E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Bruksel për vizitë zyrtare

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha u nis sot me ftesë të Kryeministrit, Yves Leterme, për një vizitë zyrtare njëditore në Mbretërinë e Belgjikës.

Sipas zyrës së shtypit pranë qeverisë Kryeministri Berisha do të pritet nga homologu i tij z. Yves Leterme, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim, ndërsa më pas do të nënshkruajnë marrëveshjen “ndërmjet Mbretërisë së Belgjikës dhe Republikës së Shqipërisë mbi transferimin e personave të dënuar”. Më pas dy kryeministrat do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri Berisha do të pritet në takim nga Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve z. André Flahaut dhe zv/presidenti i Senatit z. Armand De Decker. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha do të firmosë në librin e artë të Parlamentit.
Zyra e shtypit beri të ditur se Berisha do të pritet në një takim të veçantë dhe nga kryetari i Bashkisë së Brukselit z. Freddy Thielemans.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›