E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me kongresmenët Engel dhe Crowley

Në vijim të vizitës në New York, Kryeministri Berisha zhvilloi takime me kongresmenin Eliot Engel dhe kongresmenin Joseph Crowley, të cilët ishin të pranishëm në punimet e Forumit të Investimeve SHBA - Shqipëri.


Gjatë takimit me kongresmenin Engel u diskutua për çështjen e njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Kryeministri Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj. 


Kongresmeni Engel e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane në lidhje me çështjen e Kosovës, duke vlerësuar edhe maturinë e qeverisë së saj në lidhje me hapat e ndërmarrë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të saj.


Kryeministri, nga ana e tij, konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.


Duke diskutuar për situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Berisha mirëpriti kthimin e opozitës në parlament dhe shprehu shpresën se opozita do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore dhe do të kontribuonte me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE.


Kryeministri vlerësoi qëndrimet e qeverisë amerikane në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, përfshirë zgjedhjet e fundit të zhvilluara.


Ndërsa gjatë takimit me kongresmenin Crowley u diskutuan çështje të interesit të përbashkët, ku fokus të veçantë patën marrëdhëniet dhe zhvillimi i diasporës shqiptare, veçanërisht në New York. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në zhvillimin e demokracisë. Ai vlerësoi rolin e diasporës shqiptare dhe falënderoi kongresmenin Crowley për mbështetjen e tij personale ndaj saj.


Të dy kongresmenët shprehën dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë.


20/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›