Kryeministri Berisha në Fier: Fitorja e Ilir Beles, fitore e luftës kundër varfërisë dhe papunësisë tuaj

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Fierit dhe gjatë një takimi i ftoi qytetarët të votojnë kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këtë bashki, z. Ilir Bele.
Kryeministri u shpreh se Fieri i sotëm nuk është ai që qytetarët duan dhe me fitoren kandidatit të “Aleancës për qytetarin” në katër vitet që vijnë në këtë rreth do të asfaltohet çdo kilometër rrugë, ndërsa qeveria po ndërton në këtë zonë autostradat më të mira, do të nisë bypass-in e Fierit, ka rikonstruktuar dhe po ndërton të gjithë sistemin arsimor, sistemin shëndetësor, kanalizime e ujësjellës.
Duke iu referuar rezervave të naftës në këtë zonë, Kryeministri Berisha u zotua se 25 përqind e të ardhurave do t’u shkojnë qytetarëve të Fierit dhe komuniteteve lokale për jetën e tyre.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Fierit,
Zonja e zotërinj,
I nderuar zoti ministër, të nderuar zotërinj qeveritarë vendorë,
I dashuri zoti Ilir Bele, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Fierit.
Së pari dua t’ju përshëndes përzemërsisht, të përulem me nderim të madh para jush për mbështetjen e madhe dhe për ndihmesën e gjithsecilit prej jush, burrave e grave të Fierit e të mbarë Shqipërisë, në ndërtimin çdo ditë, çdo muaj, çdo vit të ëndrrës sonë të bukur, të Shqipërisë së begatë, të Shqipërisë evropiane, të Shqipërisë së zhvilluar, të Fierit të begatë, të Fierit evropian, të Fierit të zhvilluar.
Kjo fushatë, si çdo fushatë tjetër, ka qenë dhe mbetet një nga universitetet më të mëdha të jetës sime. Unë, kryeministri juaj, vij tek ju si student për tu njohur dhe për të mësuar idetë tuaja, projektet tuaja, përkushtimin tuaj, besimin tuaj. Kudo që shkoj shoh në sytë e qytetarëve të këtij vendi besim dhe shpresë, rrudha dhe djersë, kallo dhe lodhje, dinjitet dhe sukses, të gjitha së bashku.
Qytetare dhe qytetarë të Fierit,
Gjenerata jonë, e cila mblidhet në këtë shesh, e ka të qartë se cilët ishim ne 20 vjet më parë dhe se cilët jemi sot ne, burrat e gratë e këtij vendi, që mbi supet tona, mbi muskujt tanë, mbi mendjen e djersën tonë ngritëm një Shqipëri tjetër. Këto vite ka pasur lumenj djerse, sakrificash, dhembjesh, por edhe mall për vajzat dhe djemtë e larguar. Këto vite fieraket dhe fierakët, shqiptaret dhe shqiptarët, bënë realitet ëndrrat e tyre shekullore. Këto vite Fierin dhe Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e shndërruam në vendin anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe mblidhemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi të sigurt një herë e përgjithmonë. Ne jemi njerëzit e suksesit të madh, sepse ne sot, nga njerëz të rrethuar me tela me gjemba, lëvizim të lirë, me kokën lart e me dinjitet në mbarë Europën. Ne jemi njerëzit e mundimit, të lodhjes, të djersës, të rrudhave, të dhembjeve, të sakrificave, por jemi edhe njerëzit e suksesit sepse ekonominë e falimentuar shqiptare ne e ngritëm në krye të rritjes ekonomike të Europës. Kjo është vepra juaj. Shqipërinë e bunkerëve, Shqipërinë e kasolleve, po e ndërtojmë çdo ditë me Shqipërinë e vilave, me Shqipërinë e autostradave, me Shqipërinë e rrugëve.
Ne jemi njerëzit e mundit, e djersës, e lodhjes, por jemi edhe njerëzit e ngjitjes së shpejtë. Ne jemi ata që në 4-5 vite mbidyfishuam çdo pension të ulët në fshat, në qytet e kudo; mbidyfishuam rrogat ulëta dhe të mesme. Të gjitha këto i realizuam në kulmin e krizës ekonomike evropiane dhe botërore.
Vëllezër e motra,
Në përpjekjen tonë që të gjithë ne bëjmë gabime, por çdo darkë ne shohim pas ditën, ku gabuam, si ta ndreqim, si të ecim më mirë. Jam sot këtu për të kërkuar votën tuaj, para së gjithash dhe mbi të gjitha, që së bashku Fierin e pasurive përrallore, pasuritë e mëdha e të pafundme të këtij rrethi t’i shndërrojmë së bashku në vlera për secilin prej jush. Kudo që të shëtisësh, kudo që të shkosh, në Shqipëri dhe jashtë saj, nuk gjen një rreth të dytë, nuk gjen një qark të dytë, nuk gjen një qytet të dytë me potencialet e jashtëzakonshme të Fierit, me shpirtin punëdashës të fierakëve. Fieri është qarku i burrave dhe grave punëtorë, me një bujqësi ndër më të zhvilluarat. Fieri është rrethi i fushave ndër më të mëdhatë të naftës në Europë. Fieri turistik me brigjet ndër më të bukurat, me Apolloninë kurorë bukurie në Evropë dhe në botë, me Bylisin. Por Fieri sot nuk është ai që ne duam, sepse Fieri është sërish qyteti i rrugicave copë – copë, i rrugicave me baltë; është sërish qyteti me lumin që nuk meriton; është sërish qytet me papunësi; është sërish qytet që në gjirin e tij ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor, artistik, sportiv.
Kryetari i opozitës vjen këtu, ju thotë juve dhe thotë në çdo qytet, se kryetar bashkie ka qenë Sali Berisha. Jo vëllezër, Sali Berisha nuk i shmanget kurrë përgjegjësive të tij. Por kryetari juaj i bashkisë dhe çdo kryetar tjetër bashkie ka në dorë për ju, për fëmijët tuaj, për qytetarët e Fierit, shumë herë më tepër së qeveria qendrore. Qeveria këto 4 vite ka asfaltuar në rrethin tuaj 403 kilometra rrugë, në të katër anët, nga komunat e Mallakastrës që kufizohen me Tepelenën e Beratin dhe deri në kufi me Rrogozhinën. Ju garantoj se katër vitet që do të vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në qytetin tuaj, në fshatrat tuaja, në komunat tuaja. Qeveria po ndërton në këtë zonë autostradat më të mira të vendit, do të nisë bypass-in e Fierit, ka rikonstruktuar dhe po ndërton të gjithë sistemin arsimor, sistemin shëndetësor, kanalizime e ujësjellës. 24 orë ujë për ju, për të gjithë banorët e Fierit, është zotimi i qeverisë. Fieri është vendi i rezervave dhe fushave naftëmbajtëse, siç faktojnë studimet e fundit, ndër më të mëdhatë në Europë. Jam këtu për t’u zotuar se 25 përqind e të ardhurave do t’u shkojë qytetarëve të Fierit për jetën e tyre. Ligji ka filluar të veprojë. 25 përqind e çdo të ardhure nga burimeve pasurore do t’u kalojë komuniteve lokale.
Ne e duam votën tuaj t’i japim përgjigjen më të merituar problemeve tuaja, problemit të punësimit. Një kryeqeveritar vendor asgjë nuk duhet të ketë pasion më të madh sesa punësimin tuaj. Shokët opozitarë këto politika nuk i njohin apo i njohin kokëposhtë. Akti i parë që ata bëjnë është fryrja e aparatit të administratës së bashkisë. Në Tiranë bashkia ka punonjës sa të gjitha ministritë të marra së bashku. Por institucionet shtetërore nuk janë qendra të punësimit. Ato janë qendra të politikës, të cilat hapin të gjitha kanalet e punësimit për qytetarët. Një rrugë është e sigurt për të rrënuar vendin, duke punësuar sa më shumë në bashki apo qeveri. Pra ne duam një qeverisje në të cilën ju, punësimi juaj, interesat tuaja të jenë të parat. Ne duam votën tuaj për të zhvilluar katër vitet që vijnë Fierin modern, Fierin e potencialeve të tij të jashtëzakonshme, industriale, bujqësore, turistike, por mbi të gjitha kulturore e njerëzore.
Nga kjo tribunë unë u bëj një thirrje shumë vëllazërore të gjithë fermerëve të Fierit, Myzeqesë, Mallakastrës e të gjithë fermerëve shqiptarë: le të bëjmë gjithçka për të shndërruar Fierin, për të shndërruar Shqipërinë në ullishtën gjigande, në kopshtin gjigand të Evropës. Kam qenë në komunat tuaja dhe jam gëzuar kur në Strum mësova se fermerët kanë dyfishuar eksportet. Jam i kënaqur, sepse në këtë rreth ne kemi subvencionuar 1300 hektarë, kemi mbështetur rreth 2350 fermerë. Unë zotohem se katër vitet që vijnë do të mbështesim 10 mijë fermerë, do të shumëfishojmë sipërfaqen e mbjellë. Evropën e ndërtojmë ne, burrat dhe gratë që i besojmë njëri – tjetrit, që i besojmë tokës sonë, që i besojmë Zotit, që i besojmë së ardhmes. Nuk na mungon asgjë, kemi gjithçka, kemi guximin, kemi besimin për të ndërtuar Evropën këtu në Fier dhe kudo në Shqipëri.
Qytetare dhe qytetarë të Fierit,
8 maji është dita juaj, dita e njerëzve të lirë, ditë në të cilën çdo qytetar i lirë i këtij vendi nderon lirinë e tij, lirinë e fqinjit të tij, lirinë qytetarit të tij, me votën që përdor dhe zemrën e lirive të tyre. Ndaj dhe ju ftoj që më 8 maj të votoni si qytetarë evropianë, të votoni me besim të madh te vetja, te Fieri dhe Shqipëria. Votoni zotin Ilir Bele, votoni kandidatët e “Alternativës për qytetarin”. Ju garantoj se fitoren e tyre, së bashku me ju, së bashku me qeverinë, do ta shndërrojmë në një sukses personal për gjithsecilin prej jush, për familjet tuaja, fëmijët tuaj, komunitetin tuaj, Fierin në tërësi.
Fitorja e Ilir Beles do të jetë fitore e luftës pa kompromis kundër varfërisë dhe papunësisë, do të jetë fitore për të sistemuar çdo rrugë dhe rrugicë të Fierit, për sistemimin e lumit Gjanica në standardet më të mira, për kujdes më të madh social për fëmijët, për të moshuarit, për të gjithë ata që janë në nevojë. Fitorja e tij do të jetë shpalosja e pasurive tuaja të mëdha shpirtërore e kulturore para Fierit dhe mbarë Shqipërisë; do të jetë shpalosja e aftësive tuaja sportive, pasi më thanë se skuadrën që kur e ka marrë Koçua nuk është atje ku duhet. Gol bën Salihu, jo Koçua. Se fushata me gol filloi.
Ndaj dhe ju ftoj që më 8 maj të votoni Ilir Belen. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, qyteti juaj është i pari, Shqipëria është e para.
Rroftë Fieri!
Rrofshi ju!
Rroftë Shqipëria!
28/04/2011