Kryeministri përkujton tragjedinë e 11 shtatorit në SHBA
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha përkujtoi 5 vjetorin e tragjedisë së sulmeve terrorriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri shprehu mbështetjen dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin me koalicionin botëror në luftën kundër terrorrizmit, si një armik i përbashkët i njerëzimit.
Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Sot, mbarë bota kujton 11 shtatorin, si një ditë në të cilën terrorrizmi kreu aktin më të rëndë e më të shëmtuar dhe u demostrua si armiku kryesor i lirisë për vendet e lira.
11 shtatori ndryshoi botën dhe, para së gjithash, ndërgjegjen e njerëzimit mbi këtë rrezik të madh, i cili duhet përballuar. Në këtë kontekst, Shqipëria, e rreshtuar në koalicionin botëror kundër terrorrizmit, është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet dhe të zgjerojë bashkëpunimin me të gjitha vendet mike në luftën ndaj këtij armiku të përbashkët.
Bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe vendet e tjera në luftën kundër terrorrizmit është i shkëlqyer. Ne jemi krenarë për këtë bashkëpunim dhe të vendosur ta konsolidojmë atë më tej.
Jam i bindur se lufta me tolerancvë zero ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve kriminale është një kontribut real që Shqipëria gjatë këtij viti dha për paqen dhe sigurinë në Shqipëri, por dhe më gjërë.
Krimi i organizuar dhe trafiqet kriminale janë aleatë potencialë të terrorrizmit ndërkombëtar, janë burime të mëdha potenciale financiare dhe jo vetëm financiare të tij. Ndaj dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë luftën tonë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve kriminale, luftë e cila ka patur rezultate thelbësore dhe do të vazhdojë të konsolidohet më tej."