Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mesditë në takimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke risjellë në vëmendje procesin zgjedhor të 11 marsit në Shijak, Kryeministri bëri
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mesditë në takimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke risjellë në vëmendje procesin zgjedhor të 11 marsit në Shijak, Kryeministri bëri këto komente:
"Dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht dhe të shpreh urimin për shërim të shpejtë të Marian Saliagës, studentit të fakultetit juridik, i cili, në përputhje me ligjet e vendit, u emërua kryetar i komisionit të qendrës së votimit.
Me urimin për shërim të shpejtë, dënojmë me rreptësinë më të madhe krimin e shëmtuar politik. Breshëritë ndaj Saliagës i shkrehën falangat paramilitare të Edvin Ramës, në prani të dukëve të krimit, të cilët kishin gjetur vrasësin dhe marrë përsipër largimin e tij nga vendi i krimit. Ky është një akt i shëmtuar, e ritheksoj, i realizuar nga falangat paramilitare të Edvin Ramës, sepse projekti është bërë prej tij dhe lejtnantëve të tij të krimit. Dje në mëngjes, Edvin Rama me fletushkën e tij terroriste shpallte luftë në Shijak, luftë për çdo votë dhe, gjatë gjithë ditës, i tmerruar nga pasqyra, nuk doli dot para mediave. Ai kishte frikë pasqyrën, sepse do ta tradhtonte fytyrën e tij, por nuk nxori dot as ‘ali komikët' e tij për të dënuar krimin. Përkundrazi gjeti një prej tyre, të shquar në marrëzi, të deklaronte që Saliaga nuk ishte komisioner dhe nuk kishte të bënte me zgjedhjet. Të vetmin justifikim dhe mbrojtje gjeti t'i drejtohej strofkullës së Sollakut.
Shqiptarët shtrojnë pyetjen, nëse Zoti Rama do të ishte dorë jashtë, çfarë e pengonte të dilte e të dënonte kriminelët. Por ai nuk ishe dorë jashtë, prandaj dhe nuk e dënonte dot një krim të shëmtuar dhe përdori media mafiat e tij për të dezinformuar shqiptarët gjithë ditën, ushtroi terror mbi mediat që kontrollon, të cilat, në një kah dezinformimi, raportonin se këtu është '96, sepse u bojkotua me të njëjtin skenar të vitit '96. Ata bojkotuan, pasi nuk e zhytën dot në gjakderdhje Shijakun, sepse në Shijak mbizotëroi vetëpërmbajtja dhe sensi qytetar, kur u kuptua qartë se dikush synonte të nxiste vëllavrasjen në një ditë me temperaturë jo të zakonshme, siç janë ditët e zgjedhjeve. Qytetarët e Shijakut e mbajnë mend mirë Edvin Ramën duke u thënë se çdo votë për IgliÇelën është votë për Agron Dukën. Jo rastësisht dukët e krimit ishin mbrapa vrasësit dhe vrasësi bodyguard i tyre.
Ne do të bëjmë çdo përpjekje që Marian Saliaga ta kaloi këtë dhe të shërohet. Zoti i shpëtoi jetën, pasi problemi ishte shumë delikat. Gjithashtu dhe çdo përpjekje që kriminelin ta vendosim para ligjit kudo që ai të jetë, sikundër do të vendosen para ligjit dhe ata që e ndihmuan atë. Ata që projektuan krimin i paralajmëroj se askush më rëndë se ata nuk do ta pësojë.
Shqiptarët triumfuan dje me votën e tyre dhe u ngritën mbi skenarin e kobshëm të projektit Rama me paramilitarët e tij. Sot thërrasin për standardet. Pasi shkrehën bateri kallashnikovi, lajnë duart si Pilati dhe thërrasin për standardet. Nesër do të dalin t'i shpallin zgjedhësit e Shijakut si eskimezë dhe jo evropianë, sepse nuk votuan për ta në doktrinën e ideologut të partisë së tyre. Zgjedhësit e Shijakut dhanë një leksion qytetar, ruajtën gjakftohtësinë dhe nuk ranë pre as e aktit të shëmtuar kriminal dhe as e histerisë mediatike të mediave të kontrolluara prej tij, të cilat u përpoqën të nxijnë qëndrimin e tyre qytetar, duke mashtruar dhe dezinformuar sikur në Shijak ç'po ndodhte, në një kohë kur qytetarët votonin me qetësinë më të madhe dhe nuk dëshmonin as edhe një qëndrim tjetër përveç atij qytetar. Ata janë viktima njëlloj si Saliaga, viktima të së njëjtës kupolë, të së njëjtës doktrinë, viktima të krimit. Ishte shumë e shëmtuar të dëgjoje të flitej për incidentin njësoj sikur makina të kishte shtypur një kafshë dhe jo një student në mision, në prani të një ish ministri dhe të një banditi tjetër, vëllait të tij.
Ne duhet të falënderojmë zgjedhësit e Shijakut për mënyrën e qytetëruar sesi e përcollën atë, duke faktuar edhe një herë se vota është më e fuqishme se çdo formë dhunë, faktuan se vota është shumë herë më e fuqishme se krimi i organizuar. Të urojmë gjithashtu zotin Metalla, i cili në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk do të donte të shihte rrugët e qytetit të skuqura.
Qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme. Këtë faktuam më 18 shkurt. Më 18 shkurt zgjedhjet i damkosi Rama, për ata që lexuan raportin. Më 11 mars sërish falangat e tij paramilitare dhe tani thërret për standarde.
Edhe një herë dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e Zotit Rama, falangave të tij paramilitare, luftën e shpallur me fletushkën e tij terroriste, aktin e shëmtuar dhe të përgëzoj qytetarët e Shijakut për leksionin e madh të demokracisë që dhanë."