E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në pritjen e Presidentit Obama

Kryeministri Berisha mori pjesë, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Barack Obama, në pritjen e organizuar prej tij për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, që marrin pjesë në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.


Kryeministri Berisha zhvilloi një bisedë me Presidentin Obama, i cili tregoi interes për Shqipërinë dhe progresin e saj. Kryeministri e ftoi Presidentin Obama për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën Presidenti e pranoi me kënaqësi.

Kryeministri pati takime edhe me Presidentin e Bashkimit Europian Herman Van Rompuy. Kryeministri e njohu atë me të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet e qeverisë Shqiptare për përmbushjen e prioriteteve per në BE.

Kryeministri gjithashtu takoi Presidentët e Polonisë Bronisłaë Maria Komorowski, Hungarisë Pál Schmitt, Çekisë Vaclav Klaus, Gjeorgjisë Mikheil Saakashvili, Kryeministrat e Britanisë së Madhe David Cameron, Suedisë Fredrik Reinfeldt,  zëvëndës kryeministren e Luksemburgut, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet në rajon. 


Kryeministri ftoi të vizitojnë Shqipërinë Kancelarin e Austrisë Werner Faymann si dhe Ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, të cilët i falënderoi për ndihmën e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë.


Kryeministri pati një takim me kreun e Këshillit të Tranzicionit të Libisë Mustafa Abdel Jalil, të cilin e përgëzoi për përmbysjen e regjimit diktatorial të Gedafit dhe inkurajoi në vendosjen e një sistemi demokratik në Libi. "Ne kemi bërë atë që ju bëtë 20 vjet më parë",  u shpreh Kryetari i Këshillit të Tranzicionit të Libisë.


Gjithashtu, Kryeministri pati takime me Kryeministrat e Bangladeshit dhe Zambias, Presidentin e Timorit Lindor, ministrat e jashtëm të Tunizisë dhe të Uzbekistanit, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Islamike dhe Kryetarin e Ligës Arabe.


22/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›