E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zëvendëskryeministrin dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit, z. Rashid Al-Hammad

- Kryeministri Berisha e falënderoi z. Rashid Al-Hammad për ndihmën bujare që Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë që pas rënies së komunizmit, si dhe vlerësoi lart kontributin e Fondit Kuvajtian në financimin dhe realizimin e dhjetëra projekteve me rëndësi

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zv/kryeministrin dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit, z. Rashid Al-Hammad, i cili shoqërohej nga përfaqësues të lartë të drejtësisë kuvajtiane si dhe nga kreu i Shoqatës së Miqësisë Kuvajt - Shqipëri.

Kryeministri u shprehu miqve mirëseardhjen dhe nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite që tregon nivelin e marrëdhënieve dypalëshe.

Nga ana e tij, z. Rashid Al-Hammad e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e përzemërt dhe konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve, e cila do të forcohet më tej nga hapja së afërmi e ambasadave respektive në të dy vendet.

Kryeministri Berisha e falënderoi z. Rashid Al-Hammad për ndihmën bujare që Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë që pas rënies së komunizmit, si dhe vlerësoi lart kontributin e Fondit Kuvajtian në financimin dhe realizimin e dhjetëra projekteve me rëndësi, ku spikat ai i fundit për rrugën e njohur si Boshti i Jugut, një projekt që do të ketë ndikim të madh në ekonomi dhe turizëm.

Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e hapjes së ambasadave përkatëse në të dy vendet si një hap që do të ndikojë jo vetëm në rritjen e marrëdhënieve ndërshtetërore, por edhe atyre ekonomike. Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e investitorëve kuvajtianë në ekonominë shqiptare dhe bëri një ekspoze të potencialit për investim të kompanive kuvajtiane, kryesisht në sektorin e energjisë dhe atë të turizmit.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit z. Rashid Al-Hammad shprehu interes për bashkëpunim të biznesit të të dy vendeve. Vendosja e një linje ajrore direkte, - u shpreh ai, do të ndikonte pozitivisht në këtë drejtim.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e siguroi z. Rashid Al-Hammad për mbështetjen e qeverisë shqiptare për investimet kuvajtiane, si dhe i transmetoi përshëndetjet më të përzemërta për Emirin dhe Kryeministrin e Kuvajtit.


23/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›