Kryeministri Berisha pret një delegacion biznesi nga Polonia, kryesuar nga zëvendësministri i Ekonomisë Rafal Baniak
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion biznesi nga Polonia, kryesuar nga zëvendësministri i Ekonomisë Rafal Baniak. Delegacioni shoqërohej edhe nga ambasadorja polake në Shqipëri.
Zëvendësministri Baniak falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë bërë këtij delegacioni, që kishte ardhur për të marrë pjesë në Forumin e përbashkët të biznesit polako-shqiptar. Ndërsa ne bisedojmë këtu, tha ai, Forumi vazhdon punimet, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të rreth 25 bizneseve polake dhe të dhjetëra bizneseve shqiptare. Qëllimi i këtij Forumi dhe kësaj vizite, theksoi ai, është thellimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Ai vlerësoi si mjaft pozitive faktin se gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e shoqatës më të madhe të biznesit në Poloni do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me Konfindustrian shqiptare
Zëvendësministri Baniak i shprehu Kryeministrit Berisha, në emër të Kryeministrit polak, kënaqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij, për arritjet e Shqipërisë si anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave dhe i garantoi mbështetjen e mëtejshme të Polonisë, e cila vitin që vjen merr kryesinë e BE-së, në rrugën e integrimit europian.
Zoti Baniak përgëzoi gjithashtu, Kryeministrin Berisha për arritjet e gjithanshme dhe në mënyrë të veçantë, ato ekonomike. Ai tha se Polonia në Bashkimin Europian dhe Shqipëria ishin të vetmet vende me rritje ekonomike gjatë krizës botërore, në vitin 2009, përkatësisht Polonia me 1.8 dhe Shqipëria me 3.5 përqind. Ky tregues, tha zëvendësministri polak, është shenjë e qartë e dinamizmit të ekonomisë shqiptare dhe asaj polake, gjë që mund të përbëjë një bazë të fortë për bashkëpunim më të madh. Zoti Baniak i prezantoi Kryeministrit planin ekonomik të zhvillimit të Polonisë, i cili konsistonte në infrastrukturë, përmirësimin e burimeve njerëzore dhe inovacionin në ekonomi, plan, i cili do të financohej nga qeveria polake dhe BE.
Zëvendësministri polak u shpreh se ishte i mahnitur dhe i impresionuar me shpejtësinë e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Katër vjet më parë, tha ai, rruga nga aeroporti nuk ekzistonte, ndërsa sot, kjo rrugë është e shoqëruar me seli biznesesh dhe aktivitetesh të panumërta. Shqipëria ka pasur rezultate shumë të dukshme në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit dhe për këtë nga Banka Botërore u rendit e dyta për nga shpejtësia e zhvillimit, gjë që ka shërbyer edhe si shembull në hapat e ndërmarra për lehtësimin e biznesit në Poloni.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi për kryesimin e delegacionit të biznesit në këtë Forum të përbashkët ekonomik, i uroi mirëseardhjen, duke i shprehur mirënjohjen më të thellë të tijën personale dhe të qeverisë që ai kryeson, ndaj Kryeministrit dhe qeverisë polake për ndihmesën dhe mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë, për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe integrimin europian. Ai i siguroi që këtë ndjenjë miqësie dhe mirënjohjeje ndante edhe gjithë populli shqiptar për popullin dhe qeverinë polake. Marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit me shtetin polak, tha Kryeministri, duhen thelluar më tej edhe në fushën ekonomike. Edhe pse marrëdhëniet bilaterale politike, parlamentare dhe në fushën e shkëmbimeve ekonomike kanë qenë shumë të mira, çuarja përpara e tyre është e rëndësishme për të dy vendet.
Kryeministri Berisha i prezantoi më tej delegacionit polak reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, veçanërisht në fushën ekonomike. Në këtë drejtim, Kryeministri i prezantoi hapat e ndërmarra për përmirësimin e klimës së biznesit si reformën fiskale, reduktimin e burokracisë së biznesit, ligjet që mbështesin biznesin si ai i koncesioneve etj., dixhitalizimin e shumë procedurave dhe i ftoi ata të konsiderojnë bashkëpunimin ekonomik në tre fusha kryesore, në energji, turizëm dhe minerare. Kryeministri theksoi që leksioni i nxjerrë nga kriza ekonomike mbarë botërore për qeverinë e tij dhe me siguri, edhe atë polake, ishte se mbështetja e investimeve private dhe e biznesit në tërësi janë çelësi i suksesit, rritjes ekonomike dhe shëndetit të ekonomisë. Eksperienca e Shqipërisë tregoi që kjo politikë dhe strategji ekonomike ishte e suksesshme. I njëjtë është rasti edhe për Poloninë. Kryeministri Berisha theksoi se ndërtimi i infrastrukturës rrugore, shkurtimi përgjysmë i distancave me Tiranën, si dhe dixhitalizimi i ekonomisë vazhdojnë të mbeten përparësi të qeverisë së tij.
Kryeministri Berisha garantoi edhe një herë përfaqësuesit e bizneseve polake se qeveria e tij do të mbështeste çdo iniciativë investimi të tyre, duke garantuar suksesin.
07/06/2010