E Diel, 1 Nëntor 2026

Komente të Kryeministrit Sali Berisha për mediat

Kryeministri Sali Berisha i'u përgjigj sot, gjatë konferencës për shtyp ku prezantoi Departamentin e Informacionit, pyetjeve të gazetarëve rreth zhvillimeve brenda maxhorancës, taksës së sheshtë dhe frekuencave televizive.

Pyetje: Zoti Kryeministër, Në shkurt të vitit 2006, keni premtuar se do të ketë frekuenca të tjera televizive, ndërkohë ditët e fundit ka një urdhër tjetër të KKRT-së që disa nga antenat do të hiqen. A ka ndonjë ndryshim kursi?

Kryeministri: Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndryshim kursi nga kryeministri. Kam qenë dhe mbetem tërësisht i mendimit për një proçes të hapur të dhënies së liçensave. Frekuencat janë njëlloj si rrugët, ka forma të dhënies të tyre. Frekuenca është pasuri publike. Dhe unë jam për të përcaktuar format më liberale të dhënies së tyre.
Unë i përmbahem asaj që licensa kombëtare duhet të jipen aq sa ka frekuenca. Po kështu do të jipen dhe për numeriken. Ka një Institucion, i cili është thellësisht i pavarur nga qeveria, i cili ka për detyrë misionin e rregullimit ligjor të këtij procesi. Unë kam besimin se ky institucion do të vendosë zbatimin e ligjit. Ligji është i domosdoshëm, sepse ka indikacione të shumëanshme, ndër të cilat edhe fiskale. Unë e kuptoj pasionin tuaj për fjalën e lirë, por ju siguroj se më i madh është pasioni im për të. Ju ftoj që të kontraktoni pak edhe pasionin për taksën se aq sa mund të duket i pa interes ju them se është jetik , është vendimtar. Kurrë ndonjëherë nuk do të bëhemi dot një shoqëri me liri të konsoliduara, në rast se nuk vendosim rregullin serioz me taksat. Nuk do mund t'i rezistojë fjala e lire, kohërave, presioneve, ndikimeve, në rast se nuk sigurohet liria e tregut dhe kjo liri ka një kusht vendimtar që është barazia para ligjit. Ju duhet të flisni për taksat dhe këtë ta bëjmë në mënyrë transparente. Ne si qeveri jemi të angazhuar në një proces të paimagjinueshëm sepse edhe ata me të cilët kam bashkëpunuar në opozitë nuk e kanë menduar se do të shkonim në një taksë të sheshtë me 10 % dhe ne po shkojmë drejt saj. Ejani të kërkojmë të gjithë së bashku ta zbatojmë me korrektesë ligjin.

Pyetje: Zoti Berisha, le t'i referohemi vendimit për taksën e sheshtë. A do ta pranojë FMN-ja propozimin tuaj për taksën e sheshtë dhe a ndikon kjo negativisht te ata që paguhen me paga minimale?

Kryeministri Berisha: Së pari, taksa e sheshtë nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Taksa e sheshtë është elementi i parafundit i revolucionit fiskal të kësaj qeverie dhe përbën një nga arritjet më të mëdha në përpjekjen tonë për të tërhequr investimet e huaja.

Pjesa e dytë e pyetjes, se a prek kjo ata që marrin paga të ulëta, unë e them me bindje se qeveria është e vendosur t'i mbrojë ata dhe ne do t'i mbrojmë ata, sepse ne duhet të vendosim një barazi para ligjit. Taksa e sheshtë, në pamje të parë është barazi para ligjit. Por kjo barazi duhet të modelohet dhe ne po punojmë për skemat e modelimit. Punonjësit me rroga të ulëta nuk do ta ndjejnë peshën e saj në mënyrë absolute.

Por sërish më duhet të kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe të mediave. Shqipëria, në rast se nuk bëhen disa ndërhyrje të shpejta dhe të fuqishme kundër informalitetit, është në një proces polarizimi të tmerrshëm, është një vend në të cilin të varfërit shkojnë drejt një varfërie edhe më të madhe, por jo vetëm të varfërit, por edhe ata që janë mbi ta, ndërkohë që të tjerët, në hije, një pjesë e tyre, shkojnë drejt pasurimit të rrufeshëm. Kjo është e papranueshme. Unë u përkas atyre, të cilët me besimin më të thellë besojnë se vendi pasurohet duke pasuruar të pasurit. Nuk kam asnjë lloj iluzioni për këtë, por kjo duhet të ndodhë në dritën e diellit, në transparencë të plotë. Ju jeni dëshmitarë se çfarë mashtrimi i tmerrshëm bëhet me borderotë. Këtë jua them edhe ju, se ju duhet ta informoni publikun. Është tjetër gjë problemi i marrëdhënieve dhe kontratave që keni, por publikun duhet ta informoni se në bordero janë dy taksa, është kontributi social, është dhe tatimi mbi të ardhurat. Imagjinoni që janë rreth 240 mijë shqiptarë, 140 mijë në sektorin publik të administratës qendrore dhe asaj lokale, ndërkohë që janë rreth 90 mijë punonjës me rroga të ulëta në sektorin privat, të cilët me taksën që paguajnë për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe me taksën që paguajnë për tatimet mbi të ardhurat, kontribuojnë me 2/3 për pensionistët e këtij vendi. Në qoftë se ne u lëmë një grupi rrogëtarësh të shtetit dhe një grupi rrogëtarësh të ulët të sektorit privat, barrën e gjysëm milionë shqiptarëve që janë pensionistët, kjo përbën një barrë që shkon duke u rënduar çdo ditë e më shumë për ta. Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër veçse një ndërgjegje shoqërore, e cila është e domosdoshme për çdo shoqëri, që pagat të deklarohen siç janë. Është shumë e thjeshtë të marrësh 2 milionë lekë dhe të deklarosh se merr 200 mijë, por në këtë mënyrë mashtron 10 herë taksën mbi të ardhurat dhe mashtron 3 herë taksën mbi kontributet shoqërore. Ky është një realitet me të cilin ne po përballemi, por ne kërkojmë mbështetjen e të gjithë atyre, të cilët e konsiderojnë interesin publik si interesin më të mirë të tyre. Ndaj, përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes, më vjen shumë mirë që ju shprehni shqetësimin për punonjësit me rroga të ulëta dhe ju siguroj se ne po marrim masa që ata të mos rëndohen. Por, nga ana tjetër, është e domosdoshme të bëhet transparenca e plotë e piramidës së pagave dhe duke bërë këtë, ne kemi bërë një hap shumë të madh drejt normalitetit, drejt formalizimit. Kjo sigurisht nuk është masive, por është shqetësuese. Prandaj, ndaj këtij fenomeni qeveria, pas një seri konsultimesh që ka bërë me biznesin, do të vendosë rregulla të reja, rregulla të cilat nuk synojnë kurrë të kapin maksimalen, sepse nuk është ky synimi, por të vendosen rregulla, të cilat t'i afrohen të vërtetës. Ju, gazetarët, pasionin për fjalën e lirë duhet ta kombinoni me pasionin për tregun e lirë, sepse të dy këto aspekte janë binjakë siamezë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, besoj i keni vënë re edhe ju ndryshimet që janë në koalicion për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ka nga ata deputetë të mazhorancës që nuk pranojnë kandidaturën e zotit Topi për President dhe kanë dhënë alternativën e zotit Nano. Këtu mund të përmend PBDNJN-në. Partia Demokratike, përfundimisht, është për kandidaturën e zotit Topi dhe a do të zgjidhet dot ai, pasi ju nuk keni votat e mjaftueshme?

Kryeministri Berisha: Mendoj se opozita është e bashkuar në 5 kandidatura, ndërsa mazhoranca është e bashkuar në 1 kandidaturë. Deri tani nga zyrat e opozitës kanë dalë 5 emra. A janë firmat e opozitës për 5 kandidatët? Për këtë e shumëzoni vet numrin e firmave të nevojshëm dhe numrin e deputetëve të opozitës. Deri tani mazhoranca është me një kandidat dhe ky është zoti Bamir Topi. Unë nuk injoroj se ka pasur edhe ndonjë ide tjetër, pro në thelb, mazhoranca është e bashkuar rreth këtij kandidati për të cilin konsensusi rreth tij po rritet çdo ditë e më shumë. Ka një konsensus të gjerë.

Pyetje: Pra, nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme?

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se prerogativat për presidentin konsensual janë reale. Megjithatë, edhe opsioni i zgjedhjeve është i mundshëm.

Pyetje: A do të keni ndonjë formulë për zgjedhjen e Presidentit?

Kryeministri Berisha: Së pari duhet që të biem dakort për më të votuarin dhe po ramë dakort për më të votuarin, atëherë formula është e qartë. Të mos ndodhë siç ndodhi herën e parafundit që të gjitha palët shkuan me një kandidat dhe ai mori gjithsej 93 vota. Nuk duhet të ndodhë më një gjë e tillë. Gjërat duhet të jenë të sigurta.

Pyetje: Pra, do t'ju duhet të uleni në një tryezë me zotin Rama, pasi herën e kaluar u ulët në tryezë me zotin Nano për këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Lidhur me tryezat, mund t'ju them se kam qenë, jam dhe do të mbetem njeri i tryezave, i debateve, i dialogut dhe kjo është një konstante e pandryshueshme e imja.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›