E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E DEKORIMIT TË DY DREJTUESVE TË REVOLTËS SË “QAFË BARIT”

29 qershor 2011

Të nderuar familjarë të Sokolit dhe Tomës,
Miq e të ftuar,

Ne sot nderojmë dy qytetarë fisnikë, dy malësorë patriotë, dy emra që me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës kanë zënë vend në memorien tonë kombëtare. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja nuk janë thjesht martirë të demokracisë, ata janë më shumë; janë simbole qëndrese, simbole kurajoje, janë simbole të disidencës politike. Jeta e tyre dhe bashkë me to, edhe jeta juaj si të afërm e kolegë, kaloi një kalvar të gjatë dhimbjesh e vuajtjes, presekutimi dhe privimi të lirë nga një regjim i pashembullt në mizorinë e tij. Revolta e “Qafë Barit” dhe shtresa e ish- të përndjekurve politikë i treguan diktaturës se ajo ka burgosur trupat, por jo mendjen dhe shpirtin e tyre.

Si President dhe si qytetar dua të shpreh sot nderimin më të thellë timin personal dhe të Shtetit shqiptar për Sokolin dhe Tomën, për shokët dhe bashkëvuajtësit e tyre në “Qafë Bari” dhe kudo në ish-burgjet politike dhe kampet e internimit. Shteti e shoqëria jonë i kanë përjetë borxh plejadës së nderuar e fisnike të ish- përndjekurve politikë, të cilët pranuan sakrifikimin sublim por nuk u pajtuan me regjimin diktatorial, dhe kështu mbajtën gjallë shpresën e frymëzimin për një Shqipëri demokratike, në të cilën merr vlerë fjala dhe jeta.

Unë i njoh dhe i çmoj lart të gjitha përpjekjet humane tuajat dhe të bashkëvuajtësve të tjerë për fitoren e humanizmit mbi krimin, zbardhjen e së vertetave të hidhura dhe me drejtësi, ecjen drejt pajtimit shoqëror. Për 21 vjet nuk rreshtët së kërkuari për gjendjen e trupave të tyre, por ashtu si ju, edhe sot dy dekada pas rënies së komunizmit kemi ende familje që vazhdojnë të kërkojnë. Kjo tregon se sa barbare ishte diktatura që lamë pas, por edhe sa të dhimbshme kanë qenë pasojat e saj. Unë dua të falenderoj publikisht të gjithë ata individë dhe institucione zyrtare, dhe çdo bashkëvuajtës që me humanizëm e vendosmëri ndihmuan në gjetjen e dy trupave!

Me këtë rast dëshiroj të apeloj të gjitha institucionet shtetërore qëndrore apo lokale, organet e drejtësisë dhe entet e tjera që kanë informacion apo mekanizma verifikimi - të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të gjetur, identifikuar dhe nderuar ashtu siç duhet çdo person të zhdukur dhe individ të ekzekutuar nën regjimin komunist. Shqipëria e shekullit të ri ua ka borxh këtë atyre që sakrifikuan jetën e tyre për demokracinë që jetojmë sot!

Gjithashtu dua të apeloj edhe të gjithë ata persona, të cilët kanë dijeni për vendndodhjen e trupave të varrosur pa adresë, që duke dëshmuar akte pendese dhe humanizmi të ndihmojne familjet e tyre duke u treguar vendndodhjen e saktë. Eshtë e paimagjinueshme që, kushdo që ka qenë dëshmitar, të mos reflektojë sot për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve të cilët ende nuk kanë varrin e të dashurit të tyre. Shoqëria ka nevojë për aktet e tyre të pendesës, çdo qenie njerëzore ka nevojë për të reflektuar mbi plagët e pambyllura të së kaluarës, sado të hidhura qofshin ato. E përsëris, familjet e tyre apelojnë për humanizëm e drejtësi, jo për hakmarrje; ata duan dhe e meritojnë një varr ku të kujtojnë e nderojnë.

Të nderuar miq,

Rasti i gjetjes së dy varreve, por edhe raste të ngjashme të viteve apo ditëve të fundit, na sjellin në kujtesë nevojën e madhe për të mos harruar në asnjë çast të kaluarën e hidhur; për të kuptuar çdo çast rëndësinë që ka forcimi i një shoqërie ndryshe, një shoqërie funksionale dhe demokratike, në të cilën jeta, të drejtat dhe liritë politike të qytetarit janë tërësisht të garantuara dhe ku shteti është gjithmonë në anën e tyre. Ne kemi përgjegjësinë t’u lëmë brezave të rinj një shoqëri të pastër, mbështetur në vlera e parime tek të cilat besojnë, në një të ardhme që nuk mbetet peng apo borxh i të kaluarës.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Sokolit dhe Tomës, dhe i gjithë atyre që u flijuan për një jetë në liri!

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›