E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron në Paskuqan një seri investimesh, në rrugë e ujësjellës

- Shqipëria reale është Shqipëria që ecën e sigurt drejt Shqipërisë evropiane; Shqipëria reale është Shqipëria e rrugëve të reja, shkollave të reja, e rrogave të rritura, e punësimit të ri, e investimeve të reja; Shqipëria reale është Shqipëria e qytetarëve të saj, që së shpejti do të lëvizin pa viza në mbarë Evropën; Shqipëria reale është Shqipëria që ecën e sigurt drejt statusit të kandidatit.

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e segmentit të parë të unazës së Paskuqanit me një vlerë prej 70 milionë lekësh, si dhe përfundimin e fazës së parë të ndërtimit të ujësjellësit të Paskuqan 1 dhe Paskuqan 2 me një vlerë prej 87 milionë lekësh. Me këtë rast, kryeministri Berisha inauguroi edhe fillimin e fazës së dytë për ndërtimin e këtij ujësjellësi me një vlerë prej 97 milionë lekësh. Gjatë fjalës përshëndetëse mbajtur para qindra e qindra qytetarëve, disa prej ministrave të kabinetit, deputetëve të zonës, kryetarit të bashkisë dhe të tjera autoriteteve lokale, kryeministri Berisha u shpreh se brenda 3 vitesh, me anë të një sërë investimesh serioze dhe moderne, Paskuqani do të kthehet në një prej qyteteve me moderne të Shqipërisë.

Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh:

Të nderuar zotërinj ministra, zoti kryetar i bashkisë, zotërinj deputetë, qytetare e qytetarë të Paskuqanit. Ju përshëndes vëllazërisht dhe ju uroj gëzuar, në ditën e Evropës, inaugurimin e segmentit të parë të unazës së Paskuqanit dhe fazës së parë së ujësjellësit të ri të qytetit të tuaj. Jam sot këtu gjithashtu për t’ju dhënë fjalën se shumë shpejt do të përfundojë tërësisht unaza e qytetit dhe shumë shpejt do të nisë faza e dytë e ujësjellësit tuaj, për të sjellë ujë në çdo familje të Paskuqanit.

Qytetare e qytetarë të Paskuqanit!

Sot në mbarë Evropën, është dita e idealit evropian, është dita e Bashkimit Evropian, është dita e madhe në të cilën qytetarët e Evropës nderojë përkushtimin e tyre, vlerat e tyre me të cilat ata, u bashkuan me njëri-tjetrin, pas Luftës së II Botërore. Por kjo ditë nderohet sot nga shqiptarët, për të cilët ideali i Shqipërisë evropiane, është ideali i parë i tyre, për të cilët Shqipëria evropiane është projekti i më i madh i këtij shekulli, tek të cilët Shqipëria evropiane, është rikthimi i Shqipërisë në gjirin e kombeve të zhvilluara dhe të qytetëruara të perëndimit.

Vëllezër dhe motra!

Sot ne kremtojmë këtë ditë më afër se kurrë në historinë tonë me Evropën. Ne kremtojmë ditën e Evropës, si një Shqipëri anëtare NATOS; ne festojmë ditën e Evropës, si një Shqipëria e cila ka firmosur një kontratë historike me Bashkimin Evropiane; si një Shqipëri që pret gjatë javëve dhe muajve që vijnë, që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në mbarë Evropën, si një vend, qytetarët e të cilit presin, që gjatë muajve që vijnë, të fitojnë statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian.

Qytetare e qytetarë të Paskuqanit dhe mbarë Shqipërisë!

Rruga jonë drejt Evropës, nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Më shumë se mund dhe djersë kanë derdhur shqiptarët në këtë rrugë, se sa një lum sjell ujëra në shtratin e tij. Por kjo është rrugë nderi, është rrugë dinjitetit, kjo është rrugë suksesi.

Katër vjet më parë, kam ardhur këtu në Paskuqan, katër vjet më parë jam ngjitur Martanesh. Paskuqani është në Tiranë, Martaneshi është në bjeshkët e Martaneshit. Por një gjë kishin të përbashkët: rruga për në Martanesh dhe rruga për në Paskuqan ishin rrugët më të mundimshme. Kjo sepse edhe ju këtu, ngjitur me Tiranën, për pushtetin ishit më larg se Martaneshi. Për mua, për ju, për çdo shqiptar, qytetar i Shqipërisë evropiane do të thotë para së gjithash dhe mbi të gjitha, qytetar me një infrastrukturë moderne në fshatrat dhe qytetet e veta. Në këto tre vjet janë asfaltuar 16 kilometra rrugë në qytetin tuaj. Ju jap fjalën e nderit se në tri vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë kilometër rrugë të paasfaltuar në mbarë Paskuqanin. Katër vjet më parë fëmijët tuaj, vuanin për shkolla, për shërbim shëndetësor. Sot në Paskuqan janë në ndërtim dy shkolla, ju garantoj se edhe dy të tjera do të ndërtohen, së bashku me Qendrën e Kulturës. Paskuqani do të ketë të gjitha standardet e një qyteti evropian. Këtu ngjitur me ne, është një nga liqenet më të bukur, më i madh dhe ndër më të mëdhenjtë liqene artificialë të vendit. Zoti kryetar i bashkisë, kërkoj nga ju, deputeti, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Bujqësisë, të përfundoi sa më shpejt projektin e ndërtimit në këtë territor të një njërit prej parqeve më të bukura të Shqipërisë. Ne do të ndërtojmë këtu një park të mrekullueshëm, jo vetëm për ju, por për të gjithë banorët e Tiranës dhe të tjerë kudo që janë. Paskuqani, një qytet modern, do të ketë qendrën e tij kulturore. Zoti kryetar i bashkisë, ne kërkojmë projektin e saj, qeveria do të financojë një pallat kulture ndër me modernit, për qytetarët e Paskuqanit. Ju më informuat se keni një terren prej disa hektarësh, le ta shndërrojmë atë në një nga terrenet më aktive të sportit në këtë rajon.

Të dashur qytetare dhe qytetarë!

Rrugën drejt Evropës, e cila kalon vetëm nga Shqipëria Evropiane dhe përmes Shqipërisë Evropiane, e kemi të sigurt. Sot në mbarë vendin janë në ndërtim dhe rindërtim qindra e qindra kilometra rrugë, qindra e qindra shkolla, qendra shëndetësore, qendra kulturore. Sot sërish ka nga ata të cilët që nga mëngjesi gjer në darkë iu bien sirenave të krizës. Le t’u themi bashkë këtyre shokëve apo zotërinjve: Me çfarë ndërtohen këto rrugë, ore zotërinj? Me çfarë ndërtohen këto shkolla? Urdhëroni dhe shikoni! Mos bëni rolin e atyre që kanë sy dhe nuk shikojnë se ajo është absolutisht marrëzi. Urdhëroni shikoni rrugët që asfaltohen, shkollat që ndërtohen, ujësjellësit që ndërtohen dhe do të kuptoni se Shqipëria është në ndërtim dhe jo në krizë. çfarë do t’u thoni ju qytetarëve të Paskuqanit, qytetarëve shqiptarë, kur më 1 korrik do të njohin rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. A e kuptoni ju se kriza zhvillohet vetëm në psikikën tuaj.

Shqipëria reale është Shqipëria që ecën e sigurt drejt Shqipërisë evropiane; Shqipëria reale është Shqipëria e rrugëve të reja, shkollave të reja, e rrogave të rritura, e punësimit të ri, e investimeve të reja; Shqipëria reale është Shqipëria e qytetarëve të saj, që së shpejti do të lëvizin pa viza në mbarë Evropën; Shqipëria reale është Shqipëria që ecën e sigurt drejt statusit të kandidatit. Ndaj dhe të nderuar shokë, të nderur zotërinj, dilnin nga kafazi, dilni nga kutia dhe njihni Shqipërinë tjetër, Shqipërinë që zhvillohet, Shqipërinë që ecën çdo ditë drejt idealit të saj evropian. Ndaj dhe unë ju ftoj, i ftoj shqiptarët, sot më shumë se kurrë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane, sot më shumë se kurrë të përkushtuar ndaj idealit evropian, sepse sot janë më afër se kurrë shndërrimit të tyre në realitet.

Edhe një herë ju përshëndes vëllazërisht dhe ju garantoj se në tre vjet Paskuqani do të jetë një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, rroftë Evropa!


09/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›