Kryeministri Berisha në Krumë: Të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar
Kryeministri Berisha ka vijuar sot turin elektoral në qarkun e Kukësit. Fillimisht, Kryeministri u ndal në Krumë dhe në një takim me banorë të kësaj bashkie shprehu vlerësim e mbështetje për z. Bardhyl Peka, kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të kësaj bashkie.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë që gjatë katër viteve që vijnë do të investojnë çdo projekt për të pasur në këtë bashki shërbime të standardeve evropiane. “Sot unë kam një lutje për ju, banorë të Hasit dhe për çdo shqiptar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur e më madhështor të Evropës”, u shpreh Kryeministri.
Më gjerësisht në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar banorë të Krumës,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Zonja e zotërinj,
Së pari dua të përulem me shumë mirënjohje, me respekt dhe nderim për secilin prej jush, para hasjanëve dhe hasjaneve kudo që janë sot, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme që i kanë dhënë Partisë Demokratike nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme. Ju garantoj se mbetem gjithnjë mirënjohës dhe i detyruar ndaj jush. Kam kënaqësinë, gjithashtu, të paraqes sot këtu për qytetar të parë të Krumës, kryetarin tuaj të bashkisë, një nga qeveritarët vendorë më të suksesshëm, më të aftë, më të përkushtuar të Partisë Demokratike.
Vij këtu tek ju për t’ju dhënë fjalën time se në katër vitet që vijnë në këtë qytet dhe në këtë rreth do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht, në mënyrë që ju të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane dhe fëmijët tuaj të mësojnë në shkolla e kopshte të standardeve evropiane. Në këtë qytet dhe në këtë rreth do të investojmë për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe kanalizime në të katër anët e Hasit, në mënyrë që ju, aty ku jetoni, të keni infrastrukturë të njëjtë me qytetin dhe që fshatrat tuaja t’i keni të zhvilluara njëlloj si fshatrat evropiane.
Vëllezër e motra,
Bardhyli numëroi këtu një seri investimesh, deklaroi se ne kemi shumëfishuar investimet në rrethin e Hasit. Këtë ne e kemi bërë dhe e bëjmë kudo në Shqipëri. Zotimi ynë solemn është që shqiptarët të kenë infrastrukturë evropiane, të kenë rrugë, shkolla, drita, ujë e kanalizime njëlloj si qytetarët e tjerë të Evropës. Evropën në Shqipëri do ta ndërtojmë ne, burrat e gratë, djemtë e vajzat, që hodhëm mënjanë diktaturën më të egër; do ta ndërtojmë ne, burrat e gratë, djemtë e vajzat, që u ngritëm nga hiri dhe sot ecim të sigurt drejt të ardhmes që meritojmë; do ta ndërtojmë ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO; do ta ndërtojmë ne që lëvizim pa viza; do ta ndërtojmë ne që asfaltuam 8 mijë kilometra rrugë; do ta ndërtojmë ne që dyfishuam rrogat e pensionet. Ne ndërtojmë të ardhmen, ndërtojmë Evropën në Shqipëri. Ne jetojmë në një komb e në tokë të bekuar. Zoti dhe natyra nuk ka bërë një vend tjetër si Shqipëria, të pasur me burime ujore, të pasur me diell, një tokë pjellore e me minerale të pafundme. Sot unë kam një lutje për ju, banorë të Hasit dhe për çdo shqiptar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur e më madhështor të Evropës.
Zoti kryetar i bashkisë dhe kryetarë të komunave,
Le të dalim ne nga kjo fushatë me zotimin solemn para vetes, para banorëve të Hasit, se në katër vite Hasi do të jetë rreth i zhvilluar, se Kruma do të jetë qytet i zhvilluar; se në këto katër vite do të fillojmë ndërtimin e kopshtit më të bukur e më madhështor në Evropë, të mbjellim në çdo skaj e në çdo cep qindra – mijëra dru frutorë.
Zotërinj kryetarë të komunave, të dashur qytetarë,
Le ta qëndisim ne Shqipërinë me pemët më të mira. Le të mbjellim ne miliona rrënjë arra, lajthi, gështenja, mollë. Pranverat që vijnë do ta gjejnë Hasin, do ta gjejnë Shqipërinë, të veshur me lulet e kopshtit më të bukur. Ju garantoj se qeveria do t’ju paguajë çdo fidanë, do t’ju mbështesë juve fuqishëm. Dua t’ju them se në këtë periudhë fondet e mëdha shkojnë në rrugë dhe janë asfaltuar 8 mijë kilometra, kemi për të asfaltuar edhe 4 – 5 mijë kilometra të tjera, shkojnë në ujësjellës, në shkolla, por është shumë e afërt dita kur fondet e mëdha do të jenë për Shqipërinë kopshti më i bukur e më madhështor në Evropë.
Qytetare dhe qytetarë të Krumës,
Kjo është alternativa jonë, alternativa e mundit, e djersës, alternativa e burrave dhe grave punëtorë, që punojnë nga mëngjesi në darkë; alternativa e rinjve dhe të rejave që punojnë e mësojnë; alternativa e njerëzve që i besojnë njëri – tjetrit; alternativa e njerëzve që i besojnë Zotit; alternativa e njerëzve që i besojnë vendit të tyre; alternativa e atyre që pranojnë të djersinë për të ardhmen e tyre. Alternativa jonë është alternativa e interesave tuaja, e halleve tuaja, e projekteve tuaja, e rrugëve tuaja, e shkollave tuaja, e kopshteve tuaja, e pronave tuaja, e prosperitetit dhe pasurimit tuaj. Ndaj le të bashkohemi në këtë alternativë. Në këtë shtëpi ka vend për çdo qytetar shqiptar, hasjane dhe hasjan.
Le të votojmë më 8 maj për Bardhyl Pekën, për kandidatët e “Aleancës për qytetarin”. Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parat, Hasi është i pari, Kruma është e para, Shqipëria është e para.
Rrofshi ju!
Rroftë Hasi!
Rroftë Shqipëria!”
27/04/2011