Kryeministri Berisha merr pjesë në drekën e organizuar nga Komuniteti Shtetëror për Kultet

Kryeministri Berisha ishte sot në drekën e shtruar nga Komuniteti Shtetëror për Kultet, pas Krishtlindjeve, me krerët e bashkësive fetare të Shqipërisë për të festuar së bashku vitin e ri.
Gjatë përshëndetjes së tij, Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohje udhëheqësve të besimeve fetare në Shqipëri për ndihmesën e çmuar që kanë dhënë dhe japin, me gjithë përpjekjet e këtij kombi për të ndërtuar idealet e tij demokratike dhe të lirisë, ideale këto sa hyjnore aq edhe njerëzore. “Jemi mbledhur në këtë drekë me udhëheqësit e besimeve shpirtërore të shqiptarëve, së pari për të falënderuar Zotin bashkërisht për ndihmën, mbështetjen dhe bekimin e tij për vitin që lamë pas. Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës Atij, sepse ky ka qenë një vit i vendimeve të mëdha dhe shumë pozitive për ta”, u shpreh Kryeministri.
Duke uruar që viti që vjen të jetë një vit edhe më i mirë për shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit kudo që janë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Të lutemi së bashku që viti që vjen të jetë një vit edhe më i mirë për të shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit kudo që janë. Të punojmë me përkushtim në mënyrë që të festojmë çdo vit e më mirë dhe gjendja të ndryshojë për mirë gjithnjë e më shumë. Unë dhe një herë dua tu uroj gëzuar udhëheqësve të besimeve fetare, si dhe të shpreh kënaqësinë time që spektri i këtyre besimeve është fuqizuar dhe pasuruar.
Me ne këtu sot, krahas udhëheqësve të besimit të krishterë, ortodoks, katolik e myslimanë janë dhe ungjillorët e Shqipërisë. Pak më javë më parë u emërua Rabini i parë. Pra që të gjitha këto së bashku e bëjnë më të pasur dhe më të çmuar pasurinë shpirtërore fetare të këtij kombi.
Gëzuar për të gjithë ju!”
27/12/2010