E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet 13-vjetorin e çlirimit të Kosovës

12 qershor 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, përshëndeti sot paradite 13-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimin e Kosovës.

“13 vjet më parë forcat ushtarake të NATO-s realizuan çlirimin e Kosovës, duke i dhënë fund periudhës së gjatë të represionit dhe genocidit serb kundër shqiptarëve. Me Marrëveshjen e Kumanovës dhe vendosmërinë e shteteve perëndimore, aleate aktive në operacionet e NATO-s, shqiptarët e Kosovës fituan të drejtën për të jetuar në liri, në barazi, në një shoqëri të re demokratike dhe evropiane.

Regjimi i Millosheviçit dhe mbështetësve të tij realizoi në Kosovë akte dhune e krime të pashembullta kundër qytetarëve të pafajshëm, fëmijëve dhe grave, fshatrave dhe qyteteve, duke provokuar një nga krizat më të mëdha humanitare dhe shfarosëse në historinë e Evropës moderne. 12 qershori i vitit 1999 shënoi fundin e këtij regjimi dhe nisjen e një epoke të re për Kosovën dhe gjithë rajonin. Në këtë ditë në emër të shtetit shqiptar u shpreh mirënjohjen e thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian që u angazhuan në operacionet paqësore në Kosovë. Populli shqiptar do t’u jetë përjetë mirënjohës për kontributin e tyre për paqen dhe lirinë e Kosovës.

Në këtë përvjetor, ne kujtojmë e nderojmë të gjithë ata bij dhe bija atdhetare që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës, nderojmë brezat e luftëtarëve që iu bashkuan qëndresës dhe luftës për çlirim, nderojmë brezat e qytetarëve fisnikë që jetuan e punuan pareshtuar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe evropiane.

Sot Kosova shënon një shembull krenarie suksesi dhe shqiptarët kudo në rajon janë e mbeten një faktor solid për paqen, stabilitetin dhe demokracinë. Gjatë këtyre viteve, me përpjekje të mëdha dhe përkushtim qytetar, banorët e Kosovës ia dolën të krijojnë shtetin demokratik më të ri në Evropë, ku jetojnë në liri dhe harmoni komunitete të ndryshme etnike e fetare, ku respektohen e garantohen të drejtat e njeriut dhe ku vepron rendi kushtetues evropian.” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›