E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Liberman

29 qershor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Liberman, si dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte e pranishme Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi si dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i shtetit të Izraelit, David Kohen dhe Ambasadori shqiptar, Bujar Skëndo.

Presidenti Topi, pasi i shprehu urimet Zëvendëskryeministrit Liberman për Festën Kombëtare të Shtetit të Izraelit, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të miqësisë e bashkëpunimit midis dy popujve e vendeve tona, të cilat dëshmohen nga lidhjet historike dhe nga shkëmbimet në rritje të vizitave të niveleve më të larta.

Kreu i Shtetit shprehu besimin në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe duke nënvizuar njëkohësisht edhe nevojën për thellimin e tyre dhe konkretizimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, sidomos në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

Presidenti Topi dhe Zëvendëskryeministri izraelit Liberman, pasi folën edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe rëndësinë e demokratizimit dhe vendosjes së paqes nëpërmjet dialogut, diskutuan edhe për situatën e re gjeopolitike në rajonin e Ballkanit pas krijimit të shtetit të ri multietnik të Kosovës, i cili respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të vet, ku të gjitha vendet e rajonit janë të projektuara drejt integrimit në strukturat euro-atlantike dhe në gjirin e familjes evropiane. Në këtë pikë, Presidenti Topi theksoi se “Kosova është një rast unik, e njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe si e tillë, njohja e pavarësisë së saj nga sa më shumë shtete të botës do t’i shërbente rritjes dhe konsolidimit të paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale.”

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Liberman, shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me Kreun e Shtetit shqiptar dhe shprehu besimin në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok, duke nënvizuar se shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta kontribuon në rritjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit shumëplanësh. Zoti Liberman, i cili shoqërohet në këtë vizitë nga një grup sipërmarrësish të rëndësishëm izraelitë, vuri në dukje se një tregues i rritjes së bashkëpunimit ekonomik ishte organizimi i një forumi të përbashkët sipërmarrësish nga të dy vendet dje në Tiranë dhe krijimi i Grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Izrael.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit Liberman, shprehu gjithashtu besimin se marrëdhëniet shumë të mira e tradicionale të miqësisë do të thellohen më tej, në të mirë të dy vendeve dhe dy popujve tanë në fusha si turizmi, bujqësia, energjitika, teknologjia e informacionit, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›