E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin për rikonstruksionin e tre nënstacioneve elektrike 220 kV Fier, Tirana1, dhe Elbasan1

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e nënstacionit elektrik të Fierit, i cili konsiston në furnizimin dhe instalimin e pajisjeve për nënstacionet Fier, Tirana 1 dhe Elbasani 1, i financuar nga Banka Botërore nëpërmjet një kredie prej 17.9 milion euro dhe realizuar nga kompania kroate Koncar. Për të tre nënstacionet 220 kV Fier, Tirana1, dhe Elbasan1, është kryer zëvendësimi  i të gjitha pajisjeve primare të vjetëruara , me pajisje të reja të teknologjisë bashkohore.

Projekti për nënstacionin e Fierit konsiston në realizimin e një sistemi të ri të kontrollit, mbrojtjes e monitorimit të të gjitha daljeve 220kV, 110kV, 35 kV, një sistem të ri automatik të kompjuterizuar të kontrollit të nënstacionit, instalimin e paneleve të kontrollit dhe mbrojtjes në sallën e komandës si dhe kalime të reja për lidhjen e sistemit të ri të releve të kontrollit dhe mbrojtjes.

Ky projekt është pjesë e një programi për rehabilitimin e plotë të të gjitha nënstacioneve të vjetër të Sistemit të Transmetimit, që ka për qëllim rritjen e jetëgjatësisë së funksionimit të tyre. Projekti që u inaugurua është i një rëndësie të veçantë dhe për faktin që ai përfaqëson rehabilitimin e tre nënstacioneve që furnizojnë tre rajonet më të rëndësishme të konsumit të energjisë elektrike dhe që janë njëkohësisht nënstacionet 220 kV më të vjetër, të ndërtuar përkatësisht;  nënstacioni Tirana 1 në vitin 1971, nënstacioni Elbasani 1 në vitin1972 dhe nënstacioni Fier në vitin 1967. Nënstacioni i Fierit është nyja prej nga furnizohet me energji elektrike e gjithë zona Jugore e vendit, përfshirë zonën bregdetare turistike nga Divjaka deri në Butrint.

Duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm ndërtimin e këtij nënstacioni, Kryeministri  Berisha theksoi se energjia mbetet  përparësi e të gjitha përparësive, ndaj qeveria po lëviz  fuqishëm  në dy drejtimet themelore të kësaj fushe, në prodhimin dhe në transmetimin e saj.

Kryeministri Berisha theksoi se rikonstruksionet  e tre nënstacioneve, Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, janë të një rëndësie jetike për furnizimin me energji të 80%  të banorëve të Tiranës, të të gjitha banorëve të qarkut të Elbasanit, të të gjithë banorëve të Fierit, Vlorës dhe jugut të vendit në tërësi . “Ky projekt, përbën një zhvillim të ri madhor, shkëputjen nga një teknologji e prapambetur e viteve 60-70 dhe rivendosjen në këto nënstacione të teknologjisë më bashkohore”, u shpreh Kryeministri.  

Kryeministri theksoi faktin se ndërtimi dhe rindërtimi i një infrastrukture energjetike përben kushtin më themelor për mbështetjen, vitalizmin, zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe zhvillimin në tërësi dhe theksoi se vetëm dy vitet e fundit në linjat e transmetimit dhe nënstacionet janë investuar në vend rreth 240 milion euro.

Gjithashtu kryeministri Berisha deklaroi më tej se këto investime  janë jetike për faktin se çdo muaj një burim i ri energjetik  lidhet me rrjetin e transmetimit të energjisë dhe në një hark të shkurtër  janë ndërtuar në vend dhe rindërtuar  46 hidrocentrale, 100 të tjera janë në ndërtim e sipër qindra të tjera presin për të filluar punimet apo për tu ndërtuar .

Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë projektet e ndërtimit të hidrocentraleve dukë bërë që ujërat e vendit të mos derdhen të fjetur në detërat e liqenet e vendit, por të shndërrohen në vlera në energji për qytetarët.  “Ne - tha Kryeministri Berisha, -  e bëjmë këtë, sepse duam që ne dhe fëmijët tanë të kenë energjinë me koston më të ulët të mundshme dhe faktikisht energjia nga burimet e rinovueshme ka dhe do të ketë koston më të ulët në vitet dhe dekadat që vijnë.  Ne e bëjmë këtë, sepse ne besojmë se një mjedis i shëndetshme është detyrimi jo vetëm para vetes sonë, por para fëmijëve tanë dhe gjeneratave që vijnë. Energjia e rinovueshme është energjia më e pastër, është energjia më e shëndetshme në raport me individin”.

Kryeministri Berisha theksoi në fjalën e tij se qeveria e tij do të ndërtojë hidrocentrale në të katër anët e vendit . “Ne do të ndërtojmë, - tha Kryeministri, - dhe do të bëjmë që shqiptarët të paguajnë më pak  për energji se të gjithë kombet e tjera. Ne do të bëjmë, që në të katër anët e vendit, në lumenj e vegjël dhe të mëdhenj të këtij vendi, të punësohen shqiptarët, do të bëjmë që ujërat  të shndërrohen ne vlera për qytetarët shqiptarë, do të bëjmë që era të shndërrohet në energji për qytetarët shqiptarë do të bëjmë që dielli të shndërrohet në energji për qytetarët shqiptare , ne do ta bëjmë Shqipërinë në një superfuqi të vërtetë rajonale të energjisë së rinovueshme dhe kjo është platforma jonë”.

Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:

I nderuar z. Ministër i Ekonomisë  Tregtisë  dhe Energjetikës dhe Minierave

I nderuar z. Ministër i Punëve Publike

Të nderuar deputetë

Shkëlqesi Ambasadorë

Zotërinj qeveritarë vendore

Të nderuar përfaqësues të kompanisë Koncar

Zoti Ibro, Drejtor i OST-së

Të dashur punonjëse dhe punonjës të Nënstacionit që inaugurojmë ne sot këtu në Fier.

Në projektin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar”, natyrisht energjia është dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Në këtë kontekst, qeveria po lëviz  fuqishëm  në dy drejtimet themelore të kësaj fushe, në prodhimin e saj dhe në transmetimin e saj.

Sot ne inaugurojmë këtu finalizimin e rikonstruksionin e tre nënstacioneve, Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, nënstacione këto të një rëndësie jetike për furnizimin me energji të 80%  të banorëve të Tiranës, të të gjitha banorëve të qarkut të Elbasanit, të të gjithë banorëve të Fierit, Vlorës dhe jugut në tërësi . Ky projekt është një investim prej rreth 18 milion euro, me garanci sovrane të qeverisë shqiptare, përbën një zhvillim të ri madhor , shkëputjen nga një teknologji e prapambetur e viteve 60-70 dhe rivendosjen në këto nënstacione të teknologjisë më bashkohore nga njëra nga kompanitë më të njohura, më serioze, kompania kroate Koncar. 

Me këtë rast unë dua të falenderoj të gjithë ata, të cilët në këtë kompani, punonjësit, inxhinierët e saj nënkontraktorët e saj, që avancuan dhe shndërruan këtë projekt në një projekt  të vërtete suksesi  dhe në një kohë rekord.

Zonja dhe zotërinj,

Ndërtimi dhe rindërtimi i një infrastrukture energjetike përben kushtin më themelor për mbështetjen, vitalizmin, zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe zhvillimin në tërësi.  Vetëm dy vitet e fundit në linjat e transmetimit dhe nënstacionet, janë investuar në vend rreth 240 milion euro, por në rast se ju referohemi periudhës 2005-2011, këto investime kalojnë mbi  gjysmë miliard euro.  Investimet në energji  janë më të mëdhatë që qeveria shqiptare ka bërë pas investimeve në rrugë dhe së shpejti ato do të jenë investimet më kryesore gjatë viteve që vijnë.

Këto investime  janë jetike për faktin se çdo muaj një burim i ri energjetik  lidhet me rrjetin e transmetimit të energjisë.  Në një hark të shkurtër  janë ndërtuar në vend dhe rindërtuar  46 hidrocentrale , 100 të tjera janë në ndërtim e sipër qindra të tjera presin për të filluar punimet apo për tu ndërtuar. Vetëm me këto që kanë filluar ndërtimin prodhimi i energjisë në Shqipëri mbi dyfishohet krahasuar  me prodhimin e deri tanishëm.

Ne besojmë se të gjitha pasuritë  energjetike të vendit duhet të shndërrohen ne vlera, qofshin ato ujë, erë apo rreze dielli  dhe në këtë drejtim po punojmë me vendosmëri të madhe . Në 2007 hapëm  siparin e ndërtimit të hidrocentraleve.  Sot ato janë një histori madhore suksesi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjërë. Ne e bëjmë këtë dhe do ta bëjmë sepse duam që ujërat tona të mos derdhen të fjetur në detërat e liqenet e vendit, por të shndërrohen në vlera në energji për qytetarët.  Ne e bëjmë këtë, sepse duam që ne dhe fëmijët tanë, të kenë energjinë me koston më të ulët të mundshme dhe faktikisht energjia nga burimet e rinovueshme ka dhe do të ketë koston më të ulët në vitet dhe dekadat që vijnë.  Ne e bëjmë këtë, sepse ne besojmë se një mjedis i shëndetshme është detyrimi jo vetëm para vetes sonë, por para fëmijëve tanë dhe gjeneratave që vijnë. Energjia e rinovueshme është energjia më e pastër, është energjia më e shëndetshme në raport me individin.

Zonja dhe zotërinj,

Kjo politikë dhe kjo përpjekje gjen për fat të keq  kritika të udhëhequra kryekëput nga  smira, zilia dhe verbëria politike.  Po dëgjoja zëdhënësin kryesor për energjinë e rinovueshme të kryetarit të Partisë Socialiste. Çfarë ju servirte shqiptarëve? Thoshte se po ndërtojnë hidrocentrale  po këtë energji do ta eksportojnë në Itali dhe nga Italia do të marrin energji tjetër. Po kjo është një matematikë banale, një logjikë primitive,  sipas tyre të mos ndërtojmë, të mos eksportojmë, ti lëmë ujërat  të derdhen në det të fjetura siç janë pa vlerë.  Ne do të ndërtojmë, ne do të bëjmë që shqiptarët të paguajnë më pak  për energji se të gjithë kombet e tjera. Ne do të bëjmë, që në të katër anët e vendit, në lumenjtë e vegjël dhe të mëdhenj të këtij vendi të punësohen shqiptarët, do të bëjmë që ujërat  të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë, do të bëjmë që era të shndërrohet në energji për qytetarët shqiptarë, do të bëjmë që dielli të shndërrohet në energji për qytetarët shqiptare , ne do ta bëjmë Shqipërinë në  një superfuqi të vërtetë  rajonale të energjisë së rinovueshme dhe kjo është platforma jonë.

Ndaj dhe njëherë dua t’ju falenderoj shumë ju z. Ibro, të falenderoj kompaninë Koncar , të falenderoj të gjithë punonjësit teknikët inxhinierët që realizuan këtë vepër, të garantoj qytetarët shqiptarë që do të bëjmë gjithçka  do të bëjmë çdo investim që energjia me të cilën furnizohen ata, të kenë parametra më të mirë do të bëjmë gjithçka që të parandalojmë rritjen e saj dhe ta kenë atë me çmimet më të ulëta të mundshme.

Faleminderit .


18/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›