Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e Qendrës së Shërbimit të Tatimpaguesve
Kryeministri Berisha ka qenë sot i pranishëm në përurimin e Qendrës së Shërbimit për Tatimpaguesit e Tiranës. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe Ambasadori Amerikan Aleksander Arvizu, Drejtori USAID për Shqipërinë Joseph Uilliams, Ministri i Financave Ridvan Bode si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Gazmend Spahia.
Kjo qendër e krijuar sipas teknologjisë më bashkëkohorë, me ndihmën e Programit Prag i Korporatës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, i administruar nga USAID, do t’i shërbejë pothuajse gjysmës së të gjitha bizneseve në Shqipëri. Ajo përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm drejt përmbushjes së angazhimeve të qeverisë për të krijuar një administratë të standardeve botërore në Shqipëri, duke e bërë komunikimin midis tatimpaguesve dhe administratës tatimore më transparent dhe efikas.
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
I nderuar zoti Ministër, Bode
I nderuar zoti Ambasador, Aleksander Arvizu
I nderuar zoti drejtor i USAID ne Shqipëri, Ulliams
Zoti drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, të dashur punonjës dhe punonjëse të sistemit tatimor të vendit.
Së pari dëshiroj t’ju përgëzoj përzemërsisht për këtë qendër , shumë të rëndësishme të shërbimit ndaj taksapaguesve të vendit, të përmbushjes së një detyrimi madhor, që qeveria dhe shteti ka ndaj atyre që me aftësitë e tyre krijuese me të mirat, të cilat prodhojnë dhe krijojnë çdo ditë dhe janë promotorë kryesor të zhvillimit të vendit.
Unë, gjej rastin këtu të shpreh mirënjohjen më të thellë, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit , Agjencisë Amerikanë Ndërkombëtarë të Ndihmës dhe Zhvillimit, për ndihmën jashtëzakonisht të rëndësishme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në sistemin e reformave më të rëndësishme për ekonominë dhe tregun.
Zoti ambasador, në vitin 2006 neve na u akorduar Pragu nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, një shumë kjo prej 15 milion dollarësh. Së bashku me zyrtarët e lartë te vendit tuaj ne vendosëm, që të gjithë këtë shumë ta adresonim në projekte, dhe primarja ishte për të luftuar korrupsionin dhe natyrisht për të lehtësuar dhe mbështetur biznesin.
Mund të them se, në një hark kohor të shkurtër, në këtë vend nuk ka asnjë formë tjetër, që të ketë patur inpakt më të madh në jetën e qytetarëve shqiptarë , sesa çka pasur kjo reformë dhe këto projekte. Ne përcaktuam reformimin e sistemit tatimor, reformimin e sistemit të regjistrimit të biznesit, reformimin e sistemit të prokurimeve dhe projekte të tjera. Por në rast se bëjmë një analizë tani pas katër vitesh , të një pune intensive, unë mendoj se këto projekte përfaqësojnë, ndër sukseset më të shkëlqyera që mund të jenë arritur. Ne nisëm projektet e prokurimeve elektronike në një kohë kur Shqipëria , kishte një sistem në të cilin mbi 70% e prokurimeve bëheshin pa tender dhe direkt . Me një punë të përbashkët dhe bashkëpunim të shkëlqyer , me USAIDIN ne arritëm të bëhemi vendi i parë në botë me prokurimet elektronike .
Pra transformuam një sistem të tërë dhe nderuam dhe paratë e taksapaguesve të vendit tuaj. Ne nisëm sistemin e taksës elektronike, një vit më parë në raportin e Bankës Botërore shkruhej se 1.4 miliard dollarë humbasin çdo vit dhe përfundojnë në xhepat e evazorëve dhe zyrtarëve të korruptuar. Unë kam pasur rastin të jem në Nju Jork, në një takim që Korporata e Mijëvjeçarit, organizua me kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve, të cilat ishin të angazhuara në projektet e korporatës. Kolegët e mijë, disa prej tyre kishin fituar kompakun dhe për rrjedhojë qindra e qindra milion dollarë nga taksapaguesit e vendit tuaj. Ne ishim në stadin e Pragut, pra kishim marrë 15 milion, por kur unë informova audiencën se në sajë të kësaj reforme, në vendin tim u mblodhën në katër vite 5.2 miliard dollarë më shumë , ky ishte lajmi më surprizë në atë konferencë dhe e vërteta është se ishte pragu që na nxori ne jashtë kompakut , sepse ne kaluam në vendin e grupeve me të ardhura të mesme dhe të larta dhe për definicion ne nuk përfitonim, por cilado të ishte shumë qe ne do të merrnim nga kompaku, ajo nuk mund t ishte kurrë 5.2 miliard dollarë që ne mblodhëm.
Jo vetëm kaq, sigurisht që 5.2 miliard dollarë ishin shumë të çmuara për Shqipërinë dhe shqiptarët , unë thash këtu se ato bënë të mundur të ndryshonin jetën e qytetarëve shqiptarë në tërësi dhe të kenë inpakt për çdo qytetar. Ne kemi bërë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve, por kemi ndërmarrë edhe projektet më të mëdha të punëve publike të kryera ndonjëherë në këtë vend. Kjo është vlera e tyre, por një vlerë më e madhe , e pallogaritshme është inpakt që këto sisteme dhe kjo përpjekje e përbashkët ka patur në lirinë e tregut. Asgjë nuk është më direkt e lidhur sesa sistemi fiskal, performanca e këtij sistemi me këtë liri themelore, që përben dhe gjeneratorin kryesor të prosperitetit të kombeve dhe vendeve të lira.
Në projekte të përbashkëta me USAIDIN ne llogarisim të vazhdojmë të kompletojmë dhe të vendosim sistemin më modern për taksapaguesit në vend. Këtë vit me ligj ne kemi vendosur deklaratën fiskale të qytetarit , praktikë kjo qe në vendet tuaja është vendosur dhjetëra e dhjetëra vite më parë . Kjo deklaratë është shumë e rëndësishme , sepse bën më të drejtë dhe më të ndershme shpërndarjen e të ardhurave në vend. Ndaj dhe unë shpresoj dhe e llogaris shumë ndihmën e qeverisë suaj, në ndihmën e USAIDIT për të kompletuar, për të konsoliduar këtë praktikë shumë të domosdoshme për vendin dhe qytetarët shqiptarë.
Projekt tjetër shumë i rëndësishme ka qenë projekti për regjistrimin e biznesit. 42 ditë dhe 4 mijë euro, ju kushtonte qytetarëve shqiptarë regjistrimi i një biznesi. Në sajë të projektit të përbashkët të financuar nga qeveria juaj, por dhe të zbatuar , të vendosur nga USAID . Sot, Shqipëria shkëlqen, qëndron 27 pikë më lart se mesatarja e vendeve më të zhvilluara anëtare të OECD në regjistrimin e biznesit. Sëbashku po në këtë kuadër ne inauguruam jo tamam dy vite më parë një qendrën tjetër shumë të rëndësishme, atë të licencave dhe lejeve, inaugurojmë këtu një qendër jashtëzakonisht të rëndësishme, qendër e cila do t’ju shërbeje taksapaguesve shqiptarë në çdo kohë me të gjithë informacionin e duhur në mënyrë që të konsolidojmë vetëdijen e përgjegjësisë së lartë , që ata kanë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe shteti ka ndaj tyre.
Do ta mbyll këtë fjalë duke ju falënderuar edhe njëherë me shumë përzemërsi dhe natyrisht duke shprehur edhe kënaqësinë që këto para të taksapaguesve të qeverisë suaj, kanë patur efekte do të thosha unë jashtëzakonisht pozitive në jetën e qytetarëve shqiptarë .
Dhe njëherë dua të përgëzoj të gjithë ata punonjës të tatimeve të vendit , të angazhuar në këto projekte dhe ti siguroj se qeveria do të mbështesë fuqishëm çdo përpjekje të tyre për konsolidimin në Shqipëri të sistemit më modern fiskal që ekziston.
Urime.
01/03/2011