Intervistë e Kryeministrit Berisha në New York dhënë për “Zërin e Amerikës"
Pyetje: Çfarë kontributi mund të ofrojë një vend i vogël si Shqipëria në këtë debat?
Kryeministri Berisha: Së pari, Shqipëria ofron shembullin e saj, e përzgjedhur si vend pilot në kuadrin e reformës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por edhe në kuadrin e Millenium Challenge Corporation, mendoj se Shqipëria ka qenë e suksesshme në luftën kundër varfërisë. Po të kemi parasysh se në tre vjet 400 mijë qytetarë kanë dalë përtej pragut të varfërisë, kanë kaluar pragun e varfërisë me të ardhurat për frymë, e proporcionuar kjo me numrin e përgjithshëm të popullsisë, është një arritje e konsiderueshme. Shqipëria merr pjesë në operacionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Çad dhe është e vendosur që të shtojë praninë e saj në operacionet paqeruajtëse në kuadrin e kësaj organizate.
Pyetje: Zoti Berisha, sa e dëmton ekonominë e Shqipërisë zhvlerësimi i monedhës së lekut dhe a ishte një keqinterpretim i deklaratave tuaja fakti që solli reagimin e tregut?
Kryeministri Berisha: Realiteti është ky, gjatë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7 deri në 10 përqind, dëbësim i cili nuk është problematik. Përderisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve nuk përbën një problem serioz. Si i tillë, natyrisht ka pasoja negative dhe pozitive. Pasoja pozitive është eksporti, favorizon eksportin. Pasoja negative është së shtrenjton kredinë, por sidoqoftë mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti plotësisht të pranueshëm. Banka e Shqipërisë duhet të vlerësoj këtu, ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi dhe në limitet e kësaj lëvizje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata? Unë nuk mund të përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak imediat. Sepse edhe sikur Shqipëria të dojë, nuk mund ta realizojë dot pa një periudhë të shkurtër kohore.
Pyetje: Ndoshta ishte zgjedhja e papërshtatshme e fjalëve nga ana e juaj?
Kryeministri Berisha: Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, por ishte edhe eko-ja që i dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë bërë detyrën.
Pyetje: Zoti Kryeministër, në Shqipëri duket se ende nuk keni dalë nga situata paszgjedhore, në parlament nuk ndodhet opozita. A është problem për ju që të qeverisni, nëse opozita do të vazhdojë të mungojë?
Kryeministri Berisha: Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë se zgjedhjet në Shqipëri plotësuan për herë të parë angazhimet kryesore të OSBE/ODIHR dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitv. Atëherë, më tutje, zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të pasur dhe, janë të pakta vendet që i kanë të përsosura dhe përsëri arbitri ndëkombëtar ka bërë një sugjerim. Opozita është e ftuar që të ulet dhe unë do t’i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Në rast se opozita përcakton kushte, të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndëkombëtar, zgjedhjet janë sa kombëtare aq edhe ndërkombëtare. Ne nuk mund t’i konfondojmë gjërat. Ndaj edhe unë e mirëpres atë të vijë në parlament. E garantoj atë se sikur ka përcaktuar pothuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi te komisionet, sërish unë i njoh asaj të drejtën dhe përsa kohë unë do të jem në pushtet do t’i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi.
Pyetje: Pra ky është kompromisi që ofrohet pasi opozita ka një numër kërkesash?
Kryeministri Berisha: Më fal, por cila është substancuar, se duhen substancuar. Nëse opozita thotë numërimi, ka një vlerësim të arbitrit ndërkombëtar. Nuk ka të dhëna për parregullësi në numërim dhe manipulim të rezultateve. Ka vërejtjet për numërimin, për pozicionimin,etj. Urdhëro të përcaktojmë rregullat, por duhet të them një gjë, ky ka qenë numërim unik në botë. Eshtë hera e parë në historinë e zgjedhjeve botërore që çdo votë filmohet, fotografohet, transmetohet online në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Atëherë, ka patur problem në vendosjen e njerëzve ose të teknologjisë? Urdhëro të përcaktojmë rregullat se si ta përmirësojmë.
Pyetje: Zoti Berisha, sa herë që vini në Shtetet e Bashkuara, ju i bëni thirrje shqiptaro-amerikanëve që të investojnë në Shqipëri. Por sa janë dëgjuar thirrjet tuaja, a ka shembuj suksesi apo ata ngurrojnë për shkak të imazhit të Shqipërisë, një vend që është ende në tranzicion?
Kryeministri Berisha: Mendoj se në klimën e biznesit janë bërë dhe po bëhen përparime shumë të mëdha. Regjistrimi i biznesit sot bëhet me 1 euro brenda gjysëm ore, nga 4 mijë euro dhe ditë të tëra nëpër gjykata që bëhej më parë. Kemi krijuar “One Stop Shop” për licensat dhe lejet, dhe kemi hequr 2/3 e lejeve dhe të licensave, kemi ndërmarrë një seri masash të tjera dhe po vazhdojmë. Tani një problem mundues që ka qenë për investimet është çështja e pronësisë. Po i jepet një përgjigje shumë e mirë nëpërmjet parqeve industriale. Qeveria po punon me dy nga ekspertët më të njohur në Evropë për investimet e huaja. Do të bëhet një reformë e thellë e Agjencisë së Investimeve të Huaja, do të bëhet një profilizim i ri i diplomacisë shqiptare drejt diplomacisë ekonomike, pra kjo përbën një temë themelore të qeverisë dhe shqiptarët po vijnë dhe po investojnë. A mund të vijnë më shumë? Do të vijnë më shumë.
27/09/2009