E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit

20 korrik 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot paradite, uron të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

Në këtë ditë të shënuar të fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj, kudo ku ndodheni, një agjërim të lehtë e të mbarë, duke dëshiruar që ky muaj të sjellë edhe më shumë mirësi, lumturi dhe harmoni në familjet tuaja!

Le të jetë ky muaj i madhërishëm, tregues i dëshirës së madhe e fisnike për të kultivuar e evidentuar edhe më shumë vlerat humane, tolerancën e përgjithshme, respektin e ndërsjellë, dashurinë midis njerëzve dhe gatishmërinë për sakrificë për të mirën e shoqërisë!

Me agjërimin dhe me përkushtim në pastrimin e shpirtit dhe në forcimin e besimit, të gjithë ju, besimtarë myslimanë, por dhe mbarë kombi shqiptar, do të dini të shfaqni si përherë, ndjenjat e larta të tolerancës, solidaritetit, ndihmës e zemërgjerësisë për njëri-tjetrin, si dhe aftësitë e jashtëzakonshme për të ruajtur pasurinë e paçmuar të bashkëjetesës e harmonisë paqësore fetare, e cila është jo vetëm shembull i përkryer e i rrallë botëror i vlerave shpirtërore dhe njerëzore, por dhe shpresë e besim për të ardhme më të mirë e integrim të shpejtë e të merituar në botën e qytetëruar.

Zoti jua lehtësoftë agjërimin dhe ju dhëntë shëndet, forcë e besim për të përmbushur këtë ritual të shenjtë të fesë islame! Ju uroj nga zemra lumturi dhe begati në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!” – theksohet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›