Kryeministri Berisha mirëpriti sot paradite në zyrën e tij një grup senatorësh francezë, anëtarë të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri, të kryesuar nga senatori Bernard Fournier. Kry
Kryeministri Berisha mirëpriti sot paradite në zyrën e tij një grup senatorësh francezë, anëtarë të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri, të kryesuar nga senatori Bernard Fournier.
Kryeministri i shprehu senatorëve mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Shirak, qeveria dhe populli francez i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Francës janë të hershme. Liceu francez në Shqipëri ka kontribuar në formimin e inteligjencës shqiptare dhe trashëgimia e kësaj influence kulturore vazhdon të ndjehet shumë në Shqipëri," u shpreh Kryeministri.
Senatori Fournier falënderoi për mikpritjen dhe shprehu mirënjohjen për miqësinë e ngrohtë midis dy vendeve. "Është kënaqësi e veçantë të ndodhemi në Shqipëri. Shprehim admirimin dhe respektin e senatit francez për kurajën e vendit tuaj drejt rrugës së vështirë te zhvillimit, vendosjen dhe forcimin e demokracisë," u shpreh Senatori Fournier.
Kryeministri u bëri senatorëve një paraqitje të reformave në të cilat është angazhuar qeveria për vendosjen dhe zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformat në fushën ekonomike. Në mënyrë të veçantë, theksoi Kryeministri, integrimi evropian mbetet në qendër të agjendës të qeverisë dhe nënshkrimi MSA-së ka përshpejtuar përpjekjet e qeverisë për reforma në këtë drejtim. Ndihma e qeverisë franceze në rrugën drejt Evropës dhe ratifikimin e marrëveshjes është e çmuar. Kryeministri vlerësoi si një tjetër sukses të qeverisë edhe progresin e bërë në rrugën drejt anëtarësimi në NATO. Mesazhi i Rigës, u shpreh Kryeministri, konfirmon suksesin e reformave në këtë drejtim.
Duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar, Kryeministri theksoi se kjo luftë ka dhënë rezultate dhe është koordinuar me sukses me luftën kundër krimit të organizuar në shkallë evropiane dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, bashkëpunim të frytshëm kemi pasur edhe me Francën, u shpreh Kryeministri, duke siguruar se, ndonëse se kjo luftë është e gjatë, ajo dhe do të vazhdojë pa kompromis.
Kryeministri vlerësoi se një hap i suksesshëm i reformave të ndërmarra është edhe shndërrimi i Shqipërisë në vendim më tërheqës për investimet e huaj, në mënyrë të veçantë tërheqja e vëmendjes së investitorëve francezë. Kryeministri bëri të ditur se hapa konkrete investimesh janë ndërmarrë në këtë drejtim nga kompani ndërkombëtare si në fushën energjetike, infrastrukturë dhe turizëm.
Duke folur për zgjedhjet lokale të 18 shkurtit, Kryeministri vlerësoi se këto zgjedhje janë një mesazh tjetër i faktit që qeveria shqiptare respekton vullnetin e zgjedhësve dhe e konsideron atë të paprekshëm.
Kryeministri dhe delegacioni i senatorëve francezë u ndalën gjithashtu në zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha shprehu falënderimet për kontributin e madh të qeverisë franceze për zgjidhjen e krizës ballkanike. "Qëndrimi i Francës për zgjidhjen e krizës në Ballkan ka një rëndësi të madhe për rajonin dhe përbën një bazë të shëndoshë për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës," u shpreh Kryeministri.
Nga ana e tij, Senatori Fournier shprehu vlerësimet për përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, vendosjen e ligjit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. "Misioni ynë, - u shpreh Senatori Fournier - është t'u japim mesazhe pozitive dhe të vërteta qeverisë dhe popullit francez që Shqipëria tashmë po ecën në rrugën e demokracisë dhe të zhvillimit, që Shqipëria është një vend i bukur, me potencial ekonomik dhe turistik, prandaj duhet ta konsiderojmë dhe promovojmë."
Senatori Fournier u shpreh se delegacioni që ai kryeson do t'i përcjellë senatit dhe francezëve entuziazmin për ndryshimet shumë pozitive dhe rrugën e evropianizimit në të cilën ka hyrë Shqipëria, duke theksuar se "do të sigurojmë francezët që demokracia edhe pse e brishtë po konsolidohet dhe zhvillohet me sukses në Shqipëri. Ndërsa komunitetit francez do t'i transmetojmë klimën e favorshme të biznesit dhe frymën frankofone të shqiptarëve."