Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë festive të organizuar për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës
Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha ka marrë pjesë sot në ceremoninë festive të organizuar me rastin e festës së Vitit të Ri më fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, për të cilët u shpërndanë dhurata . Çdo fëmijë përfitoi edhe një shumë prej 200 mijë lekësh kontribut i punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shteti t.
Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri tha:
Të dashur vajza, djem, bashkëshorte, prindër, familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës. Ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju uroj ju, fëmijëve, familjeve të policëve të rënë, një vit të ri të mbarë, me shëndet, suksese dhe gëzime. Ju garantoj se qeveria, do të bëjë gjithçka që të lehtësojë përpjekjet tuaja për të ndërtuar të ardhmen që ju meritoni.
Ne me asgjë nuk mund të zëvendësojmë më të dashurit tuaj, por ne do të bëjmë gjithçka, që të keni mbështetje të plotë siç e meritoni, ky është një detyrim i madh i shoqërisë shqiptare ndaj jush, ndaj familjeve tuaja.
Sakrifica sublime e baballarëve tuaj, e bashkëshortëve tuaj, e fëmijëve tuaj, qëndron në themel të rezultateve, të sukseseve, të garancisë së jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptare, por edhe në themel të njërës prej arritjeve personale me të mëdha në jetën e çdo shqiptari, siç është lëvizja e lirë në Europë.
Unë jam informuar për një solidaritet të madh që efektivat e policisë së shteti kanë treguar ndaj jush dhe unë dua ti përgëzoj ata, sepse kanë bërë një gjest prindëror njerëzor, ndaj familjarëve dhe fëmijëve të miqve, të shokëve, të kolegëve të tyre, që nuk jetojnë më.
Unë e kuptoj se problemet familjare janë të shumta, por ju ftoj ju, të mos nguroni në çdo rast për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve shtetërore, aty ku ndodheni. Ligjet dhe kuadri ligjor është plotësuar, por të jeni të sigurt ju, se ne qëndrojmë të gatshëm për çdo boshllëk dhe qeveria ime është e vendosur të bëjë çdo gjë, që ju në mungesë të njerëzve tuaj më të dashur të keni një jetë sa më normale.
Dhe njëherë duke shprehur nderimin tim më të madh për veprën, për sakrificën sublime të prindërve tuaj, të bashkëshortëve tuaj, fëmijëve tuaj, policëve të rënë në krye të detyrës, ju uroj shumë gëzime, mbarësi shëndet në vitin e ri 2011.
Gëzuar të gjithëve!
Gëzuar të gjithë efektivave të policisë së vendit, familjeve dhe fëmijëve të tyre,
Gëzuar!
28/12/2010