E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e stacionit të pompimit në Pogradec

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e stacionit të pompimit për sistemin e ri të përpunimit të ujërave të zeza në Pogradec, pjesë e programit të përbashkët Shqipëri-Gjermani-Zvicër për ruajtjen e Liqenit të Ohrit. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë Bernd Borchard. 

Duke shprehur kënaqësinë për përfundimin e kësaj vepre jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetin e  Pogradecit në veçanti, por edhe për turizmin shqiptar në tërësi, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohen e thellë qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, kombit mik gjerman, ambasadorit gjerman në Tiranë, KfW dhe kompanitë që shndërruan në realitet këtë projekt jetik për qytetin e Pogradecit dhe Liqenin e Ohrit.

“Unë sapo jam kthyer nja një vizitë e shkëlqyer në Gjermani ku u takova me kancelaren Merkel. Pata shumë kënaqësi që m`u dha mundësia t`i shpreh asaj dhe kombit të saj mirënjohjen më të madhe për angazhimin, interesin, mbështetjen dhe nderin e madh që i kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i vendosur  të parët në listën e bujarisë së tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.   
Me dhjetra e qindra projekte, vijoi më tej Kryeministri, që mbulojnë të gjitha fushat dhe shtrihen në të gjithë vendin, kanë ndikuar shumë në ndryshimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Duke iu referuar vizitës tepër të suksesshme në Gjermani pak ditë më parë Kryeministri Berisha tha se gjatë takimeve me Kancelaren Merkel dhe Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Shtajnmajer u diskutua për shumë çështje.  
“Unë kam kënaqësinë z. Ambasador t`ju njoftoj se i informova për inaugurimin që bëmë pak ditë më parë në Gjirokastër dhe për inaugurimin e sotëm në qytetin e Pogradecit për sistemimin e kanalizimeve në mbrojtje të Liqenit të Ohrit”, u shpreh Kryeministri. 

Duke iu referuar takimit me Kancelaren Merkel, Kryeministri Berisha veçoi si më të rëndësishëm vlerësimin që Kancelarja e Gjermanisë bëri për reformat e jashtëzakonshme në Shqipëri. “Ishte angazhimi i Kancelares Merkel dhe qeverisë që ajo kryeson për të na ndihmuar edhe më shumë në rrugën e reformave. Ishte kërkesa e saj që ne të vazhdojmë me vendosmëri në rrugën e reformave, në konsolidimin e standarde të demokracisë në vendin tonë dhe të standardeve të ekonomië së lirë të tregut. Për të gjitha këto ne ndjehemi shumë të nderuar dhe shumë të inkuarjuar nga mbështetja dhe ndihma e gjithanshme e qeverisë tuaj”,  iu adresua Kryeministri, Ambasadorit Gjerman, Borchard, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kësaj vepre të financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet KfV-së.

Më tej Kryeministri Berisha vlerësoi ky projekt ndryshon Pogradecin, të cilit natyra i ka dhënë liqenin dhe të gjitha bukuritë, por shtoi se ai ka patur një plan të pamerituar dhe kjo ka qenë derdhja e ujërave të zeza në liqen gjë që lëndonte të gjithë ata që e donin Pogradecin, liqenin dhe bukurinë e tij. 
“Tashmë Pogradeci me këtë kolektor dhe me sistemin e pompimit  është një qendër krejtësisht tjetër turistike. Pogradeci me furnizimin me ujë është një qytet tjetër. Së shpejti do të përfundojë edhe rruga Korçë-Qafë Plloçë dhe qytetarët e Korçës do të 'derdhen' në një kohë shumë të shkurtër dhe me lehtësitë më të mëdha në brigjet e Liqenit të Ohrit. Në këtë mënyrë Korça afrohet me Pogradecin dhe potencialet e saj  për turizëm janë shumë të mëdha. Rruga e Qafë-Plloçës ka dy alternativa. Njëra është të ndjekë trajektoren e përcaktuar dhe të dalë në Qafë-Thanë, por ne po studiojmë me shumë interes fizibilitetin që nga Qafë Plloça në Gurin e Kamit, Hotisht dhe Qukës. Në këtë mënyrë ne afrojmë edhe Elbasanin me Pogradecin. I përmenda këto dy qytete, sepse ato kanë traditën më të hershme të frekuentimit të pushimeve këtu”, u shpreh Kryeministri.  

Pogradeci me këto potenciale të mëdha, vijoi më tej Kryeministri, do të shndërrohet në një nga polet më të mëdha të turizmit në Shqipëri dhe në Ballkan.
Duke falenderuar edhe njëherë qeverinë gjermane për ndihmën e dhënë, Kryeministri e cilësoi këtë vepër si dhuratën më të bukur që Gjermania u bën qytetarëve të Pogradecit.

Në fjalën e tij ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchard u shpreh se projekti i stacionit të pompimit të qytetit të Pogradecit është pjesë e programit për mbrojtjen e mjedisit të Liqenit të Ohrit, për realizimin e të cilit bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare Gjermania dhe Zvicra. Ambasadori Borchard  tha se inaugurimi i sotëm është tregues se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit të ngushtë gjermano-shqiptar  për zhvillim.  “Që nga viti 1988 në kuadër të Bashkëpunimit Politik për Zhvillim, Gjermania i ka dhënë Shqipërisë 700 milionë euro. Këtë javë patëm kënaqësinë që kjo shumë u rrit dhe me 90 milionë euro të tjera. Kjo tregon rëndësinë që ne i japim Shqipërisë si pol stabiliteti. Kjo pasqyrohet edhe në shkëmbimet politike. Të mërkurën Kryeministri Berisha u takua me Kancelaren Merkel dhe Ministrin e Jashtëm  Shtajnmajer. Javën e ardhshme personalitete të larta nga Gjermania do të vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh ambasadori Borchard.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë vlerësoi se Gjermania është mike dhe një partner i besuar i Shqipërisë. “Në prill të vitit të ardhshëm ne do t’ju kemi partnerë në NATO. Bashkëpunimi i shumëanshëm me vendin tuaj mbështetet gjithashtu në përpejkjet për integrimin në BE. Përfarimi me BE-në kërkon punë . Çelësi i anëtarësimit është vazhdimi konsekuent i reformave”, theksoi ambasadori Borchard.  Gjermania vijoi më tej ambasadori Borchard, do të vazhdojë të mbështesë me kënaqësi Shqipërinë.

Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha u takua edhe me përfaqësueset e bukurisë të Miss Globe, edicioni i të cilit zhvillohet për të 5-ën herë në Shqipëri.Duke e vlerësuar këtë si një promovim të turizmit shqiptar, Kryeministri vlerësoi se në këtë ditë në Pogradec bashkohen bukuria natyrore me bukurinë njerëzore. Kryeministri theksoi se për bukuritë e Liqenit të Ohrit, poetë dhe piktorë të njohur kanë kaluar jetën duke shkruar dhe duke pikturuar.


11/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›