E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qytetarët janë arkitektët e alternativës sonë, mbështetja e tyre vendimtare për reformat e qeverisë

-          Do të bëjmë çdo gjë që pasuritë e mëdha të nëntokës dhe mbitokës së Pukës të shndërrohen në vlera për qytetarët e saj

-          Pukën do ta shndërrojmë në një nga trevat më të rëndësishme të turizmit malor dhe një nga rrethet më tërheqëse për investimet e huaja

Kryeministri Berisha, përshëndeti sot paradite, tubimin e organizuar me qytetarë të bashkisë së Pukës, gjatë të cilit vlerësoi dhe mbështeti kandidaturën e zotit Beqir Arifaj, si kryetar bashkie i qytetit, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për qytetarin”.

Kryeministri premtoi se gjatë 4 viteve që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë e këtij rrethi nga Fierza deri në Koman, si dhe do lidhet çdo komunë e këtij rrethi me rrugë të asfaltuara, me rrugën kombëtare.

Kryeministri u shpreh se do të jenë të shumta projektet që do të promovojnë Pukën turistike, me bukuritë mahnitëse që e rrethojnë, duke e shndërruar atë, në një nga trevat më të rëndësishme të turizmit malor.

Kryeministri përmendi se në rrethin e Pukës, këto vitet e fundit janë  investuar në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, shkolla, çerdhe, shërbim shëndetësor, ferma,etj,  mbi 22 milion dollarë, duke premtuar se gjatë 4 viteve që vijnë do të gjashtëfishohen investimet në rrethin e Pukës.

Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve pukjanë, kryeministri u shpreh:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të  bashkisë Pukë,

Pukjane dhe pukjanë,

Vëllezër dhe motra,

zonja Kryetare  e Parlamentit,

zoti deputet i Pukës, zotërinj qeveritarë vendorë

Së pari, një urim të përzemërt vëllazëror për Pashkët, gëzuar festën, gëzuar Pashkët,

Së dyti, një mirënjohjet thellë ndaj jush, ndaj të gjithë banorëve të këtij rrethi për mbështetjen e madhe që i keni dhëne PD që nga themelimi i saj e deri më sot, mbështetje  e cila ka qenë jetike për të gjitha arritje që bashkërisht kemi shënuar në rrugën tonë të lirisë.

Por unë jam sot këtu, për tu zotuar solemnisht para jush se suksesi personal të intelektualit tuaj të shquar, të qytetarit tuaj shembullor zotit Beqir Arifaj, në datën 8 maj, së bashku me Beqirin dhe deputetin tuaj Parruca do ta shndërrojmë në një sukses të gjithsecilit prej jush, për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për komunitetin tuaj, për Pukën në tërësi.

Në rrethin tuaj, përfshi bashkinë Pukë, këto vitet e fundit ne kemi investuar në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, shkolla, kopshte,çerdhe, shërbim shëndetësor, ferma, mbi 22 milion dollarë. Ne kemi asfaltuar rrugë, kemi ndërtuar ujësjellësa, kemi rindërtuar shkolla, por unë jam sot këtu, për tu angazhuar para jush, se me zotin Beqir Arifaj dhe me zotërinjtë kryetarë bashkie dhe komunash të të këtij rrethi, gjatë 4 viteve që vijnë do të gjashtëfishojmë investimet në rrethin tuaj.

Gjatë 4 viteve që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi nga Fierza deri në Koman, do lidhim çdo komunë të këtij rrethi me rrugë të asfaltuara, me rrugën kombëtare. Do të ndërtojmë ujesjellesa në Pukë e kudo për ujë 24 orë. Do të rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla të standardeve evropiane. Do të bëjmë gjithçka për Pukën turistike, Pukën  e bukurive mahnitëse. Do të bëjmë çdo gjë që pasuritë  e mëdha nëntokës dhe mbitokës së këtij rrethi të shndërrohen në vlera për qytetarët e saj.

Vëllezër dhe motra,

Rruga jonë e lirisë nuk ka qenë një rrugë  e lehte, nuk ka qenë një fushë me lule, ka qenë rrugë me mund e djersë, me sakrifica e përkushtim. Por sot mblidhemi këtu së bashku, në këtë shesh, sot ulemi me miqtë për të pirë një kafe dhe  shohim drejt në sy njeri-tjetrin. Të gjithë ne jemi njerëz të suksesit, sepse ne së bashku në rrethana  më të vështira se çdo komb tjetër  ia dolën që Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit ta vendosim në Aleancën e Atlantikut  të Veriut, aleancën më të fuqishme të kohërave. Ne jemi njerëz të suksesit sepse ne së bashku ia dolëm që deri dje, qytetarët e një vendi të shkëputur nga bota, të rrethuar me tela me gjemba, të lëvizin sot, në mbarë Evropën, pa viza. Ia dolëm së bashku që Shqipëria, deri dje, vend i panjohur në hartën  e botës, për sa i përket turizmit, këtë vit të shpallet  e “bukura  e dheut”, destinacioni turistik kryesor.

Së bashku, ia dolëm që ekonominë shqiptare, një nga ekonomitë më të falimentuara të globit ta vendosim në krye të rritjes ekonomike të Evropës, për tre vite me radhë. Ia dolëm të luftojmë varfërinë më me eficencë se askush tjetër. Nga 18 % që ishte në vitin 2005, zbriti në 12 % në vitin 2008 dhe vazhdon të zbresë. Ia dolëm në këto vite që këtu në Pukë dhe në mbarë Shqipërinë të ndërtojmë dhe rindërtojmë 8 mijë km rrugë, të ndërtojmë korridorin e kombit dhe qindra  e mijëra rrugë të tjera. Ia dolëm së bashku që një hark të shkurtër kohor të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 1200 shkolla, të çojmë internetin në çdo shkollë për fëmijët tanë, të dyfishojmë rrogat  e mësuesve të fëmijëve tanë. Serish, përpara rrugën nuk e kemi bulevard me lule, por ju garantoj se e kemi 10 herë më të mirë se ce kemi patur. Ju garantoj se 4 vitet që vijnë së bashku me Beqir Arifaj, me kryetarë të tjerë të komunave dhe me kryetarin e Fushë Arrzit Alfred Qafën, Pukën do të shndërrojmë në një qytet të zhvilluar, në një rreth të zhvilluar.

Pukën do ta shndërrojmë në një nga trevat më të rëndësishme të turizmit malor. Pukën do ta shndërrojmë në një nga rrethet më tërheqëse të investimeve të huaja. Pukën do ta shndërrojmë në një qytet të vërtetë modern.

Zoti kryetar i ardhshëm i bashkisë, unë konsultova listën e projekteve që keni menduar. Unë mendoj të shtosh këtu, për rininë pukjane, projektin për pallatin e mbyllur të sportit të Pukës dhe ju garantoj se do të jetë përparësi për qeverinë.

Kjo është alternativa jonë, në të cilën ju jeni arkitektë të saj, sepse qeveria ka bërë reforma, por mbështetja juaj ka qenë vendimtare, djersa juaj ka qenë vendimtare, mundi juaj ka qenë vendimtar. Shqipëria nuk do të arrinte këtu, ku ka arritur, në qoftë se ajo nuk do të mbartej mbi supe nga burrat dhe gratë e saj, nga djemtë dhe vajzat e saj. Ndaj në këtë rrugë ka mundim, ka dinjitet, ka sukses, ka të ardhme.

Krahas kësaj rruge, ju po dëgjoni tani, “rrugën  e vetme”. Të dashur miq, kjo rruga e vetme është një slogan i marrë nga etërit e tyre, por natyrisht nuk ka  domethënien që kishte në kohën e Partisë  së Punës. Ka një domethënie të re. Domethënia e kësaj rruge është të  votojnë çdo gjë, kundër interesit tuaj, të votojnë kundër rritjes së rrogave, të votojnë kundër rritjes së pensioneve, të votojnë kundër  ndërtimit të rrugës së kombit, të bëjnë gjithçka për të bllokuar anëtarësimit në NATO, të votojnë kundër çdo ligji për heqjen e vizave. Të hedhë vallen në Shqipëri, në përpjekjen  e panjerëzishme për të futur vizat tuaja anë kuti, të votojë kundër amnistisë së bizneseve, të votojnë kundër faljeve të detyrimeve të energjisë dhe ujit për shtresat në nevojë.

Në fakt, emrin e ka gjetur të bukur, se rrugë më të vetme se kjo nuk ka dhe nuk mund të bëhet, se ai në këtë ai ka bindje absolute se duke ju bllokuar ju do të mund të realizojë ëndrrën e tij të artë karrigen  e kryeministrit. Ai ka bindjen  e tij të plotë se duke ju bllokuar ai do të mund të mbajë gjithnjë në brez lugën  e artë të bashkisë së Tiranës. Ai ka bindjen e tij të plotë se duke ju bllokuar ju, do të mund të mbajë peshkun   e artë të kryesisë së PS. Kjo ishte njëra anë e rrugës së vetmisë, kurse ana tjetër është sharje, shpifje, mashtrime e trillime, jashtëzakonisht të largëta me moralin qytetar, jashtëzakonisht të papranueshme për moralin shqiptar.

Unë nuk kam ndërmend, e kam deklaruar që në fillim që të  merrem as edhe një sekondë të vetëm me të, sepse ju garantoj unë ju, se mëkatet  e tij nuk i lan as Drini,por le ti mbajë për vete, se unë do të merrem me ju, me hallet tuaja, me problemet tuaja, me besimin tek ju, me imagjinatën tuaj, me punën tuaj.

Për mua, për Aleancën për qytetarin, për Beqir Arifaj, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, Puka është e para, Shqipëria është e para.

Rrofshi ju!

Rroftë Puka!

Rroftë Shqipëria!


25/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›