E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË AKTIVITETIN PËRKUJTIMOR “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave”.

10 maj 2010

Të nderuar familjarë të viktimave të diktaturës,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar deputetë,
Drejtues dhe anëtarë të Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë,
Zonja dhe zotërinj,

Gjithmonë i kam pritur me ndjesi të veçantë ftesat për të marrë pjesë në aktivitete të tilla, me tema të një rëndësie historike, politike, kulturore dhe etike, që sot, 20 vjet pas zhvillimeve të vrullshme demokratike ende trazojnë ndërgjegjen tonë, duke bërë që debati për to të vazhdojë.

Në të njëjtën kohë, të tilla momente i kam përjetuar dhe i përjetoj me përgjegjësinë që më vesh cilësia e të qenit President i Republikës, për të ndërtuar gjithnjë një raport të drejtë dhe institucional ndërmjet të kaluarës sonë jo edhe aq fort të largët dhe realitetit të sotëm demokratik për të patur një marrëdhënie korrekte ndërmjet ngjarjeve dhe shkencës së historisë.

Të dashur miq,

Raporti me të përndjekurit politikë, shkrimtarët dhe intelektualët e përndjekur dhe përndjekjen si dukuri, nuk është një çështje sentimentale, nuk është thjesht një tendencë politike, nuk është vetëm detyrim moral i dorës së parë! Jo! Është vetë raporti me demokracinë dhe me përparimin e saj.

Përndjekja, lufta e klasave, dhuna ndaj fjalës së lirë të thënë e të shkruar, terrori, heronjtë dhe viktimat e tij, shkelja e të drejtave të njeriut, janë pasojë e një regjimi diktatorial, armik i demokracisë, prandaj dënimi i krimeve, integrimi pa kushte, pozicionimi i merituar i tyre në historinë dhe realitetin e vendit, janë elementë të rikthimit të ligjshmërisë, jo si favor, por si një e drejtë themelore, pa të cilën demokracia nuk do të ishte e plotë.

Shoqëria jonë do të ketë kryer një hap të madh evolutiv, atëherë kur kulti i harresës, fshehja apo indiferenca, shpeshherë e ngritur në metodë veprimi, t’ia lërë përfundimisht vendin informimit të plotë dhe në rastin e shkrimtarëve, të rikthimit të plotë të tyre në mënyrë që sistemi letrar shqiptar të jetë i ndershëm, funksionues, objektiv dhe i plotësuar.

Qëndresa dhe vdekja e këtyre personaliteteve të jetës kulturore dhe ligjore shqiptare dhe e shumë të tjerëve që njohën kodin e ferrit të Dantes, me të drejtë sot duhet të shihen si elita e qëndresës.

Ajo na mëson një të vërtetë të madhe, pa të cilën do ta kishim të vështirë të kuptojmë se ç’ndodhi, në një kohë kur populli shqiptar u gjend përballë sfidash të egra, ku ndonjëri edhe u thye, ku të tjerë u shndërruan në qenie pa të drejta, ose ndokush u shndërrua në instrument ideologjik të regjimit.

Kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se aty ku ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ky përballej vdekja - aty ishte atdheu. Aty ishte At Vinçens Prendushi, Myzafer Pipa, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Arshi Pipa, Pjetër Arbnori, e mbi 150 shkrimtarë, përkthyes e artistë të tjerë të dënuar për fajin e vetëm se deshën fjalën e lirë!

Prova të tilla krijojnë hierarkinë e vlerave të pakontestueshme: vlera që shndërrohen në frymë lëvizëse të shoqërisë. Vrasja e intelektualëve, shkrimtarëve avokatëve dhe poetëve, ishte fillimi i vrasjes së lirisë universale të një populli të tërë, një makth që do zgjaste për 45 vjet.

Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari, si zëri më i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati, mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbyt kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët. Shqipëria ka përvojën, rastet dhe kryeveprat e veta në këtë marrëdhënie.

Shoqëria demokratike dhe institucionet e saj, tek këta shkrimtarë dhe avokatë dhe veprat e tyre duhet të shohin përsosjen e vet.

Zonja dhe Zotërinj,

Në njëzet vjet demokraci, shpesh jemi mbledhur për të përkujtuar personazhe dhe ngjarje të historisë së antikomunizmit, sigurisht momente të një dobie të madhe shoqërore, por për gjykimin tim, të pamjaftueshme. Historia është orvatje e përhershme drejt një njohjeje më të mirë.

Ajo duhet të depërtojë përtej fakteve të sipërfaqes, duhet ta tejkalojë retorikën dhe ndikimin e të përditshmes. Vrojtimi historik duhet të jetë sa më pak i dykuptimtë dhe sa më i kuptueshëm.

Kemi raste të shkëlqyera të rrëfimtarisë përkujtuese, ku jepet ajo pjesë e historisë, rrallëherë e shkruar në 45 vjet diktaturë komuniste dhe duke gjetur rastin i ftoj të gjithë ata që kanë diçka për të treguar, të bëjnë të njëjtën gjë! Le ta bëjnë, sepse është një kontribut i madh për ndriçimin e historisë!

Libra të tillë duhet të jenë pjesë e teksteve shkollore, në mënyrë që fëmijët tanë, të njohin të vërtetat historike. Tashmë nëpër antologji duhej të ishin integruar të gjithë ata shkrimtarë që shkruan brenda telave me gjemba e përballë plumbave – siç thotë edhe sllogani juaj. Krahas shkrimtarëve që u mbyllën nëpër kampe përqendrimi e internimi kemi edhe të ndaluarit e mëdhenj si Fishta e Konica, pasardhësit e tyre Koliqi, Camaj e Pipa, gjysmë të ndaluarit si Poradeci e Kuteli, ndaj të cilëve u eksperimentua izolimi nga lexuesi e shumë të tjerë.

Letërsia shqipe pa ta do të ishte e gjymtuar. Pedagogët, studiuesit, drejtuesit shkencorë duhet t’i orientojnë studentët në punimet e tyre të diplomës, masterave, doktoraturave edhe tek kjo letërsi e madhe si një detyrim intelektual dhe etik!

Institucionet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe historike, duhet të kenë një vizion të qartë! Dogmat e së djeshmes duhet të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor!

Harresa është përligjje dhe manipulim prandaj, kundër saj duhen sa më shumë botime të kësaj letërsie, botime dokumentash e tekstesh profesionale, sa më shumë ekspozita dhe albume tematike, e pse jo, edhe muzeume të kujtesës, duke ndjekur përvojat e vendeve me histori të ngjashme.

Të dashur miq

Përkujtime si ky i sotmi, na bëjnë me dije se përpjekja për të mbetur njeri, nuk mbaron asnjëherë. Ajo merr kuptim nga sistemet politike, nga rrethanat, nga qëllimet që ka, nga standardet e lirisë dhe moralit që individi kërkon për vete, për shoqërinë dhe vendin e tij. Le të na nxisë edhe kujtimi i intelektualëve, poetëve shkrimtarëve martirë për një kërkim të tillë!

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tyre!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›