E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri merr pjesë në ceremininë e hapjes së kodit postar të Shqipërisë

Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të kodit postar të Shqipërisë.

Në prani të drejtuesve të Postës Shqiptare, punonjësve të saj dhe medias, Kryeministri hapi zyrtarisht kodin postar të Shqipërisë, duke e konsideruar këtë një moment të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit postar në vend.

Kryeministri përshëndeti drejtuesit dhe punonjësit e postës për realizimin e kodit postar dhe zgjerimin e shërbimeve që ofron Posta Shqiptare. Kryeministri siguroi për mbështetjen e qeverisë për përpjekjet e tyre për modernizimin dhe ofrimin e shërbimeve të gjithanshme e cilësore qytetarëve.

Krahas shërbimit postar, Posta Shqiptare ka zgjeruar shërbimet e saj duke ofruar për qytetarët shpërndarjen në shtëpi të pensioneve, pagesat e tatim taksave për biznesin e vogël, pagesat e faturave të ndryshme si ato telefonike, të energjisë elektrike, të ujit etj..

Ndër të tjera, Kryeministri theksoi:

"Është kënaqësi t'ju përshëndes ju këtu, sot, dhe të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë punonjësit e Postës Shqiptarë, të cilët realisht ia dolën që në një kohë të shkurtër të ndryshojnë këtë shërbim jetik të çdo vendi dhe ta shndërrojnë atë në një shërbesë reale për qytetarët shqiptarë.

Kam nder dhe krenari për punën tuaj, për punën po kaq të qytetëruar të policisë dhe të doganave shqiptare në pikat e kalimit kufitar. Askush më shumë se ju nuk është direkt në përballje me shërbimin ndaj qytetarëve. Mirësjellja dhe përkushtimi juaj është vlerë shumë e madhe për të gjithë shoqërinë tonë. Ju nuk keni adaptuar vetëm një sjellje realisht të kultivuar e të qytetëruar, por ia keni dalë, gjatë këtij viti, të zgjeroni spektrin e shërbimeve të shumta ndaj qytetarëve shqiptarë dhe të bëni hapa të tjerë të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit dhe konsolidimit të këtyre shërbimeve.

Sot, ne shpalosëm kodin katër shifror dhe kjo përbën fillimin e një hapi serioz drejt modernitetit të sistemit postar, por edhe drejt modernitetit të vendit.

Përgjegjësia dhe kompetenca e drejtuesve të postës, përkushtimi i punojësve të saj dhe, padiskutim, vëmendja e qeverisë ndaj këtij shërbimi e kanë shndërruar Postën Shqiptare në një shërbim që realisht fuqizohet nga muaj në muaj. Dua t'ju siguroj se qeveria është shumë e vendosur t'ju ndihmojë dhe mbështesë në përpjekjet tuaja për t'u shndërruar në një nga institucionet më moderne të vendit.

Sot, postat janë kudo simbol i modernitetit, teknologjisë më të avancuar dhe shërbimeve më të gjithanshme. Ndaj infrastrukturën që ju trashëgoni ta ristrukturojmë, të investojmë në mënyrë që posta jonë t'u shërbejë qytetarëve shqiptarë me standartet me të mira, natyrisht duke konkuruar plotësisht në një treg postar të lirë, të hapur dhe të liberalizuar.

Ne ecim me shpejtësi në postën elektronike, në informatizimin total të saj, në lidhjet e gjithanshme përfshirë dhe satelitin. Posta nuk duhet të ketë asnjë lloj kufiri në shërbimet e saj ndaj qytetarëve për komunikimin. Posta duhet në çdo kohë të dominojë të gjithë vendin me të gjitha mjetet e komunikimit. Jam i bindur se, në këtë mënyrë siç e keni nisur, ju do ta realizoni edhe këtë shpejt.

Nën shembullin e postës, ne do të ecim në të gjitha aspektet me qeverinë e informatizuar. Shërbime të informatizuara është qëllimi ynë dhe ne do ta realizojmë këtë qëllim. Do të realizojmë regjistrin elektronik të gjendjes civile, regjistrimin dhe informatizimin e të gjitha bizneseve, i cili përfundon shumë shpejt, shpresoj brenda një muaji, do të realizojmë informatizimin e të gjitha pronave të vendit, si dhe do të informatizojmë shumicën e procedurave të shërbimeve. Të gjitha duhet të kenë një terminal në postën e vendit. Qytetarët duhet t'i adresohen postës si vendit më të sigurtë për të gjetur të gjitha të dhënat, për të patur të gjitha shërbimet që ju nevojiten.

Ne jemi të vendosur që shumë shpejt të fillojmë zbatimin e projektit për kartat e identitetit. Midis idesë për pritjen për kompletimin e regjistrit elektronik të gjendjes civile apo fillimit të tyre, çdo ditë e më shumë merr përparësi e dyta. Kartat do të lejojnë më vonë implementimin apo aplikimin në to të të gjithë indekseve të tjerë të rëndësishëm.

Kodi postar që ne marrim sot përbën një detyrim të madh si për qeverinë qendrore edhe për atë lokale për t'iu përgjigjur e modernizuar kështu përfundimisht adresat në qytetet e fshatrat e vendit.

Ju përshëndes për punën e vyer që keni bërë dhe ju siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë në përpjekjet tuaja".

Ndërsa lidhur me lehtësirat që do t'u krijohen të rinjve dhe studentëve për përdorimin sa më të gjërë të internetit, Kryeministri theksoi se "instalimi i internetit pa pagesë është një veprim shumë i mençur dhe i goditur, pasi studentët duhet të lundrojnë në internet dhe koston e lundrimit të tyre ta përballojmë ne. Të jemi të sigurtë se në rast se u krijojmë mundësi fëmijëve, të rinjve dhe studentëve të lundrojnë në internet ne, si komb, do te kemi një përfitim shumë herë më të madh sesa ajo që shpenzojmë për t'u krijuar atyre këtë mundësi. Sikundër shpresoj të keni gjithnjë parasysh se shërbesat janë gjithnjë të atilla, kur ato i kanë çmimet të arsyeshme."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›