E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha çel Maratonën e parë Ndërkombëtare në Tiranë

Duke lënë mënjanë kostumin zyrtar, i veshur sportiv, Kryeministri Berisha ka përshëndetur Maratonën e parë Ndërkombëtare të vrapimit, e cila startoi nga sheshi Skënderbej. Kështu, për herë  të parë kryeqyteti i vendit, Tirana, i bashkohet  qyteteve botërore që organizojnë  manifestimin madhështor të Maratonës Ndërkombëtare. Maratona ka mbledhur mbi 3000 vrapues, nga të cilët 800 janë  maratonist  nga  Shqipëria  dhe shtete të ndryshme të botës  si SHBA, Italia, Gjermania, Franca,  Hungaria,  Polonia, Turqia,  Suedia, Kosova, Rusia,   Maqedonia, Kenya, Serbia etj. Organizatorët e Maratonës Ndërkombëtare janë Bashkia e Tiranës sëbashku me institucione te tjera si Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve, Ministrinë e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, Komiteti Olimpik dhe Universiteti i Sporteve.  Para se të jepte sinjalin zyrtar të nisjes së kësaj Maratone kryeministri Berisha  përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në këtë maratonë:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës,

Të dashur sportistë dhe sportiste

Marathonomakë dhe marathonomake të Shqipërisë dhe mbarë botës

Së pari është një kënaqësi e veçantë për mua, t’ju falenderoj me mirënjohje dhe t’ju përshëndes përzemërsisht në emër të qeverisë shqiptare për vendimin fisnik, burrëror, që ju keni marrë për të rendur sot, për të vrapuar sot në rrugët e kryeqytetit si marathonomak të vërtetë.

Organizimi i maratonës ndërkombëtare në Tiranë përben një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë  e kryeqytetit tonë. E organizuar në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, vjen si një perlë e vërtetë në kurorën e këtij 100 vjetori. Asgjë nuk shëmbëllen më shumë, rendje në 100 vite e Shqipërisë dhe shqiptarëve, sesa rendja juaj sot në këtë vrapim të  lodhshëm, të mundimshëm, por jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Unë me këtë rast ju shpreh nderimin tim për vendimin e madh që keni marrë, një dëshmi e  një vullneti të hekurt për të kapërcyer mbi vështirësi të mëdha. Në një maratonë, si në çdo proces të vështirë, nuk fiton më i shpejti, nuk fiton më i forti, fiton vullneti  dhe më i vullnetshmi. Ndaj dhe ju me vendimin që keni marrë tregoni se jeni vajza dhe djem, gra dhe burra të një vullneti të hekurt  të vendimeve të mëdha të sukseseve të sigurta.

Dua me këtë rast edhe njëherë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj gëzuar. Sot sytë e mbarë qytetarëve të Tiranës, mbarë qytetarëve të Shqipërisë, janë të drejtuar tek kjo garë e bukur, fisnike, tek marathonomakët  dhe marathonomaket e kryeqytetit. Tek lajmëtarët dhe lajmëtari i fitores.

Shpreh kënaqësinë e madhe që kjo maratonë organizohet gjithashtu në një vit të ardhshëm elektoral dhe është një ogur i bardhë  për të gjithë ata që rendin sot për mbarë shqiptarët.

Dhe njëherë shumë urime, suksese ne misionin e madh të maratonës që po nis tani”.


21/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›