Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e kompanisë JTP e specializuar në përpunimin e mbetjeve urbane
Kryeministri Berisha priti përfaqësuesit e kompanisë JTP (Joint Technology Protocol), të kryesuar nga drejtori i kësaj kompanie Nicholas Shipley, drejtori i menaxhimit Julian Parry si dhe përfaqësuesja e ambasadës Angleze në Tiranë Elisabeth Evans.
Zoti Nicholas Shipley, i prezantoi kryeministrit projekt-propozimin e kompanisë së tij, për të realizuar një investim në fushën e përpunimit të mbetjeve urbane në Shqipëri dhe të riciklimit të tyre.
Zoti Shipley e informoi kryeministrin Berisha se kompania e tij, angleze është e tërhequr nga Shqipëria për të mundësuar një investim në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane, sepse Shqipëria për ta përfaqëson një vend ftues për investimet e huaja, shumë të sigurtë dhe impresionues për zhvillimet e bëra.
Teknologjia në bazë të projektit të tyre, theksoi zoti Shipley, është një teknologji e re sipas objektivave të Kombeve të Bashkuara, synon në reduktimin sa më të madh të mbetjeve pas përpunimit të tyre deri në zero. Sipas këtij projekti, mbledhja dhe përpunimi i mbetjeve urbane shoqërohet me riciklimin e tyre prodhimin e energjisë dhe eliminimin e Landfilleve.
Ambiciet e kompanisë janë të mëdha, krahas ndërtimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në projektet e saj përfshihen dhe ndërtimi i një impianti për prodhimin e autoklavave moderne të një gjenerate të re, ku punësohen inxhinierë elektrikë, për cilësinë e të cilëve tha zoti Shipley, Shqipëria përmendet. Për të trajnuar stafin parashikohet dhe një strukturë trajnimi e tyre. Zoti Shipley, tha se në Shqipëri kanë gjetur partner vendas të përgatitur për të ndërmarrë sëbashku projektin.
Kryeministri i Berisha pasi i falenderoi përfaqësuesit e kompanisë për interesin e tyre, për investimin në Shqipëri dhe përzgjedhjen e saj si vend të zbatimit të projektit të tyre, i garantoi që strukturat e qeverisë së tij do të mbështesin pa rezerva vlerësimin dhe implementimin e tij konform ligjeve në fuqi. Për qeverinë Berisha problem i menaxhimit të mbetjeve konform standardeve ambientaliste europianë është një problem parësor, që ecën në linjë dhe me projektet e mëdha të zhvillimit të turizmit.
Kryeministri gjithashtu theksoi se e sheh shumë të frytshëm bashkëpunimin e biznesit dhe komunitetit vendas me këtë kompani të huaj.
13/09/2011