E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin vjetor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike

- Kryeministri Berisha: Forcat e rendit, me angazhimin, profesionalizmin, kompetencat dhe guximin e tyre kanë bërë që Shqipëria gjithnjë e më shumë të çlirohet nga projektet e zeza të trafikut ndërkombëtar

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në takimin vjetor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, i organizuar nga Ministria e Brendshme.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur në këtë takim:

“Zotërinj ministra,

Zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Zotërinj qeveritarë vendorë,

Drejtues të policisë dhe ministrive në qarqe,

Së pari, dua të përshëndes dhe të përgëzoj forcat e rendit për betejën e tyre të suksesshme, të vendosur dhe të guximshme kundër trafiqeve në tërësi, trafikut të drogës në veçanti. Me angazhimin tuaj, profesionalizmin, kompetencat dhe guximin tuaj, ju keni bërë që Shqipëria gjithnjë e më shumë të çlirohet nga projektet e zeza të trafikut ndërkombëtar dhe gjithnjë e më shumë të konsiderohet një rrugë tejet e rrezikshme për trafikantët rajonalë dhe ndërkombëtar. Në këtë betejë ju ia keni dalë të rrisni me shpejtësi numrin e operacioneve të suksesshme, të penalizoni dhjetëra e qindra trafikantë dhe ia keni dalë të dekurajoni mbjelljen e cannabis sativas në Shqipëri.

Fakti është fakt, ulja e kultivimit është një realitet që progreson nga viti në vit dhe kjo përbën meritë të vërtetë të punës tuaj. Ju keni rritur shkallën e kualifikimit. Efektivat që merren me luftën kundër trafiqeve, mjetet moderne të përdorimit në këtë luftë, vendosja e radarit të detit ka rritur në mënyrë të ndjeshme kompetencën në punën tuaj për kontrollin e hapësirës detare të vendit dhe goditjen efikase të trafikut në detin Jon dhe Adriatik. Pra, mblidhemi sot me një bilanc realisht të suksesshme, për të cilin meritoni përgëzim, por sërish Shqipëria është një vend ku kultivohet droga, kultivohet cannabis sativa dhe kjo përbën një problem madhor. Këto bimë kultivohen në ara. Ka një cikël të vetëm disamujor nga mbjellja deri në korrjen e tyre. Plantacionet e tyre janë po aq të dukshme sa ato të kallamit. Pra, gjithçka zhvillohet në dritën e diellit. Sipërfaqet e mbjella janë reduktuar, por mundësia për të çrrënjosur mbjelljen e këtyre bimëve është reale.

Katër vite më parë ne vendosëm një ligj, i cili është unik në botë. Ky ligj penalizon qeveritarët vendorë kur ata nuk e denoncojnë cannabisin e mbjellë në territorin e komunave ku ata qeverisin. Me ligjin e pushtetit vendor ata janë të zotët e territorit dhe administratorët e territorit të komunave. Megjithatë, pavarësisht reduktimit të sipërfaqeve të mbjella, sërish mbillen bimë narkotike.

Unë do të ndalem në 2-3 momente. Policia është një agjenci e zbatimit të ligjit. Në këtë kontekst, jo se unë dua të lehtësoj detyrimet e të tjerëve, por sërish përgjegjësia më e madhe bie tek ajo, e cila punën e saj duhet ta masë çdo ditë me qëndrimin ndaj ligjit.

Zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Unë ju ftoj të bëni një analizë se sa qeveritarë vendorë keni çuar për ndjekje penale? Në qoftë se ligji ka mangësi urdhëroni ta plotësojmë. Por unë druaj se numri i tyre është i kufizuar.

Së dyti, një punë shumë më e madhe duhet bërë në mbarë vendin për problematikën e cannabisit. Këtë punë duhet ta bëjmë sidomos në këtë periudhë, kur ne kërkojmë heqjen e vizave, kur përgjegjësia jonë është shumë e madhe. Heqja e vizave për qytetarët shqiptarë nuk duhet të parakuptojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë kërcënim të çfarëdo lloj për qytetarët e vendeve që heqin vizat ndaj nesh. Pra, tani kemi të bëjmë me një përgjegjësi tjetër cilësore, shumë më të madhe. Duhet ta shohim vetëm në këtë sens dhe në këtë kontekst përgjegjësinë, qoftë edhe atë personale apo individuale. çdo njeri që i shmanget kësaj detyre, çdo njeri që tregon indiferencë ndaj kësaj detyre, në një mënyrë apo në një tjetër kërcënon një proces jetik për shqiptarët.

Pak ditë më parë takova një grup mjekësh, disa prej tyre miq të mijtë, dhe diskutova me ta përsëri problemin e korrupsionit. Absolutisht, ryshfeti i gjithsecilit rëndon dhe qëndron si shpata e Demokleut në procesin e integrimit të vendit. Po kështu, madje edhe më keq është qëndrimi ndaj mbjelljes së cannabisit. Vërtetë dikush mund të mbjellë dhe mund të fusësh në konto një sasi parash, por ai veten e tij, fshatin, rrethin, qarkun dhe vendin e tij e bën një faktor që të ndëshkohet. Shumë më tepër fitohet duke i shërbyer procesit të integrimit, sesa duke rendur pas parcelave me cannabis. Zotërinj zbatues të ligjit, përgjegjësia është sërish juaja dhe përmbush përdorimin nga ju në shkallën e duhur të penalizmit të të gjithë atyre që e mbjellin.

Unë e kuptoj se ka ngastra që mbillen në një shpat mali, ka lëndina të vogla dhe ju mund të thoni se e kemi të vështirë që tu gjejmë pronarin. Pronari i tyre nuk është i pagjetshëm, ndonëse edhe vështirësia qëndron, por ata që i mbjellin në oborr, ata që i mbjellin në një arë që me tapi dhe pronësi është të dikujt, për ato të nderuar zotërinj, ju keni përgjegjësi. Në mënyrë absolute, nuk ka pse harxhohet fare energji, por formulohet dosja dhe i zoti i tokës apo i shtëpisë dërgohet për ndjekje penale, merret vendimi nga Prokuroria për ndalimin apo për arrestimin e tij dhe ai individ nuk do të kishte alternativë tjetër përveç se të marrë dënimin e merituar.

Zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Unë kërkoj që kjo skemë të aplikohet me rigorozitetin më të madh. Drejtoria e Policisë së Shkodrës, drejtoria e Policisë së Gjirokastër, drejtoria e Policisë në Fier, etj., nuk e kanë kaq të komplikuar. Ai që mbjell cannabis në oborr kryen një krim dhe duhet të përballet me ligjin kudo që të ndodhet. Kjo praktikë nuk ka funksionuar sa duhet. Ne mund ta çrrënjosim cannabisin vetëm e vetëm duke zbatuar me përgjegjësi të plotë ligjin. Unë jam dakord që duhet të bëjmë çdo barrierë të mundshme për farën e cannabisit, ndonëse druaj se edhe atë e prodhojnë diku. Jam dakord të bëjmë të gjitha llojet e përpjekjeve, por përpjekja më e ndershme, më serioze, më pak e kushtueshme është përpjekja e zbatimit të ligjit. Kryetarit të Komunës i thuhet se ne kemi filmuar në komunën tende, janë këto parcela, dhe dosja i dërgohet në Prokurori, sepse nuk ka ardhur për të njoftuar. Kjo, sepse kryetarin e Komunës po ta ftojnë nëpër dasma shkon nga njëri cep i komunës në tjetrin, këtë bën shumë mirë që e bën, por për t’i hedhur një sy apo për të dërguar aty punonjës që të kontrollojnë fushat dhe zonat ku mbillet cannabis e ka pak të sikletshme. Nëse e kanë të sikletshme le të përballen me ligjin. Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë inspektor policie për çdo parcelë.

Zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Kërkoj që këtë vit të hapet një kapitull i ri në luftën kundër cannabisit. Nuk ka pse lodheni fare për të shkuar në komunën Temal, as në komunën çerem, as në Lazarat apo diku tjetër, por e filmoj, përcaktoj autorin, dosjen e dërgoj në Prokurori dhe ai individ deri sa ti përgjigjet ligjit do të mbetet i penalizuar dhe në kërkim. Nëse keni nevojë për filmime të të gjitha llojeve, nëse doni të kontraktojmë mjetet më moderne të filmimit, me satelitet më të ndjeshëm, na thoni t’i marrim t’i filmojmë. Problemi është se ato duhet të përdoren si dokumente për të vendosur para ligjit çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri që në mënyrë absolutë bëhet përgjegjës për të damkosur vendin. Ju them se në kancelaritë e evropiane ka komuna shqiptare që janë bërë të famshme, sepse shkojnë zyrtarët tanë dhe u thonë kjo komunë dhe ajo komunë. Ata u thonë të vërtetën, nuk kanë asnjë tendencë.

Të nderuar zotërinj,

Edhe një herë drejtorët e policisë së qarkut të Shkodrës, të qarkut të Gjirokastrës, të qarkut të Fierit dhe kudo të zbatojnë ligjin. Nuk kemi pse damkosin vendin. Të zbatojmë ligjin ndaj qeveritarëve vendorë, të zbatojmë ligjin ndaj atyre që mbjellin cannabis dhe po ta zbatojmë ligjin nuk i shkon më mendja atyre të mbjellin sërish cannabis. Unë ju garantoj se qeveria është e gatshme të mbështesë komunitetet tuaja me projekte ndër më të fuqishmet.

Zotërinj qeveritarë vendorë,

Angazhohuni në këtë luftë që ne së bashku të investojmë në komunat tuaja për ndryshime rrënjësore të jetës së qytetarëve të tyre. Që sot unë ju deklaroj se do të shpallim përparësi madhore dhe do ta shpërblejmë, sepse ju sigurisht që duhet tu tregoni qytetarëve angazhimin e plotë dhe total të qeverisë në investimet në komunat e tyre në të gjitha sistemet. Ne rroga nuk mund të japim, por ne ngremë infrastrukturë, gremë sisteme vaditje, ngremë ujësjellës. Ne mund të bëjmë shumë për të ndryshuar jetën në këto komuna.

Sikundër, do të përdoret edhe shpërblimi. Ministria të përcaktoje masën e shpërblimit për sipërfaqe të mbjellë për denoncuesit. Ne do ta luftojmë, do ta çrrënjosim dhe jam e sigurt se ju e keni dhe të gjithë vullnetin, të gjitha mundësitë dhe gjithë kurajon për ta bërë këtë. Por, duhet të bashkëpunojmë. Duhet të bashkëpunojë pushteti vendor. Pushteti vendor duhet të kontrollojë territorin e tij. Ne do e filmojmë, do e fotografojmë, por është në meritën tuaj të dëshmoni vullnetin e hekurt që në territorin tuaj të mos ketë asnjë rrënjë cannabis. Kam besim të madh për këtë. Ne jemi para proceseve të mëdha, ndër më të mëdhatë në historinë tonë, procesit të liberalizimit të vizave. Secili prej nesh le të japë kontributin e tij në mënyrë që ky proces të dëshmohet si një proces tërësisht i merituar për shqiptarët.

Faleminderit!”


24/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›