E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu.

Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu.

Duke dënuar qëndrimet e Edi Ramës, qeveria shqiptare shpreh vlerësimin më të madh, respektin më të thellë, falenderimet më të sinqerta për ish sekretarin Ridge, kontributin dhe ndihmën e tij të vyer për qeverinë shqiptare në fushën e sigurisë.

Këto ditë, Edi Rama, nëpërmjet makinerisë së shpifjeve e trillimeve të mediave që ai kontrollon, ka ndërrmarrë një fushatë të ulët, denigrimi ndaj zotit Tom Ridge, njërit prej politikanëve e personaliteteve më të vlerësuar në fushën e sigurisë, ish guvernatorit të Pensilvanisë dhe Sekretarit të I-rë për Çështjet e Sigurisë së Presidentit amerikan Bush.

Siç është bërë e njohur ish sekretari dhe guvernatori Tom Ridge, në një moment tejet të rëndësishëm  për sigurinë e Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë, u kontraktua në përputhje me ligjet e vendit nga qeveria shqiptare si këshilltar i kryeministrit dhe qeverisë për çështjet e sigurisë së vendit.

Sekretari Ridge me eksperiencën e tij të gjatë si guvernator i njërit prej shteteve me të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretar i parë i SHBA-së për çështjet e sigurisë, me këshillat, sugjerimet e idetë e tij, të vyera, të shprehura në një seri takimesh e bisedash me drejtues të  institucioneve e agjencive të ndryshme të vendit, i dha një ndihmë e mbështetje qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi, në fushën e sigurisë dhe përmirësimit të mazhit të vendit në këtë drejtim.

Rama që kërkon të bindë shqiptarët se Tom Ridge me veprimt e tij në Shqipëri paska përbëre rrezik, që me sulmet e tij të shfrenuara tenton t’i shpallë veprimet e ish sekretarit Ridge si një kërcenim për sigurinë e vendit, dëshmon se me këto qëndrime vazhdon ison e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, i cili për 45 vjet ua serviri  shqiptarëve  SHBA-në, vendin e madh të lirisë, si  rrezikun kryesor të tyre.

Duke dënuar këto qëndrime, qeveria shqiptare shpreh vlerësimin më të madh, respektin më të thellë, falenderimet më të sinqerta për  ish sekretarin Ridge, kontributin dhe ndihmën e tij të vyer për qeverinë shqiptare në fushën e sigurisë.

Qeveria ka besim të plotë se këtë mendim ndajnë për ish  sekretarin Ridge të gjithë shqiptarët, përveç një grushti të vogël nostalgjikësh, të udhëhequr  nga Rama që ka zgjedhur sulmet ndaj sekretarit Ridge, për të festuar 100 vjetorin e diktatorit Hoxha, Hitlerit të Evropës së pasluftës siç është vlerësuar  Hoxha në deklaratën e EDU-së së Parisit, në vitin 1991.

Zëdhënësja e qeverisë iu përgjigj intersimit të gazetarëve.

Pyetje:  Zonja Bregu, në forumin “Crans Montana” ku ju keni marrë pjesë ka qenë edhe zoti  Damir Fazlliç, a keni pasur një takim me të ?

Zonja Bregu: Jam takuar me Damirin në forumin “Crans Montana” në një moment , kur ai po përshëndetej bashkë me pjesëmarrës të tjerë që ishin në këtë forum dhe mund të them se zotin Fazlliç e njoh që nga viti 2005.

Pyetje: Zonja Bregu me çfarë statusi ishte zoti Damir Fazlliç pranë Tom Ridge  në takimin me ministrat kryesorë duke diskutuar  për çështje të sigurisë kombëtare ?

Zonja Bregu: Besoj se këtë njoftim e keni edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së  Mbrojtjes . Ka pasur një njoftim zyrtar të publikuar edhe në gazetën “Ushtria” dhe në të gjitha njoftimet thuhej që Sekretari i Shtetit dhe Këshilltari Tom Ridge shoqërohej nga biznesmeni  Fazlliç. Ju më thoni se Tom Ridge e ka pasur  me vete Damir Fazlliç   se ishte ose nënkuptonte rrezik për sigurinë kombëtare  të Shqipërisë ?! Po jua  le  juve përgjigjen.

Pyetje: A ishte zoti Fazlliç në stafin e zotit Ridge ?

Zonja Bregu: Zoti  Fazlliç ka shoqëruar zotin Ridge në takimet e tij edhe në workshopin, i cili  është zhvilluar dhe për të cilin ju pyesni .

Pyetje : A do ketë një kosto për qeverinë përplasja me prokurorinë për çështjen Fazlliç?

Zonja Bregu : Unë nuk e di të ketë një përplasje. Di që tashmë ka dy deklarata zyrtare mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë dje, është një çështje  në hetim dhe unë nuk mund të shprehem për çështje që janë nën hetim.


12/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›