E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i pranishëm në edicionin e 18-të të Panairit Ndërkombëtar te Tiranës, Klik Ekspo Grup

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në hapjen e edicionit të 18-të të Panairit Ndërkombëtar te Tiranës, në Pallatin e Kongreseve, organizuar nga Klik Ekspo  Group, Anëtar  i UFI [Organizata Botërore  e Panaireve dhe Ekspozitave].

Në këtë panair marrin pjesë  biznese dhe kompani nga vende të ndryshme të Evropës. Kryeministri Berisha falenderoi përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse dhe u shpreh, se prania e tyre në Tiranë është dëshmi e besimit, që ato kanë tek ekonomia shqiptare, Shqipëria, reformat dhe potencialet e saj. 

Kompanitë ndërkombëtare pjesëmarrëse në këtë eveniment vijnë nga Greqia, Hungaria, Italia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Franca, Austria etj duke arritur në  një total ekspozuesish sëbashku me sipërmarrësit shqiptare dhe shoqëritë e huaja që operojnë në Shqipëri deri me 400 kompani. 

Kryeministri e nisi fjalën e tij me një përshëndetje për të gjithë organizatorët e këtij panairi, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm për jetën e vendit.

Duke theksuar vendosmërinë e qeverisë  dhe reformat e ndërmarra për të shfrytëzuar lirinë dhe potencialet e vendit për klimën e biznesit kryeministri vlerësoi se, pikërisht në lirinë ekonomike qëndrojnë dhe potencialet më të mëdha të zhvillimit të një vendi. "Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për zgjerimin gjithnjë e më të madh të saj.  Në këtë kontekst, ne kemi vendosur barrën fiskale më të ulët.  Ne po luftojmë aktivisht për të hequr dhe lehtësuar vështirësitë tuaja burokratike. Po bëjmë gjithçka për ta bërë vendin gjithnjë e më tërheqës për ju”,  theksoi kryeministri.

Duke folur mbi potencialet e mëdha të Shqipërisë si në sektorin minerar, turizëm, energji etj kryeministri theksoi se, një perspektive e jashtëzakonshme është edhe turizmi malor. Kryeministri i njohu të pranishmit me nismën më të fundit të qeverisë, sipas të cilës të gjithë ata që do të investojnë në resorte turistike në malet e Shqipërisë do të përjashtohen për 8 vjet nga taksat.

Duke theksuar se Shqipëria ka krahun e punës me të leverdishëm në Europë, të ri, dinamik, që punon shumë, por dhe me çmim të arsyeshëm, një model ekonomik që funksionon, i cili bazohet në taksa të ulta, në një qeveri të vogël, kryeministri u shpreh se të gjitha këto sëbashku  e bëjnë Shqipërinë një vend, realisht të besueshëm, ndaj dhe i ftoi investitorët për të investuar në Shqipëri dhe i siguroi ata se një mik i vërtetë do ti mbështesë për suksesin e tyre dhe ky mik është qeveria shqiptare.

Në fjalën e tij kryeministri u shpreh:

Të nderuar zotërinj organizatorë të edicionit të 18 të Panairit Ndërkombëtarë  të Tiranës.

Përfaqësues dhe drejtues të kompanive pjesëmarrëse në këtë panair nga më se 20 vende të Europës, nga veriu në jugun e saj.

Së pari unë dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht  ju, zotërinj organizatorë, për këtë eveniment jashtëzakonisht të rëndësishëm për jetën e vendit, që keni organizuar sonte në Tiranë.  Të përshëndes shumë përzemërsisht, të gjithë përfaqësuesit e kompanive të pranishëm në këtë panair.  Investitorët e huaj në Shqipëri , ti falenderoj me mirënjohje për nderin që kanë bërë duke marrë pjesë në këtë panair dhe të shpreh  dëshirën time, urimin më të mirë, që këto ditë në Tiranë të jenë ditë të frytshme për sipërmarrjet dhe projektet e tyre.

Prania juaj në Tiranë është dëshmi e një besimi, që ju keni tek ekonomia shqiptare, Shqipëria, potencialet dhe reformat e saj.  E vërteta është se,  Shqipëria ka ndryshuar me shpejtësi të madhe, nga një vend i cili para vitit 2005 ka pasur një mesatare të investimeve të huaja  gjithsej 38 milion dollarë në vit, në një vend, që 3 vitet e fundit ka marrë rreth një miliard dollarë investime  të huaja në vit. Investimet e huaja në Shqipëri kanë pasur një rritje në 4 vitet  e fundit prej 316 përqind, ndërkohë që ato kanë pasur një rënie në botë prej 37 përqind.

Vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon me rritje të qartë, të investimeve të huaja. Ky ndryshim i shpejtë përcaktohet para së gjithash, nga vendosmëria e qeverisë dhe reformat e ndërmarra për të shfrytëzuar lirinë dhe potencialet e saj për klimën e biznesit.   Ne besojmë se në lirinë ekonomike qëndrojnë potencialet më të mëdha të zhvillimit të një vendi.  Në rast se liria ekonomike në botë, sipas raportit  të lirisë ekonomike pësoi një rënie, në Shqipëri ajo u rrit me 16 përqind vitin e kaluar.  Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për zgjerimin gjithnjë e më të madh të saj.  Në këtë kontekst, ne kemi vendosur barrën fiskale më të ulët.  Ne po luftojmë aktivisht për të hequr dhe lehtësuar vështirësitë tuaja burokratike. Po bëjmë gjithçka për ta bërë vendin gjithnjë e më tërheqës për ju.

Shqipëria vitin e kaluar kaloi një ligj për tu dhënë përgjigje përfundimtare problemeve të lidhura me pronësinë. Ky ligj është unik, sipas të cilit kur investitori blen mbi bazën e dokumenteve të rregullta shtetërore tokën, nuk mund të ketë më kërkesa ndaj tij.  Të gjitha kërkesat duhet ti adresohen qeverisë dhe ajo është përgjegjëse për to. Trualli  apo toka  e blerë nga investitori  konsiderohet e barabartë me atë të shtetëzuar në raport me të gjitha kërkesat.  Ka patur raste shumë të pakta të lidhura me probleme të titullit të pronësisë, këto kanë qenë  jo më shumë se tre ose katër investitorë të huaj dhe ligji parashikon vetëm investitorët e huaj. Pyetjes , sepse u përjashtuar investitorët shqiptarë nga ky ligj? Unë ju përgjigja thjeshtë, se ata kurrë nuk kanë pasur ndonjë problem në këtë drejtim apo ndonjë ankesë.  Ne po bëjmë gjithçka për të zhdërvjelltësuar sistemin e liçensave dhe lejeve, kemi hequr 2/3 e tyre dhe kemi grumbulluar në One Stop Shop ato që mbeten.

Shqipëria është vend i vogël në hartë, por vend me potenciale të jashtëzakonshme në realitet.  Shqipëria ka një potencial turistik shumë të madh, kushdo që fluturon gjatë muajve të dimrit mbi këtë vend, shikon nga sipër një “Zvicër me det”.  Pasi ulet e kupton se duhet bërë pune për të ndërtuar një Zvicër të dytë në Shqipëri.  Shqipëria ka një bregdet të mahnitshme,  92 përqind e saj është për tu shfrytëzuar. Shqipëria është vendi më malor i Europës, nuk ka majat më të larta, por ka lartësinë mesatare më të madhe, sepse ka majat më të shumta. 

Një  perspektive e jashtëzakonshme është turizmi malor i saj. Të gjithë ata që do të investojnë në resorte turistike në malet e Shqipërisë do të jenë 8 vjet pa asnjë taksë.  Shqipëria është një vend me potenciale shumë të mëdha të energjisë së rinovueshme. Vendi ka për të ndërtuar 443 hidrocentrale të dimensioneve të ndryshme.  Ajo ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata për 300 hidrocentrale, të dimensioneve te ndryshme, por njëri  prej tyre është dhe projekti më i madh në Evropë kaskada  e Devollit me rreth 1 bilion euro investim të  EVN të Austrisë dhe Statkraft  i Norvegjisë.  73 prej këtyre hidrocentraleve janë në ndërtim e sipër, janë ndërtuar apo kanë filluar ndërtimet, të tjerët presin investitorë  për të filluar ndërtimin.  Kaskadat  e tjera të lumenjve të vendit, janë në studim, apo janë në treg.  Shqipëria ka platforma natyrore ere, ndër më të fuqishmet , ne kemi liçensuar  1600 mega vat dhe janë në studim 3200 të tjera.

Studimet dëshmojnë se, Shqipëria është një vend i shkëlqyer për  prodhim gjeotermik të energjisë. Shqipëria është një nga vendet më me diell në Europë dhe në Botë, të gjitha këto faktojnë se Shqipëria mund të bëhet dhe do bëhet një superfuqi  e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon.  Shqipëria ka një potencial të madh minerar, në malet dhe nëntokën e saj gjendet rezerva botërore të kromit, bakrit, nikelit, hekur-nikelit. 

Shqipëria ka krahun e punës me të leverdishëm në Europë, të ri, dinamik, që punon shumë, por dhe me çmim të arsyeshëm.  Modeli ynë ekonomik ka funksionuar. Ky model  ekonomik bazohet në taksa të ulta, në qeveri të vogël, ne jemi një nga dhjetë administratat më të vogla të planetit.  Kam kënaqësinë të them se jemi një ndër  dhjetë qeveritë më dorë shkurtra për sa i përket biznesit në planet.  Të gjitha këto sëbashku  e bëjnë Shqipërinë një vend, realisht të besueshëm, ndaj dhe unë ju ftoj ju, ta konsideroni seriozisht dhe të investoni në këtë vend dhe t’ju garantoj se një mik i vërtetë do t’ju mbështesë ju fuqishëm për suksesin tuaj dhe ky mik është qeveria shqiptare.  Do ta mbyll meqë ne jemi në prag të festës Kombëtare, t’ju uroj vendeve tuaja dhe kombeve tuaja gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Faleminderit


25/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›