Kryeministri Berisha merr pjesë në punimet e Konferencës kombëtare “E ardhmja e Industrisë Fason në Shqipëri”

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën e parë kombëtare “E ardhmja e Industrisë Fason në Shqipëri”, organizuar nga Dhoma shqiptare e Fasonistëve. Kjo konferencë synon nxitjen, mirëorjentimin dhe promovimin e instrusisë fasone në vend, rajon e më gjerë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo industri për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Berisha vlerësoi se industria fason është e një rëndësie parësore në vend, zëri kryesor i eksporteve dhe industria kryesore e punësimit. Duke i garantuar për mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se “jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësi për masa të tjera, të cilat do të lehtësojnë barrën, do të rrisin kompaktivitetin, do mund t’ju ndihmojnë ju për mbylljen e cikleve dhe për garantimin e tregjeve”.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Ekonomisë z. Nasip Naço, Përfaqësues të Delegacionit Evropian në Shqipëri, përfaqësues të USAID, të EURATEX, Kooperacione Italiana, nga GIZ, përfaqësues të Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), industrialistë dhe biznesmenë të njohur vendas, por dhe nga Kosova e Maqedonia, etj.
Në fjalën e tij, gjatë punimeve të konferencës, Kryeministrit Berisha u shpreh:
“Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes ju, sipërmarrësve të fasonit në Shqipëri, të përshëndes punëtorët, inxhinierët dhe teknikët tuaj, të shpreh falënderimin tim të madh për kontributin tuaj thelbësor në zhvillimin e vendit. Industria fason është industri e një rëndësie parësore, e cila shoqëron dhe ndihmon Shqipërinë, siç ka shoqëruar vende të tjera, në kalimin e tyre në vende të zhvilluara. Kjo industri për Shqipërinë është dhe zëri kryesor i eksporteve. Në Shqipëri kjo është edhe industria kryesore e punësimit.
Qeveria është përpjekur të krijojë për ju një ambient sa më miqësor të mundshëm. Dhe një prej vendimeve të fundit, që u hoq taksa doganore, u zeruan ato për materialet që ju importoni, mendoj se ka qenë një masë e duhur. Ndërkohë sistemi fiskal i vendit është sistemi fiskal më i favorshëm, sistemi me barrën fiskale më të vogël, me barrën e taksave më të vogël në Evropë. Industria fason është një industri e cila ndijen pasojat e krizës së thellë të borxheve në Evropë dhe në botë. Megjithatë duhet thënë se është një nga industritë që është përshtatur më mirë në periudhën e kësaj krize. Ka arritur të sigurojë tregje me gjithë gravitetin e saj, dëshmi kjo e cilësisë së prodhimeve tuaja. Qeveria shqiptare në këtë periudhë krize beson se rruga më e sigurt për të zbutur pasojat e saj në Shqipëri është zgjerimi i lirive për ju, është përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve për ju. Është biznesi ai faktor që mund të mbrojë Shqipërinë dhe shqiptarët nga pasojat e rënda të kësaj krize evropiane.
Ndaj dhe ftoj ta konsiderojmë këtë konferencë si një debat me qeverinë, një shkëmbim mendimesh me qeverinë, ku ju garantoj se ne jemi të hapur të dëgjojmë me interes të madh sugjerimet tuaja. Jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësi për masa të tjera, të cilat do të lehtësojnë barrën, do të rrisin kompaktivitetin, do mund t’ju ndihmojmë ju për mbylljeve e cikleve, do mund t’ju ndihmojmë ju për garantimin e tregjeve.
Vendi, në zhvillimet e mëdha që ndodhin sot, ia ka dalë të ruajë rritjen ekonomike, të mos bjerë në recesion. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që në një hark kohor gjashtë vjeçar ka trefishuar eksportet e vendit dhe në këtë trefishim industria fason ka pasur dhe ka një rol thelbësor. Shqipëria vitin e kaluar ishte nga të paktat vende me zgjerim të qartë të lirisë ekonomike, e cila njohu një kthim prapa në botë, por që në vendin tonë pati një zgjerim me rreth 16 përqind. Në Shqipëri po punohet intensivisht në mënyrë që juve t’ju krijohen lehtësitë më të mëdha në përballjen me burokracinë e përditshme. Po bëjmë gjithçka që ju të jeni të parët, të përfitoni nga praktika dixhitale. Po punojmë për të krijuar një portal të veçantë të gjendshmërisë së dokumenteve që ju dorëzoni në administratën shtetërore. Do të shqyrtojmë më përparësi propozimet tuaja për t'ju ofruar hapësira në kushtet më lehtësuese, me 1 Euro. Unë u them qeveritarëve vendorë dhe qendrorë se duhet ta aplikojnë sa më shumë këtë iniciativë, se duhet të bëjnë gjithçka për të vënë në dispozicion industrisë fason hapësirat më të mëdha të mundshme që disponojnë, trojet publike, në të cilat ata mund të kenë nevojë për të ngritur fabrikat e tyre.
Ndërkohë qeveria ka ndërmarrë projektet më ambicioze në transformimin e infrastrukturës, çka ju bën juve të mundur të vendoseni dhe në zonat periferike të vendit, ku edhe krahu i punës mund të jetë më i leverdishëm. Sot, në raport me Tiranën, për sa i përket transportit nuk ka një distancë apo dallim të madh midis Kukësit dhe Shkodrës, midis Kukësit dhe Vlorës. Infrastruktura bën të mundur që ju të shqyrtoni me seriozitetin më të madh vendosjen e fabrikave tuaja dhe në zona më periferikë të vendit, çka do të ishte një ndihmë e madhe në luftën kundër varfërisë. E vërteta është se harta e varfërisë në Shqipëri është harta e periferisë së saj veri dhe juglindore.
Edhe një herë dua t’ju uroj sukses dhe t’ju garantoj se do të keni mbështetjen e plotë. Kam kënaqësi se presidenti juaj është njëkohësisht president i bordit të AIDA-s. Pra ju do të keni aty një avokat të vërtetë të të gjitha kërkesave tuaja legjitime.
Ju uroj suksese dhe ju siguroj se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin tuaj, do t’ju mbështesë në mënyrë që historitë tuaja të jenë histori të vërteta suksesi në Shqipëri.
Faleminderit!”
16/12/2011