të tjera. Ajo për të cilën nuk më vjen mirë janë etiketimet dhe paragjykimet ato janë jashtëzakonisht të pandershme. Unë mbështes arsimin privat dhe universitetin privat dhe do t`i mbështes edhe më shumë. Do të bëjmë kuotimin sepse unë kam një vetëdije dhe jam kundër etiketave.

Këtu shoh pedagogë, personalitete të shquara të fushave ku punojnë, me një eksperiencë të shkëlqyer që vijnë dhe mësojnë studentët dhe studentet e këtij universiteti. Ju siguroj se ju keni mbështetjen e  plotë dhe vlerësimin e qeverisë për të gjithë këtë sipërmarrje fisnike shumë të rëndësishme dhe bashkarisht do të punojmë ta zgjerojmë pejsëmarrjen e sektorit privat në arsim gjithnjë e më shumë.

Urimet më të mira ju dhe të gjithë studentëve shqiptarë! 


13/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›