E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e të shkollës 9 – vjeçare “Isa Domi”, në fshatin Pjezë

- Kryeministri Berisha: Thirrja ime është: lërini mënjanë gjyzlykët e kuq! Lërini mënjanë ato dhe shihni Shqipërinë. Nuk them se Shqipëria është parajsa, është shumë larg; nuk them se s’ka varfëri, se varfëri ka; nuk them se s’ka papunësi, se papunësi ka, por ajo ka ritme zhvillimi më të larta se çdo vend tjetër, ka shpresë dhe optimizëm më të madh se çdo vend tjetër

- Kryeministri Berisha: Ju flisni çdo ditë për krizën, na thoni se si ka mundësi të dyfishohen eksportet në krizë; se si ka mundësi të rriten të ardhurat në krizë; se si ka mundësi të rriten me 40 për qind numri i bizneseve të regjistruar gjatë katër muajve të parë të këtij viti në krizë; se si ka mundësi që qeveria të rrisë rrogat dhe pensionet jo vetëm për një kategori të veçantë, por të 800 mijë shqiptarë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9 – vjeçare “Isa Domi” në fshatin Pjezë, komuna Xhavzotaj. Shkolla, me vlerë 330 milionë lekë, është ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit.

Duke parë më nga afër ambientet e kësaj shkolle, Kryeministri Berisha u ndal fillimisht në një klasë të arsimit parashkollor. Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme që në çdo shkollë të ketë edhe kopshte, në mënyrë që nxënësit të fillojnë të marrin dijet parashkollore në mënyrën më të organizuar. Këtë mandat, – u shpreh Kryeministri, - kemi synim të ngremë kopshte kudo që mundemi, brenda apo pranë shkollave, në mënyrë që t’i japim një rëndësi të madhe arsimit parashkollor.

Kryeministri Berisha vizitoi kabinetin e Informatikës dhe një klasë ku po zhvillohej mësimi i lëndës së fizikës. Në vazhdim, Kryeministri Berisha mbolli një rrënjë ulliri në lulishten e kësaj shkolle.

Në këtë aktivitet kryeministri Berisha u shoqërohej nga ministri i Arsimit z. Myqerem Tafaj, deputetë, drejtues të pushtetit lokal, etj.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur në këtë ceremoni:

“Të dashur nxënës,

Të nderuar mësues,

Prindër dhe familjarë të fëmijëve që studiojnë në shkollën e re 9- vjeçare “Isa Domi” që sapo inauguruam.

Zoti ministër, zotërinj deputetë, qeveritarë vendorë, zoti Kryetar i Komunës,

Së pari dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të ndarë me ju momentin dhe gëzimin e inaugurimit të kësaj shkolle, e cila u ndërtua në një kohë rekord. Gjashtë muaj më parë u përurua fillimi i punimeve për këtë shkollë dhe sot ne inaugurojmë shkollën për nxënësit e fshatit Pjezë.

Unë dua të falënderoj kompaninë e ndërtimit për punën shumë të mirë që ka bërë, të falënderoj Drejtorinë Arsimore të Durrësit dhe ministrinë e Arsimit për pajisjen e kësaj shkolle me teknologjinë më moderne. Dëshiroj të uroj nxënëset, nxënësit dhe prindërit e tyre për këtë ngjarje të rëndësishme. Fëmijët e tyre kanë tek shkolla e sapo inauguruar një shtëpi të dytë të re.

Të nderuar miq dhe të ftuar,

Për qeverinë time arsimi është dhe do të mbetet përparësia më kryesore. Ne në katër vitet që shkuan ndërtuam nga e para apo rindërtuam mbi 1100 shkolla dhe 1000 të tjera do të ndërtojmë dhe rindërtojmë gjatë mandatit të dytë. Fëmijëve tanë do t’u bëjmë gjithçka që t’ua shkurtojmë dhe t’ua shtrojmë rrugën për Shqipërinë evropiane, për Shqipërinë që ata meritojnë. Por sot kam kënaqësinë që së bashku me ju të shohim se Shqipëria evropiane po bëhet gjithnjë e më shumë, çdo ditë e më shumë, një realitet i madh për të gjithë shqiptarët, për ne dhe fëmijët tanë.

Shqipëria evropiane është para së gjithash Shqipëria e qytetarëve të lirë, të cilët kanë dhe do të kenë çdo të drejtë Kushtetuese të garantuar. Shqipëria evropiane është Shqipëria e qytetarëve me shërbime moderne. Ndër këto shërbime, arsimi dhe shëndetësia janë më kryesoret. Unë ju garantoj se këto katër vite, sistemi arsimor i vendit, sistemi i edukimit të vendit, do të njohë nivelet më të larta se kurrë më parë; se në këto katër vite sistemi arsimor i Shqipërisë do të arrijë shumë nga treguesit e sistemit evropian. Ne kemi bërë dhe bëjmë investime të mëdha në arsim. Ne në katër vite kemi trefishuar numrin e studentëve në universitetet tona. Kjo është një arritje e madhe historike. çdo fëmijë që ulet në bankat e kësaj shkolle ka të drejtën legjitime dhe ka të garantuar se i ka të hapura dyert e universiteteve të vendit. Pra, universitetet nuk janë më mollë e ndaluar për fëmijët e Shqipërisë.

Tek vizitonim së bashku Kabinetin e Informatikës, drejtoresha e shkollës më tha: “Zoti Kryeministër, ne komunikojmë me anë të internetit me drejtorinë arsimore. Pra, nuk jeni vetëm ju e- kabinet, por jemi dhe ne këtu e- drejtori dhe e – arsim”.

Mësuesja e informatikë dhe drejtoresha e shkollës më garantuan se shumë shpejtë mësuesit me njëri - tjetrin do të komunikojnë vetëm me rrugë dixhitale, me internet. Kështu do të shkojmë duke e shtrirë përdorimin e internetit në çdo qelizë. Ambicia jonë është pozitive, është e madhe. Ne sikundër sollëm kabinetin e informatikës në çdo shkollë, ne do të bëjmë edhe që kompjuteri të hyjë në çdo familje shqiptare, për çdo të ri shqiptar. Ne do të bëjmë që interneti të arrijë në çdo familje shqiptare me bandë të gjerë. Shqipëria dixhitale është Shqipëria e imagjinatës mahnitëse të fëmijëve tanë.

Reforma e arsimit është reforma e të ardhmes, është investimi për të ardhmen. Ne, sikundër deri më sot, në epiqendër të kësaj reforme kemi vendosur mësuesen dhe mësuesin. Ne jemi të bindur se asgjë nuk përcakton cilësinë e mësimdhënies më shumë se aftësitë dhe përkushtimi i mësuesve tanë. Unë dua të garantoj mësuesit e kësaj shkolle dhe mësuesit në mbarë Shqipërinë se gjatë katër viteve që vijnë qeveria do të bëj çdo përpjekje për një përmirësim gjithnjë e më të madh të pagës së tyre, të jetës së tyre dhe të kushteve të tyre të punës. Duke vendosur mësuesin në epiqendër të arsimit, ne kemi sigurinë më të madhe se do të realizojmë të gjithë objektivat tona.

Zoti kryetar i komunës,

Unë dua të të përgëzoj për emrin që ke përzgjedhur për t’i vënë kësaj shkolle. Duke i dhënë asaj emrin e një prej mësuesve të parë të kësaj shkolle, që ka shkrirë jetën e vetë, energjinë e vetë dhe dijet e veta për fëmijët e këtij fshati dhe të kësaj zone, ke nderuar veten dhe të gjithë qytetarët.

Të dashur prindër, familjarë, qytetarë të kësaj zone,

Sot shqiptarët janë në rrugë të mbarë drejt ëndrrës së tyre evropiane. Dje ishte Dita e Deklaratës së Themelimit të Bashkimit Evropian. Shqipëria, në vitet kur u themelua Bashkimi Evropian, po përjetonte natën e zezë të diktaturës më të egër që ka njohur ndonjëherë. Në vitet ’50 Shqipëria ishte vendi i ekzekutimeve pa gjyq, ishte vendi që ecte drejt izolimit më të thellë. Diktatura Hoxhiste e nxori Shqipërinë në skajet më të largëta të planetit, e zhvendosi nga Evropa.

Unë u ndala sot në këtë moment, sepse jo rrallë ju takon të dëgjoni kollagjerët e krizës dhe të zisë duke thënë se jemi të fundit në rajon. Dua t’u them këtyre zotërinjve se ne kemi qenë të fundit në botë, por me besimin tonë tek liria, me djersën, mundin, përkushtimin tonë dhe ndihmën e miqve tanë, sot jemi më afër se kurrë realizimit të ëndrrës tonë evropiane, idealit tonë evropian. Shumë shpejt, në muajt që vijnë, për qytetarët e vendit më të izoluar të botës, për qytetarët e vendit që njëzet vite më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba nga të katër anët e kufijve të tij, do të hiqen vizat dhe ata do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën.

Ju që qani dhe vajtoni për vonesën, qani dhe vajtoni për etërit tuaj, se e ardhmja është në pëllëmbë të dorës së shqiptarëve dhe se shqiptarët e kanë kapur të ardhmen e tyre. Ne jemi sot më afër se kurrë realizmit të idealit tonë evropian dhe Shqipërisë evropiane.

Le të marrim arsimin. Ku ishim ne katër vite më parë? Ne ishim katër herë nën nivelin evropian për numrin e studentëve. Ku jemi sot pas katër vitesh? Ne sot kemi një diferencë. Në qoftë se në Evropë është 40 studentë për 1000 banorë, ne sot jemi mbi 30 studentë për 1000 banorë dhe gjatë dy viteve që vijnë do të jemi mbi 40 studentë për 1000 banorë. A është kjo një përpjekje e ndershme dhe e sinqertë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu? Ku ishim ne katër vjet më parë për përdorimin e internetit? Dhe atë kohë kur ne shpallën nismën e internet për çdo shkollë, këta zotërinj, këta shokë, u tallën dhe përqeshën, si një utopi. Katër vite më parë përdorimi i internetit në Shqipëri ishte nën dhjetë vendet më të ulëta të botës. Sot përdorimi i internetit në Shqipëria është rritur 7 herë krahasuar me katër vite më parë.

Rruga për në Evropë është garë. Ajo është një garë, të cilën ne e kemi pranuar me dinjitet dhe që do ta përmbushim, do ta fitojmë. Ajo është një garë, e cila bazohet në djersën tonë, në mundin dhe aftësitë tona. Rruga për në Evropë është rruga e begatimit të qytetarëve shqiptarë. Ajo është rruga e cila kërkon që në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, zonat e afërta dhe të largëta të saj, të kenë infrastrukturë evropiane.

Zoti Kryetar i komunës,

Në këtë komunë dhe komunat e tjera të këtij rrethi, brenda këtij mandati, nuk dua që të ketë asnjë pëllëmbë rrugë të paasfaltuar. Kryetari i kësaj komune më thotë se i ka asfaltuar rrugët dhe unë e uroj për këtë. Rruga për në Europë kërkon që shqiptarët të paguhen për mundin dhe djersën e tyre. Asnjë vend në Evropë dhe në botë nuk ka rritur rrogat dhe pensionet aq sa i ka rritur kjo qeveri gjatë mandatit që shkoi. Unë ju garantoj se rritja do të vazhdojë gjatë këtij mandati që vjen.

Ju që i bini dhe që u fryni sirenave të krizës, ju që qani e derdhni lot krokodili se shqiptarët po marrin pak, mos harroni se shqiptarët nën regjimin e kaluar merrnin gjithsej 4 - 6 dollarë në muaj si rrogë mesatare dhe ishin një ndër tre – katër kombet me të ardhurat më të ulëta në botë. Ju që krahasoni shqiptarët me popujt e ish Jugosllavisë mos harroni se kur Tito i paguante qytetarët e tij me një mesatare prej 3 mijë marka në muaj, Enver Hoxha i paguante qytetarët e vendit të tij me një mesatare qesharake prej 6 - 8 marka në muaj.

Unë i bëra këto krahasime, sepse sirenat e krizës përpiqen të murojnë arritjet tuaja të mëdha, veçanërisht në 4 - 5 vitet e fundit. Ju të gjithë ndiqni radiot dhe televizionet e huaja, megjithëse tani po thotë që këngët s’duhet t’i dëgjoni më. Do tu them në këtë shkollë, këtyre shokëve që të mbajnë mend se Shqiptarët mund të jenë të pasur, mund të jenë të varfër, mund të jenë me halle, por nuk ka njerëz më politik se ata. Vuajtjet, padrejtësitë, ndarjet dhe copëtimet i kanë detyruar ata të jenë kombi më politik, jo në rajon, por dhe në Europë. Në këtë mënra ata kanë një të mirë të madhe, sepse askush nuk mund tu imponojë atyre të besojnë se fluturon ai që nuk fluturon.

Tu thuash shqiptarëve se sot ke 800 mijë të papunë në një kohë kur sot ke pothuajse 800 mijë rroga shtetërore dhe private, u tregon përralla me mbret. Tu thuash shqiptarëve se sot po përjetohet kriza, zotërinj, bota po përjeton një nga krizat më të madhe që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar. Shqipëria, jo se e themi ne, por se e thotë gjithë bota, nuk po e përjeton këtë krizë. Shqipëria u përball më mirë se cdo vend tjetër në Evropë me pasojat e saj dhe kjo jo se këtu nuk është një ekonomi kapitaliste, sepse ekonomia shqiptare është me kapitaliste dhe më private se cdo ekonomi tjetëtr në europë, por kjo sepse është e vendosur në parime të ndershme dhe të drejta.

Shokë dhe zotërinj,

Ju flisni çdo ditë për krizën, na thoni se si ka mundësi të dyfishohen eksportet në krizë; se si ka mundësi të rriten të ardhurat në krizë; se si ka mundësi të rriten me 40 për qind numri i bizneseve të regjistruar gjatë katër muajve të parë të këtij viti në krizë; se si ka mundësi që qeveria të rrisë rrogat dhe pensionet jo vetëm për një kategori të veçantë, por të 800 mijë shqiptarëve.

Thirrja ime është: lërini mënjanë gjyzlykët e kuq! Lërini mënjanë ato dhe shihni Shqipërinë. Nuk them se Shqipëria është parajsa, është shumë larg; nuk them se s’ka varfëri, se varfëri ka; nuk them se s’ka papunësi, se papunësi ka, por ajo ka ritme zhvillimi më të larta se çdo vend tjetër, ka shpresë dhe optimizëm më të madh se çdo vend tjetër.

Edhe një herë ju përshëndes shumë vëllazërisht!

Zoti kryetar i komunës Xhavzotaj, zoti kryetar i komunës së Katundit të Ri, zoti kryetar i komunës së Gjepalajt, ju garantoj se do të vazhdojmë të gjitha projektet, ashtu siç i kemi premtuar. Në këtë zonë brenda këtij 3 - vjeçari do të kenë zgjidhje përfundimtare infrastruktura më moderne, shkollat më moderne, shërbimi shëndetësor më modern.

Edhe një herë gëzuar dhe faleminderit!”


10/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›