E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z. Zhou Xiaochuan

Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion nga Banka Qendrore e Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga z. Zhou Xiaochuan – Guvernator i Bankës. Në këtë takim mori pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani.

Kryeministri shprehu kënaqësinë për këtë takim të cilin e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira me Republikën Popullore të Kinës. Shqipëria, me ritmet e fundit të zhvillimit të saj ekonomik dhe stabilitetit makroekonomik e monetar, në kohë krize financiare, inkurajon investitorët kinez për të qenë pjesë e këtyre zhvillimeve të suksesshme, theksoi Kryeministri. Ai u shpreh se Shqipëria ofron mundësi të shumëllojshme investimesh në fusha të ndryshme të ekonomisë si, në infrastrukturën rrugore, detare, energjetike, apo edhe bankare.

Guvernatori Zhou shprehu interes në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në kohë të vështira të tregjeve financiare, për të parandaluar impaktet negative në ekonomitë kombëtare. Volumet tregtare ndërmjet vendeve tona duhet të rriten më tej, ashtu si edhe prezenca e investitorëve kinez apo edhe financimi i projekteve të infrastrukturës duhet të intensifikohet, theksoi Guvernatori Zhou. Gjithashtu, ai shprehu qëndrimin e tij për gjetjen e mekanizmave të reja financiare, për të mundësuar likuiditetet e nevojshme, apo financimin e investimeve në ekonomitë e vendeve në zhvillim.


13/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›