Kryeministri Berisha në Kavajë: Ftoj mbarë qytetarët shqiptarë të shkojnë drejt zgjedhjeve si qytetarë europianë
Kryeministri Berisha ka vizituar sot Kavajën, në një datë të shënuar për këtë qytet, por dhe për mbarë vendin, qytet i cili 20 vjet më parë u shndërrua në kryeqytetin e lëvizjes së demokracisë shqiptare. Me rastin e 26 marsit, Demonstratës së Parë Antikomuniste në Shqipëri, Ditës së Kavajës, Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurorë në Memorialin 26 Marsi, në bustin e dëshmorit të demokracisë Josif Budo dhe të dëshmorit të atdheut Indrit Cara.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, kryeministri Berisha shprehu nderimin më të thellë për dëshmorin e atdheut Indrit Cara dhe dëshmorin e demokracisë Josif Buda, që siç tha ai, skuqi me gjakun e tij të ri, flijoi jetën, për lirinë e çdo shqiptari.
20 vjet më parë, tha kryeministri, ishit ju qytetarët dhe qytetaret e Kavajës që çliruat të parët qytetin tuaj nga diktatura hoxhiste dhe e shndërruat atë në një kështjellë të pamposhtur të demokracisë shqiptare 20 vite më radhë.
“Sot ne nderojmë martirët e Kavajës, në prag të një ngjarje të madhe, të një fushate te re elektorale të zgjedhjeve te 8 majit. Josif Buda, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Kavajës që 20 vjet më parë u përballën dhemb për dhëmb me diktaturën më mizore në Europë, kishin një ideal dhe ky ishte ideali i votës së lirë. Ata ishin dhe janë sot të vendosur të nderojnë Kavajën, të nderojnë Shqipërinë me votën dhe vullnetin e tyre të lirë. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj mbarë qytetarët shqiptarë të shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si qytetarë europianë”, u shpreh kryeministri.
Kjo fushatë, tha kryeministri, është për qytetarin, për hallet dhe dertet, për rrugët për shkollat për tregjet për kopshtet, për kanalizimet, për rrugicat, për ullinjtë, për fermat, për pensionet dhe rrogat, për lëvizjen e lirë. Kurse fushata tjetër është fushata e karriges dhe vetëm e karriges. Ndaj dhe ne, u shpreh ai, me vullnet me të gjithë përkushtimin tonë, të zhvillojmë fushatën e qytetarit, të hartojmë sëbashku projektin më madhështor që kemi hartuar ndonjëherë për Kavajën, për Durrësin, Rrogozhinën dhe për mbarë Shqipërinë.
“ Ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e dialogut, të debatit e bisedimit. Të hartojmë sëbashku mijëra projekte për të ndryshuar që të gjithë jetën tuaj, jetën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në të katër anët e këtij vendi”, tha kryeministri.
Më gjërësisht, në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kavajës
Vëllezër dhe motra
Zonja dhe zotërinj
Të nderuar prindër dhe familjarë të Josif Budës dhe Indit Carës
Të nderuar qeveritarë vendorë, drejtues të Partisë Demokratike, të Bashkisë së Kavajës, Prefekturës
Së pari le të shprehim ne sëbashku edhe njëherë nderimin tonë më të thellë për birin tuaj , që skuqi me gjakun e tij të ri, që flijoi jetën për lirinë e çdo shqiptari Josif Budës.
20 vjet më parë Kavaja u shndërrua në kryeqytetin e lëvizjes së madhe tw demokracisw shqiptare. Të rinjtë dhe rejat, burrat dhe gratë e saj u angazhuan të në nga betejat më të mëdha, që ky qytet kishte njohur në tërë historinë e tij, në tërë diktaturën më të egër. Ishit ju qytetarët dhe qytetaret e Kavajës, që çliruat të parët qytetin tuaj nga diktatura hoxhiste dhe u shndërrutr në një kështjellë të pamposhtur të demokracisë shqiptare 20 vite më radhë.
Sot ne, nderojmë Josif Budën me një Shqipëri krejt tjetër, nderojmë Josif Budën pasi Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s, nderojmë Josif Budën, pasi shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën. Nderojmë Josif Budën, pasi Shqipëria renditet për mikpritjen dhe bukurinë e saj, në vendin e parë në botë si destinacioni turistik këtë vit. Nderojmë sakrificën dhe flijimin e tij, më të sigurtë se kurrë në udhëtimin tonë të lirisë.
Sot nderojmë Indrit Carën, në një kohë kur ëndrra e tij ka lëshuar shtat në të gjithë Kosovën e lirë dhe të pavarur. Nderojmë Indrit Carën, në një kohë kur Kosova është bërë faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti . Nderojmë Indrit Carën, në një kohë kur kombi është më i bashkuar se kurrë në historinë e tij. Kur Shqipëri dhe Kosova ecin të sigurtë drejt të ardhmes Europiane.
Qytetarë dhe qytetare të Kavajës,
Ne nderojmë sot martirët e Kavajës, në prag të një ngjarje të madhe, të një fushate te re elektorale të zgjedhjeve të 8 Majit. Josif Buda, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Kavajës, që 20 vjet më parë u përballën dhëmb për dhëmb me diktaturën më mizore në Europë, kishin një ideal dhe ky ishte ideali i votës së lirë.
Ata, ishin dhe janë sot të vendosur, të ndërtojnë Kavajën, të ndërtojnë Shqipërinë, me votën dhe vullnetin e tyre të lirë. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj mbarë qytetarët shqiptarë, të shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si qytetarë Europianë. Bijtë e Benalive, Gedafëve dhe Mubarakëve, që përmbysëm 20 vjet më parë, mendojnë se mund të shkelmojnë mbi votën tuaj. Mendojnë se mund të dhunojnë votën tuaj. Ata si besojnë dhe nuk mund t’i besojnë kurrë asaj, sepse nuk kanë interes tjetër përveç karriges së tyre, njëlloj si etërit e tyre. Ndaj dhe 2 vite më rradhë, hodhën në mbarë vendin vallen e kutive, njëlloj si etërit e tyre vallen e busteve të Enver Hoxhës kur ne e përmbysëm atë.
Ndaj dhe sot ata ju thonë shqiptarëve, ju thonë ju kavajasve, fëmijëve tuaj, djemve tuaj, vajzave tuaja, i thonë Kavajës dhe Shqipërisë, ju nuk ekzistoni, po ekziston vetëm karrigia e tij. Ndaj dhe fushata , ju e shihni, qytetarë të mençur të Kavajës. Dy fusha, njëra për qytetari, për hallet, për dertet, për rrugët, për sokaqet, për shkollat, për pallatet, për tregjet, për kopshtet, për kanalizimet, për rrugicat, për ullinjtë , për fermat për ju, për pensionet, rrogat, për lëvizjen e lirë. Kurse fushata tjetër, është fushata e karriges, e karriges dhe e vetëm e karriges.
Ndaj dhe ne, me vullnet me të gjithë përkushtimin tonë, do të zhvillojmë fushatën e qytetarit, të hartojmë sëbashku, projektin më madhështor, që kemi hartuar ndonjëherë për Kavajën, për Durrësin, për Rrogozhinën, për Lushnjën, për Vlorën , për mbarë Shqipërinë.
Ndaj dhe ne do ta shndërrojmë këtë fushatë, në fushatën e dialogut, e debatit e bisedimit, në fushatën me të cilën sëbashku ne të hartojmë mijëra projekte, për të ndryshuar që të gjitha, jetën tuaj, jetën e qytetarëve shqiptare kudo që jetojnë në të katër anët e këtij vendi. Ne, angazhohemi në një fushatë, e cila do të vendosë në epiqendër interesat tuaja më fisnikë, aspiratat tuaja më të mira, problemet tuaja më shqetësuese, hallet dhe dertet tuaja më të mëdha.
Sigurisht Roma në një ditë nuk është ndërtuar, por ju garantoj ju se ritmi i hapit tonë, se ecja jonë në këtë rrugë, në rrugën për të cilën ra dhe fitoi pavdekësinë Josif Buda, Indrit Cara, është i pandalshëm.
Sot kam ardhur këtu në këtë sheh, për të inauguruar pallatin tuaj të kulturës, i cili ka përpara monumentin e fitores suaj, trimërisë suaj, guximit tuaj, nderimit tuaj. Kohë më parë ne inauguruam këtu spitalin ndër më modernët, sot inaugurojmë një pallat kulture, në të cilin djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Kavajës, do të mund të dëshmojnë të gjithë gjeninë e tyre krijuese, dhuntitë e veta artistike, do të mund të shërbejnë me teknologjinë më të lartë, me librat më të mira.
Unë jam i bindur se ,ky pallat do të pasurohet me shpejtësi të madhe, nga krijimet e artistëve, krijuesve të Kavajës, të cilët janë ndër më të talentuarit në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve në këtë qytet dhe rrethin tuaj, investimet janë rritur 26 herë . Janë ndërtuar mbi 100 kilometër rrugë, janë ndërtuar 18 shkolla, 13 sisteme ujësjellës dhe kanalizime, 16 qendra shëndetësore, janë subvencionuar 350 hektarë ullishte, vreshta dhe dru të tjerë frutore.
Unë ju garantoj ju, se gjatë këtij mandati, në këtë rreth do të asfaltohen çdo metër rrugë e rrethit dhe qytetit. Në këtë mandat, qyteti do të ketë të ndërtuar njërin nga tregjet me te mrekullueshme të Shqipërisë së mesme dhe më të pasuarat. Gjatë këtij mandati, do të përfundojë ujësjellësi, i cili po bëhet një nga detyrimet madhore të qeverisë shqiptare ndaj jush dhe të Sali Berishës. 24 orë ujë, ne do të bëjmë çdo gjë, të shndërrojmë, mijëra e mijëra projekte, që do të hartojmë sëbashku në këtë fushatë, në mijëra e dhjetëra mijëra vende pune, për qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj
Kjo është alternativa jonë, alternativë, e cila bazohet në vlerat që ju besoni, bazohet e tëra në interesat tuaja, bazohet në problemet tuaja, bazohet në qëllimin për të ndryshuar për mirë gjithnjë e më shumë jetën tuaj. Bazohet në rritjen e rrogave, në rritjen e pensioneve, në luftën pa mëshirë kundër varfërisë dhe papunësisë.
Krahas kësaj ekziston alternativa e bllokmenëve të rinj, e shpifjes, e trillimit e akuzës, e mashtrimit. Pyesni pak këta shokë, cilat janë zgjidhjet e tyre, i pyesni pak këta shokë , mirë se problemin e paskeni me Berishën se nuk po jua jep karrigen, por karrigen nuk jua jep Berisha ia jepni ju me votë dhe ju nuk jua jepni, dhe ata këtë se kanë kuptuara.
Unë ju garantoj ju, se pas këtyre zgjedhjeve që do të marrin atë që meritojnë, nuk do të thonë se fajin e ka Saliu, po do thonë se fajin e ka populli, sepse nuk i vendosët në karrige. Populli, qytetarët kanë halle të tjera, kanë dëshira të tjera, kanë moral tjetër, kanë të ardhmen që nuk mund tua errësojë askush.
Ndaj dhe le te ecim sëbashku dhe t’i lëmë ata, të kavardisen në akuzat e tyre, me shpifjet dhe trillimet e tyre, kurse ne me djersë me përkushtim dhe ndershmëri, të ndërtojmë vlerat që ju besojmë. Ne, të bëjmë gjithçka, që këto katër vite, të jene vite vendimtare për Shqipërinë vend i zhvilluar, për Kavajën qytet i zhvilluar, për Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara të Evropës dhe Botës
Dhe njëherë mirënjohjen më të thellë, ju qytetarëve të Kavajës për qëndresën, guximin, vendosmërinë dhe kontributin tuaj historik në përmbysjen e diktaturës , mbështetjen e fuqishme të partisë Demokratike , nderimin më të madh bijve tuaj të shquar Josif Budës dhe Indrit Carës , gjaku i tyre është dritë në rrugën tonë të lirisë.
Rroftë Kavaja!
Rroftë Shqipëria!
26/03/2011