E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri

Së pari, dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithë ju, miqtë e çmuar të vendit tim, gjithashtu miqtë e ardhshëm të vendit tim, të pranishëm këtu. Ndihem shumë i nderuar dhe shumë mirënjohës ndaj të gjithëve ju që keni ardhur për të ndarë pikëpamjet mbi potencialin e Shqipërisë për investimet e huaja direkte.

18 vjet më parë, vendi im ishte i vetmi vend në Europë, ku investimet e huaja direkte ishin të ndaluar me Kushtetutë. Këtë vit, Shqipëria është vendi i vetmi vend në Europën Juglindore me një rritje të qartë, kristal, në investimet e huaja direkte. Për vendin e kombin tim, investimet e huaja direkte janë të një rëndësie të lartë, për të kapur kohën që tmerrësisht kemi humbur. Unë erdha sot, këtu për t’ju takuar e për t’ju ftuar, me një ndjenjë të vërtetë përgjegjësie dhe optimizmi, sepse vendi im gjatë këtyre viteve ka krijuar një mjedis shumë miqësor për ju, për investitorët nga e gjithë bota.

Në vitin 2005, vendi im kishte një fluks prej 38 milion dollarë amerikanë në investimet e huaja direkte, ndërsa vitin e kaluar kishim 1 miliardë 97 milion dollarë amerikanë në investimet e huaja direkte.

Ky progres i detyrohet së pari një përpjekjeje të madhe për ta bërë këtë vend, vendin me miqësor ndaj investitorëve. Ne veprojmë në dy drejtime kryesore: së pari, të lehtësojmë sa më shumë që është e mundur barrën burokratike që bie mbi investitorët, së dyti, të lehtësojmë sa më shumë që është e mundur barrën fiskale për investitorët dhe kështu të krijojmë infrastrukturën më të mirë për të ndihmuar investimet.

Sot, vendi ka një sistem të ri regjistrimi të biznesit, licencave dhe lejeve, i cili është implementuar me shumë sukses, falë ndihmës dhe asistencës së qeverisë amerikane. Në vendin tim, çdokush mund të regjistrojë biznesin në 30 minuta, për një euro. Një sistem i ri licencash dhe lejesh ka hapur një kapitull të ri. Ne hoqëm më shumë se dy të tretat e të gjitha lejeve dhe licencave dhe një të tretën i mblodhëm në një ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat. Një studim i bërë para disa muajsh nga USAID tregon se 97 përqind e të gjithë investitorëve ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me qendrën e re, e cila drejtohej nga znj. Guria, e cila hapi këtë sesion dhe e ktheu qendrën në një histori të vërtetë suksesi.

Investitorët në raste të rralla kanë pasur probleme me pronësinë. Qeveria ime nxori një ligj, që është unik, sipas të cilit, çdo investitor mund të blejë tokën nga individë privatë, bazuar në dokumente origjinale dhe asnjë ankesë nuk mund t’i paraqitet atij, çdo ankesë do të mund t’i paraqitet qeverisë. Dhe në rastet kur ka kundërshti, nuk është më çështje midis investitorit dhe reklamuesit, por midis qeverisë dhe këtij të fundit.

Unë besoj në taksat e ulëta dhe më lejoni t’ju rrëfej historinë time personale. Zoti Podesta, ju thatë se unë jam kardiolog. E vërtetë. Dhe ne nuk dinim asgjë për taksat dhe politikat fiskale 30 vjet më parë. Por unë jam lexues i vëmendshëm i Ronald Reagan. Reagan ka shkruar libra frymëzues, të cilët unë i kam lexuar që në atë kohë. Paraja në llogaritë e personave private është shumë më e vlefshme se në arkën publike. Kështu, ne vendosëm në atë periudhë sistemin me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe me gjasë një ndër më të ulëtit në botë. Dhe e pashë vendin tim të rritej. Në vitin 1992, ne kishim vetëm 240 dollarë amerikanë për frymë dhe në pak vite, ne u listuam me 820 dollarë për frymë. Me rikthimin në pushtet në vitin 2005, iu ktheva besimit tim të vjetër për taksat e ulëta. Ndaj ne zvogëluam numrin e taksave të pronës nga 25 në 10, taksën mbi të ardhurat personale nga 23 në 10, kontributet e sigurimeve shoqërore nga 32 në 15 përqind. Ne ulëm dhjetëra taksa në një euro ose i zeruam. Kjo politikë fiskale ishte një liri fiskale dhe në vend që të kishim ulje në të ardhura, gjë për të cilën unë isha i përgatitur, - sepse besoj në teorinë se paraja ka vlerë në llogaritë private - ndodhi e kundërta. Të ardhurat nga taksat dhe doganat ne vitin 2009 ishin 118 miliardë, ndërkohë që në vitin 2004 ishin 97 miliardë. Ne kemi siguruar tokën, cilido qoftë qëllimi i përdorimit, për industri, turizëm, bujqësi, etj, e gjithë kontrata është për një euro, për 99 vjet.

Fal ndihmesës  së USAID arritëm të bëhemi vendi i parë në botë me prokurime 100 përqind elektronike.

Në mënyrë që potencialet e vendit të bëhen sa më të shfrytëzueshme nga investitorët, ne bëmë përpjekje shumë të mëdha për të ndërtuar një infrastrukturë të re. Në 5 vite ne asfaltuam dhe ndërtuam më shumë se 8000 kilometra rrugë. Shqipëria, së shpejti do të ketë infrastrukturën më të re dhe më moderne  në rajon. Investitorët dhe qytetarët nga çdo cep i Shqipërisë do te mbërrijnë në Tiranë në një kohë të paktën 60% më të shkurtër se më parë. Në kishim një nivel shumë të ulët të penetrimit të ICT, prandaj shpallëm si një prioritet madhor “Shqipërinë dixhitale”. Në pak vite, nga 2007 deri në vitin 2010, ne kaluam nga 4.8 përqind e penetrimit të internetit, në 50 përqind. Ne po punojmë fort për shtrirjen e internetit me bandë të gjerë, duke u përgatitur për një ndryshim të ri, për të arritur mesataren europiane.

Sistemi bankar në vendin tim është shumë i qëndrueshëm. Guvernator Fullani ka bërë një punë të shkëlqyer. Së bashku me koleget ka arritur të përballojë me sukses krizën më të tmerrshme në Europë dhe në botë.

Vullneti ynë është i patundur për të përmirësuar më tej klimën për ju, për projektet tuaja. Për çdo  lajm që vjen nga media botërore për efektet e krizës nëpër botë, u them bashkëpunëtorëve dhe ministrave të mi se si të mund të shohim me përparësi të përmirësojmë klimën e biznesit. Tani po punojmë shumë për një sistem të ri të regjistrimit. Ne po përpiqemi të renditemi krahas me vendet e OECD, ndonëse nuk jemi një vend anëtar i OECD.

Për sa i përket arsimit, 70 përqind e nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin universitetin. 90 përqind e atyre që mbarojnë shkollimin e detyrueshëm hyjnë në shkollë të mesme. Ne kemi shtrire internetin në çdo shkollë. Ne po përpiqemi të adoptojmë dhe të mësojmë shumë për edukimin parauniversitar nga finlandezët, modeli i të cilëve është një sukses i vërtetë gjatë viteve të fundit. Duhet t’ju them se disa të dhëna janë shumë inkurajuese. Nxënësit tanë janë shumë të mirë përsa i përket leximit, duke lënë mbrapa shumë vende të zhvilluara në matematikë dhe shkenca. Sistemi ynë i edukimit është jetësor dhe ne do të bëjmë më të mirën. Ne po zbatojmë mekanizma të rinj pranimi në universitet tona, në mënyrë që t’i bëjmë shoqërinë të orientuar drejt cilësisë.

Zonja dhe zotërinj,

Vendi im, kur e shikoni në hartë, është një vend i vogël. Por kur përpiqeni të penetroni më thellë, ju do të gjeni një vend me potenciale të jashtëzakonshëm dhe mundësi të pafundme. Është një “Norvegji e vogël” në rajon, ka një potencial të energjetik të jashtëzakonshëm. Në tre vjet, qeveria ime ka licencuar ndërtimin e  220 hidrocentraleve, 40 prej të cilëve kanë filluar të ndërtohen, të tjerë po ju presin, ato kanë nevojë për financime dhe po presin që ju të punoni së bashku me investitorë të tjerë.

Shqipëria është një vend me diell dhe energjia diellore përbën një potencial të madh.

Vendi im ka një bregdet të gjatë, por gjithashtu është vendi me lartësinë mesatare mbi nivelin e detit më të madhe në Europë, prej 780 metra. Ka potenciale të jashtëzakonshme për platformat e erës, një potencial i jashtëzakonshëm në energjinë e rinovueshme. Pozita gjeografike e Shqipërisë është me mira në rajon, më e favorshmja, 90 kilometra larg një prej tregjeve më gllabërues të energjisë në Europë, Italisë. Ne po trefishojmë konjeksionet e energjisë me fqinjët tanë.

Një tjetër potencial i jashtëzakonshëm i vendit tim është turizmi. Bregdeti i Adriatikut dhe i Jonit janë pothuajse 400 kilometra, që po presin për t’u zhvilluar. Me shumë se 90 përqind e bregdetit është i pazhvilluar. Ju siguroj se kudo që kam qenë, nuk kam parë kurrë një bregdet kaq të mrekullueshme si ai i Jonit dhe Adriatikut. Shqipëria është një vend malor e malet e saj po ju presin. Së shpejti do të aprovojmë një ligj të ri, në bazë të të cilit, investitorët në turizmin e zonave malore do të përjashtohen për 8 vjet nga taksat.

Vendi im është një nga vendet me të pasura në minerale, si në krom, nikel, bakër, hekur, etj.. Jemi një vend i pasur me nafte dhe falë kompanive që po eksplorojnë një nga fushat ekzistuese paraqet një potencial prej 6 miliardë fuçi. Pra, i gjithë vendi do të shfrytëzohet dhe zhvillohet.

Shqiptarët janë njerëz shumë mikpritës dhe turizmi ka pasur një  zhvillim të rëndësishëm. Nga 350 mijë turistë dhe vizitorë që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2005, vitin e kaluar kemi pasur 3.5 milionë turistë dhe një nga arsyet që vendi im tërheq vizitorë dhe turistë është gjithashtu mikpritja e shqiptarëve. Prandaj, ju do të gjeni në Shqipëri njerëz të gatshëm të punojnë me ju.

Dhe si përfundim, do të keni gjithmonë një mik të madh që ju mbështet, që është qeveria shqiptare.

Faleminderit shumë.


19/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›