E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, (Pas vdekjes)

29 qershor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi dhe dekoroi sot me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (Pas vdekjes), Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, të cilët u ekzekutuan nga regjimi komunist si organizatorët kryesorë të revoltës së të burgosurve politikë në burgun famëkeq të “Qafë-Barit”, në vitin 1984.

Me këtë rast, në mjediset e Presidencës u zhvillua ceremonia solemne e dekorimeve, në prani të ish-të përndjekurve politikë, familjarëve dhe të afërmëve të të dekoruarve, si dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, zoti Aleksandër Flloko, me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për kurajon qytetare, aktet e disidencës antikomuniste dhe guximin e treguar gjatë gjithë veprimtarisë së tij, për sakrificën sublime në organizimin dhe drejtimin e revoltës së ‘Qafë Barit’”, Kreu i Shtetit, në shenjë vlerësimi të veçantë, u dorëzoi familjarëve të tyre “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Në vijim, Presidenti Topi iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, në të cilën u shpreh se sot po nderohen “dy qytetarë fisnikë, dy malësorë patriotë, dy emra që me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës kanë zënë vend në memorien tonë kombëtare.” “Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, - theksoi Presidenti Topi, - nuk janë thjesht martirë të demokracisë, ata janë më shumë; janë simbole qëndrese, simbole kurajoje, janë simbole të disidencës politike”, ndërsa nënvizoi më tej se “Revolta e ‘Qafë Barit’ dhe shtresa e ish- të përndjekurve politikë i treguan diktaturës se ajo ka burgosur trupat, por jo mendjen dhe shpirtin e tyre”.

“Si President dhe si qytetar, dua të shpreh sot nderimin më të thellë timin personal dhe të Shtetit shqiptar për Sokolin dhe Tomën, për shokët dhe bashkëvuajtësit e tyre në “Qafë Bari” dhe kudo në ish-burgjet politike dhe kampet e internimit” – u shpreh më tej Presidenti Topi, duke nënvizuar se “Shteti e shoqëria jonë i kanë përjetë borxh plejadës së nderuar e fisnike të ish- përndjekurve politikë, të cilët pranuan sakrifikimin sublim por nuk u pajtuan me regjimin diktatorial, dhe kështu mbajtën gjallë shpresën e frymëzimin për një Shqipëri demokratike, në të cilën merr vlerë fjala dhe jeta”.

“Me këtë rast, - vijoi në fjalën e tij Presidenti Topi, - dëshiroj të apeloj të gjitha institucionet shtetërore qëndrore e lokale, organet e drejtësisë dhe entet e tjera që kanë informacion ose mekanizma verifikimi - të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të gjetur, identifikuar dhe nderuar ashtu siç duhet çdo person të zhdukur dhe individ të ekzekutuar nën regjimin komunist. Shqipëria e shekullit të ri ua ka borxh këtë atyre që sakrifikuan jetën e tyre për demokracinë që jetojmë sot!”

Gjithashtu, Kreu i Shtetit bëri apel edhe për të gjithë ata persona, “të cilët kanë dijeni për vendndodhjen e trupave të varrosur pa adresë, që duke dëshmuar akte pendese dhe humanizmi të ndihmojne familjet e tyre duke u treguar vendndodhjen e saktë”. “Është e paimagjinueshme që, kushdo që ka qenë dëshmitar, të mos reflektojë sot për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve, të cilët ende nuk kanë varrin e të dashurit të tyre”, – theksoi Presidenti Topi, duke shtuar se “shoqëria ka nevojë për aktet e tyre të pendesës, çdo qenie njerëzore ka nevojë për të reflektuar mbi plagët e pambyllura të së kaluarës, sado të hidhura qofshin ato”.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i Shtetit, duke iu referuar rasteve të ngjashme të viteve të fundit, vuri në dukje se të gjithë ne, “kemi përgjegjësinë t’u lëmë brezave të rinj një shoqëri të pastër, mbështetur në vlera e parime tek të cilat besojnë, një të ardhme që nuk mbetet peng apo borxh i të kaluarës”.

Ndërsa familjarët e të dekoruarve Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja falenderuan Presidentin Topi për përkushtimin, nderimin dhe vlerësimin e lartë ndaj veprës heroike të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›