Kryeministri Berisha merr pjesë në hapjen e punimeve të forumit Klinton, të drejtuar nga ish presidenti i SHBA-ve Bill Klinton
Në vijim të axhendës së aktiviteteve që po zhvillon në New York, Kryeministri Berisha mori pjesë në hapjen e punimeve të Forumit Klinton, i cili drejtohet nga ish presidenti i SHBA-ve Bill Klinton.
Ky forum tre ditor, ku marrin pjesë personalitete të larta të politikës të vendeve të ndryshme, ekspertë të ekonomisë botërore, etj, këtë vit fokusohet në diskutimin e ideve për një rritje të qëndrueshme të burimeve energjetike dhe infrastrukturës, në kushtet e një buxheti të tendosur.
Në panelin e sesionit ishin të pranishëm, Presidenti i Komisionit Evropian Manuel Barroso, Presidenti i Meksikes Felipe Calderon, Presidenti i Afrikes se Jugut Jacob Zuma, Presidenti i Sllovenisë Danilo Turk, kryeministri i Norvegjisë Stoltenberg, Kryeministrja e Bangladeshit etj.
Ne sesionin hapës, diskutimi u fokusua tek ndryshimet klimaterike, ndikimi i tyre në rritje, mbi zhvillimin ekonomik, social, mbi vende te veçanta, ashtu si dhe ne aspektin global dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje, ligjërisht detyruese për reduktimin e ndotjes.
Të gjithë diskutuesit që morën fjalën theksuan nevojën që samiti që do të mbahet në Durban në Afrikën e Jugut të shënojë progres të dukshëm në drejtim të përballimit të kësaj sfide globale.
20/09/2011