Kryeministri Berisha merr pjesë në punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro – Izraelit

- Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrësit izraelitë të investojnë në Shqipëri në fushën e energjetikës, turizmit, minierave, bujqësisë, etj.
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro – Izraelit, e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Në këtë forum të rëndësishëm biznesi, krahas sipërmarrësve nga Shqipëria dhe Izraeli ishin të pranishëm edhe investitorë nga Maqedonia e Kosova.
Duke i shprehur mirënjohje zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Izraelit z. Avigdor Lieberman që solli në Tiranë këtë përfaqësi të sipërmarrësve izraelitë, Kryeministri Berisha i ftoi ata konsiderojnë dhe të investojnë në Shqipëri, pasi qeveria shqiptare do t’i mbështesë ata.
Më gjerësisht në fjalën e tij gjatë këtij Forumi, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zoti Zv/kryeministër Lieberman,
Zoti ambasador,
Kryetar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, të Tiranës dhe Tel Aviv-it.
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Së pari dua të falënderoj nga zemra zv/Kryeministrin Lieberman që ka zgjedhur të sjellë në këtë vizitë miqësore përfaqësues të komunitetit të biznesit të Tel Aviv-it, gjë që e bënë këtë vizitë shumë të rëndësishme.
Midis vendeve tona ka pasur marrëdhënie miqësore 20 vitet e fundit, por në shekuj e mijëvjeçar midis dy vende ka pasur vetëm miqësi dhe mirëkuptim të ndërsjelltë. Dua t’ju siguroj se këtu ju do të gjeni një vend shumë mik, që e konsideron shumë të rëndësishme miqësinë me vendin tuaj. Në kohët e vjetra dhe moderne shqiptarët kanë qenë shumë të ndjeshëm dhe miqësor ndaj komuniteteve çifute në Shqipëri dhe ndaj asaj çfarë u ndodhi atyre në vendet e tjera.
Qeveria jonë dhe ajo izraelite ka punuar për të ndërtuar një kuadër ligjor në lidhje me bashkëpunimin ekonomik. Unë besoj se ky bashkëpunim ka një potencial shumë të madh për tu shfrytëzuar. Ka ngjashmëri shumë të mëdha dhe prioritete në këtë vend që përkojnë shumë mirë me sektorë dhe fusha të ndryshme ekonomike në vendin tuaj.
Shqipëria po punon shumë për të krijuar këtu mjedisin më miqësor për bizneset. Në këtë kontekst, ne jemi vendi me barrën me të ulët fiskale në Evropë. Jemi përpjekur shumë për të hequr çdo pengesë burokratike. Në Shqipëri aplikohet one stop shop për administrimin e bizneseve, one stop shop për licencat dhe lejet. Principi heshtja është pranim aplikohet në masë. Në Shqipëri aplikohet pagesa 1 euro për kontratat për tokën, për ta shfrytëzuar atë për qëllime kulturore dhe industriale.
Ne besojmë dhe kemi shumë besim të vazhdojmë reformat tona për të lehtësuar, për të ndihmuar, për të asistuar bizneset. Para disa muajsh ne krijuam një institucion të ri, AIDA-n, që nisi si Agjencia Shqiptare për Zhvillim dhe Investime. Është modeli më i suksesshëm irlandez. Ne do të bëjmë më të mirën për të asistuar çdo biznesmen. U ndërmor një reformë e inspektorateve që i reduktoi ato nga 36 në 11. Ne po përdorim procedurat dixhitale, taksat elektronike, doganat elektronike dhe shumë procedura të tjera.
Zonja dhe zotërinj,
Në hartë vendi im është shumë i vogël, por ka potenciale të jashtëzakonshme. Ky vend ka të gjitha potencialet për tu bërë një superfuqi e vogël në rajon. Shqipëria është, pothuajse, një Norvegji e vogël në Ballkan. Ka potenciale për 445 hidrocentrale të përmasave të ndryshme, një prej më të mëdhenjve në Evropë, kaskada e Devollit, e cila është duke u ndërtuar. Kompani nga e gjithë bota, përfshi edhe kompani izraelite, po tregojnë interes të madh për të investuar. Qeveria ime ka nënshkruar me sektorin privat kontrata për 220 hidrocentrale, 36 janë duke u ndërtuar, të tjerë po presin për partnerë, investitorë, për të filluar punën në projektet e tyre.
Shqipëria është një nga vendet më me diell në botë. Qeveria ka vendosur të aprovojë kuadrin më të mirë rregullator ligjor për të lehtësuar, inkurajuar dhe stimuluar projektet për energjinë diellore. Vendi ka platforma ere të jashtëzakonshme, me një bregdet të gjatë, të rrethuar nga malet. Energjia e erës, gjithashtu, konsiderohet të gjenerojë më shumë se 1200 megavat. Kompani të ndryshme po e studiojnë këtë fushë. Prandaj, miqësisht, ju ftoj të konsideroni seriozisht investimin në sektorin e energjisë në këtë vend. Tregu është i sigurt. Shqipëria gjendet përballë Italisë, 90 kilometra përmes kanalit të Otrantos, një prej tregjeve më të zhvilluara të energjisë në Evropë. Dhe referendumi i fundit, në të cilin italianët votuan kundër energjisë nukleare, e bënë atë një treg më të zhvilluar. Kabllot nënujore janë të licencuar. Ne jemi duke shumëfishuar linjat në rrjetat elektrike me të gjithë fqinjët.
Vendi im ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Një bregdet të gjatë. Bregdeti i Adriatikut është ranor, ndërsa ai i detit Jon shkëmbor. 92 përqind e saj është për t’u zhvilluar. Turizmi deri tani është bum-i më i madh në vend. Në vitin 2004 gjithsej kishte 300 mijë vizitor dhe turist, në vitin 2010 kishte 3.5 milion vizitor dhe turistë, vetëm në zonat bregdetare. Por, mos harroni, ky është vendi më malor në Europë. Shqipëria ka dyfishin e lartësisë mesatare mbi nivelin e detit në Europë. Malet e shumta, kanë një potencial të jashtëzakonshëm në turizëm. Së shpejti ne do të kalojmë një ligj që do të heqë barrën fiskale për tetë vjet, për të gjithë ata që investojnë në male. Dhe mos harroni, nga Tirana në 40 minuta ju mund të shkoni në male të larta, kudo vendi është malor. Kështu, unë besoj se investimi në turizëm në Shqipëri do të jetë shumë fitimprurës.
Shqipëria është një vend me burime shumë të mëdha minerale. Në malet tona ka rezerva kromi, nikeli, bakri. Kompani izraelite po punojnë me nikelin, bakrin, hekurin dhe me shumë mundësi edhe me arin. Ky është me shumë interes dhe kompani nga Kanadaja, Australia, Izraeli, Austria po punojnë në sistemin tonë të minierave.
Vendi ka tregun më të mirë të punës: njerëz të rinj, të mirë edukuar, të përkushtuar dhe punëtor.
E di që në kujtimet tuaja, dhe jam i sigurt se jo vetëm në kujtimet tuaja por fatkeqësisht edhe në kujtimet e bashkëqytetarëve të mi, është një Shqipëri tjetër, një Shqipëri e së shkuarës. Por Shqipëria sot është një vend krejtësisht i ndryshëm. Ne kemi bërë shumë përpjekje për ta ndryshuar këtë vend. Në vitin 2005 vendi kishte gjithsej 2400 kilometra rrugë të shtruara. Ne shtruam 8000 kilometra të tjera. Ne po punojmë në një sistem rrugësh, me anë të cilit shqiptarët nga çdo cep i Shqipërisë do të mbërrijnë në Tiranë në më pak se 60 përqind të kohës që vinin më parë. Ne punuam shumë për moshën dixhitale. Në vitin 2006 penetrimi i ICT-së ishte 4.8 përqind, ndërsa në fund të viti të kaluar ishte 50 përiqnd.
I gjithë vendi është në ndërtim. Kompanitë izraelite të ndërtimit janë më se të mirëpritura.
Ju keni një traditë të madhe, pothuajse lider, në bujqësi. Ne po punojmë shumë për të shtrirë dhe rinovuar infrastrukturën e duhur. Ka projekte kombëtare në fushën e bujqësisë. Një prej tyre është projekti i ullirit. Vendi ka pasur 5.2 milionë rrënjë ulliri. Ne vendosëm të mbjellim në katër vjet 20 milionë rrënjë. Në fillim kishte shumë skepticizëm, ndërsa sot kemi shifra dhe në më pak se 3 vjet janë mbjellë më shumë se 10 milion rrënjë ulliri.
Kompanitë izraelite mund të përfitojnë. Ata mund të marrin, për 99 vjet, mijëra hektarë për të mbjellë pemë ulliri. Janë shumë të mirëpritur. Ka kompani që kanë marrë deri në 2 mijë hektarë me 1 euro, për 99 vjet.
Vendi im filloi këtë vit një projekt të ri të madh, projekti i arrorëve. Ne jemi vendi i arrorëve, lajthive, gështenjave, arrave, bajameve, lajthive dhe shegëve. Ne kemi qëllim t’i shumëfishojmë në fazën e parë me qindra pemët ekzistuese të arrorëve, të cilat mund të shkojnë kudo. Ju ftoj të investoni në këtë projekt. Unë besoj se Shqipëria është një vend ideal për arrorët. Ju do të keni një sipërfaqe të madhe toke për 1 euro dhe pjesëmarrja në këtë projekt është e një rëndësie të madhe për ne.
Zonja dhe zotërinj,
Këto janë disa nga potencialet që ofron vendi im. Mos harroni se do të keni një mik të vërtetë këtu. Qeveria shqiptare do t’ju mbështesë për t’i kthyer përpjekjet dhe projektet tuaja në histori suksesi.
Edhe një herë, faleminderit zoti Zv/kryeministër që sollët në Tiranë përfaqësues kaq të rëndësishëm të komunitetit të biznesit të vendit tuaj”.
29/06/2011