Kryetarja e Kuvendit takon ambasadorin e Suedisë, vend i cili ka presidencën e rradhës së Bashkimit Europian.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim zotin Lars Freden, ambasadorin e Suedisë, vend i cili ka presidencën e rradhës së Bashkimit Europian. Duke falënderuar për këtë takim, Ambasadori Freden i bëri Kryetares së Kuvendit urimet më të mira për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që në 28 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira, me një infrastrukturë moderne të aplikuar për herë të parë, e që morën vlerësimet pozitive nga OSBE, KE e insitucione të rëndësishme ndërkombëtare. Procesi zgjedhor në 93 përqind të qendrave të votimin u vlerësua mirë dhe shumë mirë, nënvizoi ajo. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që sistemi zgjedhor dhe Kodi i propozuar nga opozita, ndërtimi i Komisionit Qendror u votuan me konsensus në parlament. Komisionerët e majtë e të djathtë si asnjëherë më parë firmosën në procesverbalet e zgjedhjeve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi në unanimitet rezultatin përfundimtar. Duke theksuar rolin thelbësor të parlamentit si pushteti i drejtpërdrejtë i sovranit, Kryetarja e Kuvendit, e cila në mënyrë të përsëritur ka ftuar deputetët e opozitës të zenë vendin e tyre, nënvizoi se prania e opozitës në parlament është shumë e rëndësishme për vetë opozitën por edhe për vendin. Kryetarja e Kuvendit tha se Parlamenti është vendi i debatit, vendi i negociatave dhe i konsensusit. Katër vitet e mandatit të kaluar janë dëshmi e konsensuseve të mëdha të arritura. Më tej biseda u ndal edhe në liberalizimin e vizave dhe kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Suedisë në afrimin e vendit tonë me Bashkimin Europian.
Kryetarja e Kuvendit përshëndet deklaratën e presidencës suedeze për vlerësimin e zgjedhjeve në Shqipëri.