E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Tejkalimi dyshifror i të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar është një tregues shumë i fuqishëm i një rritjeje ekonomike vibrante të vendit

-          Kryeministri bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se eksporti i prodhimeve të mirëfillta shqiptare, pra i prodhimeve “Made in Albania”, është rritur me 152 % krahasuar me 2 muajt  e parë të vitit 2010, duke realizuar kështu rritjen më të madhe të shënuar ndonjëherë.

-          Kryeministri udhëzoi ministrin  e financave zotin Bode të nisë punën për përgatitjen  e kuadrit ligjor të amnistisë fiskale, në të cilën të përfshihen veç  te tjerash dhe borxhet e vjetra.

-          Kryeministri  theksoi nevojën e rishqyrtimit të taksave të makinave të përdorura. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi që së bashku me  ministrinë  e punëve publike dhe të drejtorive përkatëse të bashkërendohet puna për gjetjen e modaliteteve të tjera, në mënyrë qe edhe mjedisi, por edhe tregu i tyre të respektohet.

Kryeministri Berisha  bëri të ditur sot në mbledhjen e këshillit të Ministrave se të ardhurat buxhetore të dy muajve të parë të këtij viti janë rreth 10-11 % më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kalua . Kryeministri theksoi se ky përbën një lajm shumë pozitiv, i cili garanton përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe premtimeve te dhëna , në mënyrë të posaçme rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Tejkalimi dyshifror i të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar është gjithashtu një tregues shumë i fuqishëm i një rritjeje ekonomike vibrante të këtij vendi.” u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se eksporti i prodhimeve të mirëfillta shqiptare, pra i prodhimeve “Made in Albania”, është rritur me 152 % krahasuar me 2 muajt  e parë të vitit 2010, duke realizuar kështu rritjen më të madhe të shënuar ndonjëherë.

Kryeministri u shpreh se  eksportet “Made in Albania” janë sot me një rritje të shumëfishtë krahasuar me eksportet me materiale importi dhe kjo përbën zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm , por nga ana tjetër  theksoi kryeministri, me këtë tendencë rritje Shqipëria do të jetë i vetmi vend, që në një hark kohor prej dy vjeçar mbidyfishon eksportet e vendit.

Kryeministri nënvizoi  se rritja me 152 % të eksporteve “Made in Albania” këto dy muaj është dëshmi e një ritmi të fuqishëm të punësimit të qytetarëve shqiptarë.

Ndër të tjera kryeministri theksoi se domethënia e këtyre zhvillimeve është  e shumanshme, një dëshmi së pari e suksesit të padiskutueshëm  të reformave të thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, e funksionimit të shtetit ligjor, si dhe e luftës së suksesshme kundër korrupsionit.

Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave u ndal në projektligjin i cili parashikon ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore”. Duke folur për këto ndryshime, Kryeministri theksoi se qeveria mbetet e vendosur për krijimin  e lehtësirave sa më të mëdha për biznesin, por duke luftuar në maksimum informalitetin, i cili është edhe armiku kryesor i biznesit të ndershëm. “Deri tani ne kemi patur rregulla me gjobë, me regjistrim , me praparegjistrim, etj, tani rregulli duhet të jetë I prerë, në se fillon aktivitetin pa leje ndodh automatikisht konfiskimi I të gjithë cfarë ke aty dhe cregjistrimi në QKR, pra humbja  etë drejtës së aktivitetit”, u shpreh kryeministri.

Gjatë kësaj mbledhje, Kryeministri udhëzoi ministrin  e financave zotin bode të nisë punën për përgatitjen  e kuadrit ligjor të amnistisë fiskale, në të cilën të përfshihen veç  te tjerash dhe borxhet e vjetra.

Kryeministri  u ndal në mbledhjen e këshillit të Ministrave edhe në nevojën e rishqyrtimit të taksave të makinave të përdorura. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi që së bashku me  ministrinë  e punëve publike dhe të drejtorive përkatëse të bashkërendohet puna për gjetjen e modaliteteve të tjera, në mënyrë qe edhe mjedisi, por edhe tregu i tyre të respektohet.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sërish, kryefjala  e kësaj mbledhje është ekonomia, e cila jep lajmet më pozitive, më të shkëlqyera, lajmi i parë dhe i  rëndësishëm është se shkurti ka mbyllur 100 për qind dhe lehtësisht me tejkalim.  Të ardhurat buxhetore janë rreth 10 - 11 % më të mëdha se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky përbën një lajm shumë pozitiv, lajm i cili garanton përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe premtimeve te dhëna , në mënyrë të posaçme rritjen e rrogave dhe pensioneve , e cila ka ndikim direkt në buxhetin e 800 mijë familjeve shqiptare. Tejkalimi dyshifror i të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar është gjithashtu një tregues shumë i fuqishëm i një rritjeje ekonomike vibrante të këtij vendi.

Ndaj dhe unë përgëzoj  punonjësit e tatimeve dhe të doganave, por natyrisht edhe të gjithë biznesin shqiptar.

Krahas këtij lajmi ekziston edhe një tjetër lajm po nga ekonomia, shumë i rëndësishëm , eksportet shqiptare “Made in Albania”, pra prodhimi i mirëfilltë shqiptar dhe i eksportuar është rritur këta dy muajt e parë të këtij viti, krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar, nga 282 mijë ton, në 424 mijë ton, por mjaft më të madhe ka rritjen në vlerë. Rritja në vlerë  e eksporteve shqiptare është nga 7.9 miliard lekë që ishin eksportet “Made in Albania” dy muaj e parë të vitit 2010 në  20 miliard lekë në dy muajt e parë të vitit 2011, pra një rritje prej 152%, rritja më e  madhe  e shënuar ndonjëherë.

Ndërsa eksportet ne tërësi përfshi këtu ato që prodhohen me fasonë, pra me mallrat ë importuara, së bashku kanë një rritje prej 60 %, por dy janë zhvillimet më të rëndësishme, së pari eksportet “made in Albania” janë sot me një rritje të shumëfishtë krahasuar me eksportet me materiale importi dhe kjo përbën zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm , por nga ana tjetër me këtë tendencë rritje Shqipëria do të jetë i vetmi vend, që në një hark kohor prej dy vjeçar mbidyfishon eksportet e vendit.

Krahasimi që sjell këtu rritja e eksporteve “ Made in Albania” me 152 %  është me vitin e bumit më të madh të eksportit që ishte viti 2010 dhe në rast se ju referohemi të dhënave të eksporteve , raporti ka qenë një me tre, nga mallrat e importuara, kurse sot, ky raport është përmbysur tërësisht dhe përbën kjo zhvillimin më pozitiv të ekonomisë shqiptare,por në rast se ne shohim strukturën  e eksporteve, struktura e eksporteve është Shqipëria industriale, është çelik, gizë dhe prodhime të tjera, si tekstile, këpucë , pajisje makinerish , pra janë këto që dominojnë më ndjeshëm se prodhime të tjera, pra janë këto dëshmi e Shqipërisë industriale, pra janë këto dëshmi e progresit industrial që po përjeton vendi.

Rritja me 152 % të eksporteve “made in Albania” këto dy muaj është dëshmi e një ritmi të fuqishëm të punësimit të qytetarëve shqiptarë. Asgjë më shumë se sa prodhimi nuk rrit punësimin dhe gjeneratori numër një i punësimit është prodhimi dhe në këtë kontekst, domethënia e këtyre zhvillimeve është  poliedrike, pra e shumanshme dhe kjo përbën një zhvillimin shumë të rëndësishëm , një dëshmi së pari e suksesit të padiskutueshëm,  e reformave të thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga kjo qeveri, e funksionimit të shtetit ligjor, pa të cilin ekonomia nuk do mund të kishte këto zhvillime, e luftës së suksesshme kundër korrupsionit.

Të bësh biznes sot në Shqipëri gjen kushtet më lehtësuese se në dhjetëra , në mos qindra vende të botës. Në këtë zhvillim të shpejtë dhe të fuqishëm të prodhimit natyrisht një rwndwsi kryesore ka dhe sistemi ynë fiskal. Këtu janë taksat më të ulëta se në çdo vend tjetër të botës. Po nuk kemi luftuar vetëm barrierën fiskale, po me kaq sukses ne kemi luftuar edhe barrierat burokratike. Krijimi i qendrës së vetme të licencave dhe të lejeve ka hapur një kapitull të ri shumë të rëndësishëm, për biznesin shqiptar dhe të huaj, një lehtësim madhor maksimal i burokracive. Imagjinoni ju, në qoftë se afati kohor është shkurtuar mbi 5 deri në 6 herë pas krijimit të qendrës, afati kohor në bashkinë  e Tiranës për të marrë lejen e ndërtimit është i treti më i gjatë në botë, sipas të dhënave të fundit ky afat 383 ditë. Sigurisht këto nuk I referohen vitit 2009, I referohen vitit 2008, por kryetari i bashkisë që po ikën ka ndërtuar shtyllën më të lartë të korrupsionit në Evropës dhe me të lartat në botë. Fatmirësisht 8 maji po afron dhe zoti Basha a e more vesh që kanë vendosur çadrat para kryeministrisë që ose të japësh dorëheqjen ose do të flijohen. Më thanë që po bëhen gati 5 kandidatë , në 5 çadra. Kjo është puna e tyre, nuk kemi çfarë ti bëjmë.

Pra kjo çështje do të zgjidhet në 8 maj. Pra në lejet e ndërtimit qëndron dhe problem më madhor I biznesit . Atëherë, zoti Olldashi në praktikën botërore shumica e vendeve nuk e kanë të përfshirë lejen e ndërtimit në One Stop Shop , por ekzistojnë edhe 21 vende që lejen e ndërtimit e kanë të përfshirë në sportelin e vetëm të lejeve dhe të licencave. Unë mendoj se ne duhet ta shqyrtojmë këtë praktikë. Ne kemi futur në ONE Stop Shop lejet e ndërtimit të HEC, të fabrikave të mëdha , të uzinave të mëdha. Ne duhet ta shqyrtojmë shumë seriozisht inkludimin e  lejeve të ndërtimit në ONE Stop Shop, natyrisht në përputhje me procedurat që ekzistojnë, por ama dhe kjo do të rriste shumë transparencën. Do të studiohen modelet, pasi 21 vende e kanë këtë praktikë. Edhe Qendrën Kombëtare të lejeve dhe të licencave, shumica  e vendeve nuk e kanë , por ne  e kemi një histori të vërtetë suksesi, prandaj dhe të  studiojmë mundësinë në se dhe lejen e ndërtimit ta kalojmë në sportel unik. Ka vende të cilat shkëlqejnë për ndërtimet dhe biznesin dhe kanë afate shumë më të shkurtër se ce ka bashkia e Tiranës. Unë  e kuptoj që 8 maji është zgjidhja, por sërish nuk duhet të tërhiqemi para modernitetit.

Sot, ne gjithashtu kemi disa ndryshime në procedurat tatimore. Raporti ynë me biznesin është një raport transparent. Vlerësimi maksimal, mirënjohje të thellë, ne bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka që ti krijojmë biznesit lehtësirat maksimale, por asgjë nuk e dëmton biznesin, asgjë nuk i pushton atij, hapësirën dhe nuk i dhunon lirinë se sa informaliteti. Informaliteti, së pari është një mospërgjegjësi totale ndaj atij detyrimi madhor që një biznesmen duhet të ketë për të paguar taksat për qytetarët. Së dyti dhe më e rëndë  se e para është pabarazia që krijon me fqinjin, me biznesin ngjitur, i cili është i detyruar të konkurrojë me njw biznes që nuk wshtw I regjistruar dhe nuk ka paguar taksat. Për të njëjtin aktivitet që faktikisht atë e vështirëson në mënyrë të jashtëzakonshme. Deri tani ne kemi patur rregulla me gjobë, me regjistrim, me praparegjisytrim, etj, tani rregulli duhet të jetë i prerë, në se fillon aktivitetin pa leje ndodh automatikisht konfiskimi i të gjithë çfarë ka aty dhe çregjistrimi në QKR, pra humbja  e të drejtës së aktivitetit. Janë disa licenca të cilat nuk kanë direkt leje me tatimet. Aty është e domosdoshme që ligjet eksiztuese, zoti Ministër i ekonomisë, ministër i punëve publike dhe zotërinj të tjerë ministra të modifikohen menjëherë dhe humbet licencën secili person që gjendet në aktivitet të paregjistruar. Në se je arkitekt, e marr këtë si shembull, je licencuar si arkitekt, në rast se ti bën projekte dhe nuk je i licensuar për veprimtarinë tënde, licenca humbet të paktën për një afat të paktën 5 vjeçar, pra dhe ky ndryshim që bëhet në kodin  e procedurës tatimore do të reflektohet në të gjitha ligjet tuaja, për sa u përket licencave.

Kemi dhe një problem tjetër madhor. Unë e theksova këtu, se nuk ka dhe nuk mund të ketë qëndrim tjetër veçse qëndrim miqësor ndaj biznesit, por kjo sigurisht brenda kufijve të ligjit. Në qoftë se një, importues nafte merr dhe na sjell dhe nxjerr në treg naftën të ndaluar me ligj, po u kap kamioni, ligji do të jetë i tillë që ky biznesmen humbet licencën dhe ikën nga tregu. Zoti Naçi unë  e di që ju keni bërë paralajmërime, por ligji do të ndryshohet, pra humbet licencën. Pra ai që nuk mendon për mushkëritë  e foshnjave, e burrave dhe grave, që marrin squfur, ai do të largohet nga tregu. Ne kemi marrë masat më të rrepta dhe jo të leverdishme nga ana ekonomike, psh ne nxorëm D2 nga tregu dhe  e bëmë këtë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe bëmë shumë mirë. Ne jemi në një pozicion nga më të mirët për sa i përket treguesve të mjedisit. Jemi në pozicionin e 23 por këtë nuk e kemi nga ajri, sepse po të ishte nga ajri ne do të degdiseshim në pozicionet më të papranueshme po qe se është fjala për ajrin e qyteteve, megjithatë jam I bindur se ajri i  Tropojës është më i pastri në botë, por është fjala për ajrin e Tiranës. Në këtë rast  një biznesmen humbet automatikisht licencën. Në këtë rast ne i shërbejmë fitimit të biznesit, ndërsa biznesi do ti shërbejë standardeve që kërkohen, sepse ne kemi ulur taksat i kemi bërë 10 % , ne kemi ulur sigurimet shoqërore për biznesin i kemi bërë 15 % nga 35 % që kanë qenë, atëherë në se e humbet arsyen dhe bëhesh i paparmbajtur ndaj fitimit , duke dëmtuar shëndetin e të tjerëve, kjo do të jetë me tolerancë zero. Licencat, nuk i heqin dot tatimet, tatimet ose inspektorati mund ti kapi, por licencat bien në mënyrë automatike. Të fitojnë pa diskutim, por jo duke dëmtuar shëndetin e tjetrit. Ndaj dhe nuk mundtë vazhdohet më tutje me praktikën, sipas së cilës tatimet përcaktojnë akcizë tjetër. Kjo nuk ,mjafton dhe bëjnë të paleverdishëm. Është i domosdoshëm ndëshkimi i atij që do të shpërndajë blozë dhe squfur për mushkëritë  e qytetarëve shqiptarë, jashtë standardeve të lejuara.

Taksa e makinave të përdorura duhet të shqyrtohet, sepse ajo faktikisht ka bllokuar tregun e tyre brenda vendit. Pra duhet të bëhet një ri shqyrtim i qëndrimit. Nuk them që ne të zbusim qëndrimin sepse ato faktikisht funksionojnë, se nuk shiten me atë taksë, se ne kemi bllokuar vetëm shitjen  e tyre, por nuk kemi pse ta bllokojmë shitjen brenda vendit, pra së bashku me ministrinë  e punëve publike me drejtoritë përkatëse të ulemi dhe të gjemë një modalitet tjetër që edhe mjedisin ta respektojmë , edhe tregun ta respektojmë. Sepse ne se dikush  e ka makinën dhe do të blejë një të re, ai nuk e shet dot, pra  e dekurajojmë. Faktikisht ne, me ata taksë dhe qytetarët e kanë ngritur me shumë insistim dhe unë mendoj se ka vend që kjo të rishqyrtohet edhe njëherë, pra të respektojmë ambientin, por të gjemë mënyrën që edhe tregun e tyre ta respektojmë.


02/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›