Kryeministri Berisha mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaci për ndarjen nga jeta të poetit Ali Podrimja
Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një mesazh ngushellimi Kryeministrit të Republikës së Kosovës zotit Hashim Thaci dhe familjes së të ndjerit, poetit Ali Podrimja, ku i shpreh atyre ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të poetit Ali Podrimja. Kryeministri shprehet se lajmi tragjik dhe shokues i ndarjes nga jeta të princit të poezisë së letrave shqipe, personalitetit të shquar e mendjendritur të kombit tonë, atdhetarit të flakët Ali Podrimja ka sjellë gjemë dhe dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve.
Në mësazhin ë tij kryeministri shprehet:
Lajmi tragjik dhe shokues i ndarjes nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, princit të poezisë së letrave shqipe, personalitetit të shquar e mendjendritur të kombit tonë, atdhetarit të flakët Ali Podrimja ka sjellë gjemë dhe dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve. Me ndarjen nga jeta të Ali Podrimës shqiptarët humbën poetin e tyre më të madh të kohës së sotme, këngëtarin e dhimbjeve dhe vuajtjeve të tyre të mëdha por dhe të qëndresës së tyre legjendare. Mendimi dhe bota intelektuale shqiptare humbën intelektualin luftëtar te pamposhtur të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Zoti e deshi që Ali Podrimja të ndahet nga ne në Paris nga ku u nis për në parajsë për të gjetur dhe për tu bashkuar aty me Lumin, djalin e tij të dashur, duke na lënë si trashigim të pavdekshëm kryeveprat e tij, lirikat e gurta, elegjitë e dhimbjes së madhe njerzore, apoteozën dhe hymnet e qëndresës së pashembullt që do shëndrrisin përjet në kurorën e letrave tona.
Ai lenë për ne krenarinë që patëm një mik, një shok, një vella, prind e bashkeshort, një korife të poezisë dhe letrave tona si ai.
21/07/2012