Kryeministri Berisha merr pjesë në prezantimin e studimit për erozionin detar dhe mbrojtjen ndaj tij
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në prezantimin e studimit “Për gjendjen e erozionit detar dhe përcaktimin e masave për mbrojtjen ndaj tij”, të hartuar nga grupi i punës, i ngritur për këtë qëllim, sipas një urdhri të kryeministrit muajin e kaluar.
Grupi i punës, i drejtuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit përbëhet nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Ministria e Turizmit,Kultures,Rinise dhe Sporteve, Ministria e Financave, Shërbimi gjeologjik shqiptar, Universiteti Politeknik i Tiranës, si dhe ekspertë të tjerë të fushës, nga institucione të ndryshme.
Pas prezantimit të studimit nga specialistët përkatës, kryeministri Berisha mori fjalën duke përgëzuar grupin e punës për studimin serioz të realizuar për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, siç është gjendja e erozionit detar dhe masat për mbrojtjen ndaj tij.
Duke e cilësuar erozionin si sëmundjen më të rëndë të tokës, kryeministri u shpreh se ky fenomen paraqet një situatë realisht emergjente në brigjet e vendit, e cila kërcënon qindra dhe mijëra kilometra katrorë tokë, vlera të mëdha historike, zhdukje të plazheve tradicionale.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që me urgjencën më të madhe të bllokohet çdo veprimtari kërcënuese për shtretërit e lumenjve, si dhe kërkoi nga ministritë përkatëse, që të merren masat për pezullimin e çdo leje dhe çdo aktiviteti që ndikon negativisht në problemin e erozionit.
Gjithashtu, kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që Ministria e Mjedisit të parashikojë me përparësi absolute pyllëzimin sa më intensiv të vijës bregdetar, si dhe në bashkëpunim me komunat, qarqet të përcaktohen me përparësi të madhe mbjellja e kultivimi i drurëve, të cilët presin këtë fenomen.
Kryeministri garantoi se qeveria do ta marrë këtë studim , do ta vlerësojë dhe do ta shndërrojë atë në një program pune për të nisur në bashkëpunim me hartuesit, sa më parë zbatimin e tij.
Më tej në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dua të përgëzoj grupin e punës për paraqitjen sot të një studimi realisht serioz, për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, gjendjen e erozionit detar dhe masat për mbrojtjen ndaj tij. Falënderoj të gjitha institucionet, universitetin politeknik dhe institucione të tjera , të cilat në një bashkëpunim të ngushtë njëri me tjetrin paraqesin sot një studim të çmuar, një studim i cili na jep ne gjendjen reale të këtij fenomeni me pasoja thellësisht negative, në bregun shqiptar, me pasoja gllabërimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës, kërcënimin e zonave të tëra me përmbytje.
Erozioni është një kanceri më i egër i tokës. Kudo ai ka një fuqi shkatërrimtare dhe për fatin tonë në Shqipëri gërshetohen dy faktorë, së pari një sipërfaqe toke jo kaq e bollshme dhe së dyti një proces eroziv shumë agresiv. Grupi i punës u krijua për të trajtuar problematikën e madhe të erozionit në bregun Adriatik të vendit. Mendoj se ky grup se ka bërë një punë shumë serioze, me ndarjen në territore të caktuara, një ndarje kjo e domosdoshme edhe për rekomandimet specifike, por zotërinj të pranishëm në këtë takim, studimi është një thirrje emergjente. Ai paraqet një situatë realisht emergjente në brigjet e vendit, e cila kërcënon qindra dhe mijëra kilometra katrorë tokë, vlera të mëdha historike, zhdukje të plazheve tradicionale.
Dy ditë më parë isha në Patok. Ne ndërtuam rrugën , në kuadër të asfaltimit të të gjitha rrugëve që shkojnë drejt detit. Por, atje vizitori gjen një situatë tepër shqetësuese. Plazhi i asaj zone ka përfunduar ndofta në 100 apo 150 metra në thellësi të detit. Në tërësi ultësira bregdetare është shumë e kërcënuar, në radhë të parë e kërcënuar nga njeriu, dora dhe veprimtaria keqbërëse e tij, sidomos në rrënimin e derdhjeve të lumenjve , por dhe në shkatërrimin e pyjeve, prita shumë të rëndësishme dhe ndërtime të tjera.
është e domosdoshme që me urgjencën më të madhe të bllokohet çdo veprimtari kërcënuese për shtretërit e lumenjve që nuk janë të pakët në këtë zonë, nga Buna, Mati, Ishmi, Erzeni , Vjosa, Shkumbini , pra derdhjet në këtë vijë bregdetare te lumenjve janë të shumta. Sistemet e mbrojtjes jo vetëm që nuk ekzistojnë por janë instaluar sistemet e shkatërrimit. Ndaj dhe zotërinj ministra të pezullohet çdo leje dhe çdo aktivitet që ndikon në derdhje te lumenjve, që ndikon negativisht në problemin e erozionit. është e domosdoshme që Ministria e Mjedisit të parashikojë me përparësi absolute pyllëzimin sa më intensiv të vijës bregdetare. Në bashkëpunim me komunat , me qarqet duhet të përcaktojmë përparësi të madhe mbjelljen , kultivimin e drurëve , të cilët presin këtë fenomen. Natyrisht masat janë të shumta, por është e domosdoshme që sipas këtij studimi, një institucion i veçantë, apo një institucion për marrjen e të gjitha këtyre masave për mbrojtjen nga erozioni dhe një tjetër për të monitoruar efikasitetin e këtyre masave, por ne pas këtij studimi nuk mund të qëndrojmë më siç kemi qëndruar deri më sot. Jemi para të papriturave. Ngrohja globale është dhe ky një faktor me ndikim të fuqishëm në temperaturën e deteve, shkrirjen e mëdha të akujve, shtimet e ujërave në to, etj. Ndaj dhe siç është përcaktuar në studim duhet të nisi zbatimi i projekteve fillimisht në zonat më të kërcënuara, një bashkëpunim i ngushtë midis Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Punëve Publike, institucioneve akademike të vendit duhet të vendoset dhe të ekzistojë në mënyrë që të shënojë sa më shpejt një kthesë në këtë drejtim.
Duhet një plan veprimi. Mbi bazën e këtyre rekomandimeve duhet të ndërtohet plani i matshëm i veprimit. Duhet të përcaktohen në këtë plan veprimi, zonat që do ndërhyjnë me përparësi. Duhet të përcaktohen mjetet me të cilat duhet të ndërhymë. U bë një studim shumë i mirë. Tani le ta mbajmë të mbikëqyrur me metodat më moderne vijën bregdetare. Le të vendosim ne të shfrytëzojmë të dhënat më precize satelitore apo të tjera apo filmimet periodike, por ne pas këtij studimi duhet të disponojmë bankën e të dhënave më të sakta, të ndryshimeve, të problematikës që krijon erozioni në brigjet tona. Edhe njëherë për fat të keq në Shqipëri është një fenomen pantotemik, një fenomen gjithkund i pranishëm dhe sigurisht ka disa qëndrime ndaj tij, por le të vendosim ne, në pjesën më të kërcënuar, që është bregu Adriatik dhe pastaj të vazhdojmë betejën afatgjatë kundër këtij fenomeni që u merr shqiptarëve më të çmuarën që ata kanë , tokën. Toka është e përjetshme, nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë. Nuk ka asgjë për një komb më të çmuar , me jetike, më të dobishme se sa toka.
është faktor madhor, ndaj dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për ta mbrojtur. Nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë , për t’ia falur, as detit dhe as për ta lënë papunuar. Ne kemi tokë të mrekullueshme, është një nga tokat më cilësore që mund të ekzistojë. Ne duhet ta mbrojmë atë, ta zhvillojmë atë.
Prandaj dhe njëherë dua tu përgëzoj për punën e shkëlqyer , serioze dhe ju garantoj se qeveria do ta marrë këtë studim , do ta vlerësojë dhe do ta shndërrojë në një program pune dhe së bashku me ju do të fillojmë zbatimin e tij.
07/06/2010