E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, në inaugurimin e sallës së re në Universitetin Politeknik të Tiranës: arsimi, leva e Arkimedit për zhvillimin e vendit

“Për qeverinë shqiptare arsimimi është dhe mbetet përparësia më madhore.”

“Ky vit shënon një moment shumë të veçantë e të rëndësishëm në histori, sepse 70 përqind e atyre që mbaruan shkollën e mesme janë ulur në bankat e universiteteve.”

“Çdo vit, ne do t’ia dalim të konsolidojmë cilësinë në universitetet tona.”

“Qeveria është e vendosur të mbështesë studentët që fitojnë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të botës, të mbështesë çdo doktoratë e master ekstra universitar në universitete më të mira, t’ju mbështesë në programet e studimeve e kërkimeve shkencore.”

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e sallës së re "Silvano Pedrollo", në korpusin qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës. Rikonstruksioni i saj u realizua me kontributin personal të zotit Silvano Pedrollo, i njohur për mbështetjen dhe kontributet e tij të vazhdueshme në Shqipëri. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe zoti Pedrollo dhe Ambasadori italian në Shqipëri, zoti Saba D’Elia.

Kryeministri Berisha falënderoi zotin Pedrollo për kontributin e tij për transformimin e kësaj salle, në një auditor me stil europian. “Gjatë karrierës sime pedagogjike dhe si politikan, - u shpreh Kryeministri - kam hyrë shumë herë në këtë salla e kam takuar shumë herë miqtë e mi këtu, por transformimi që i keni bërë kësaj salle është i mrekullueshëm. Deri para këtij transformimi, kjo sallë ishte e stilit totalitare”.

Kryeministri Berisha ritheksoi se arsimimi është dhe mbetet përparësia më madhore e qeverisë shqiptare, njëherësh edhe fusha më e vështira e më e rëndësishme. “E kemi nisur si një nga 2-3 kombet më të varfra në botë, me rreth 204 dollarë për frymë në vitin 1992, por sot renditemi ndër kombet me të ardhura të mesme të larta. Duhet të bëjmë çdo gjë të kapërcejmë ylberin për t’u bërë një vend me të ardhura të larta dhe këtë do ta bëjmë sëbashku. Leva e Arkimedit për ta realizuar këtë është arsimimi”, u shpreh Kryeministri.

Në përshëndetjen e tij drejtuar studentëve dhe trupës akademike, Kryeministri Berisha më gjerë u shpreh:

“Së pari, unë dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë Ambasadorit Silvano Pedrollo, këtij miku të shquar të Shqipërisë dhe shqiptarëve që shoqëroi këtë komb e këtë vend në 20 vite transformimesh epokale.

I dashur Silvano, u përpoqa të bëj listën e të gjitha kontributeve tuaja në këto 20 vjet, por ajo është shumë e gjatë dhe janë të gjitha cilësore dhe ju garantoj se ato shkëlqejnë dhe do të shkëlqejnë gjithmonë. Ndihma juaj 20 vite më parë në përmbysjen e gedafëve e ben alive të këtij vendi ka qenë esenciale e luajti një rol shumë të madh, sidomos mbështetja që ju i bëtë mediave në hapat e tyre të parë, por atë e ndjenë edhe fëmijët shqiptarë, të cilët kishin nevoja shumë të mëdha për vaksina e çdo gjë tjetër. Nuk ka ndonjë fushë ku ju nuk u përkushtuat, por sot keni përzgjedhur të festoni sëbashku me ne 20 vjetorin e kontributit tuaj, me një simbol të shkëlqyer, transformimin e kësaj salle. Auditorët janë tempujt e universiteteve dhe për të gjitha universitetet e vendit, kjo është salla qendrore, ky është tempulli qendror. Gjatë karrierës sime pedagogjike dhe si politikan, kam hyrë shumë herë në këtë salla e kam takuar shumë herë miqtë e mi këtu,  por transformimi që i keni bërë kësaj salle është i mrekullueshëm. Deri para këtij transformimi, kjo sallë ishte e stilit totalitare. Tashmë ajo vjen me një stil europian. Ata që janë ulur atje [studentët], janë më lart se trupa akademike e ulur këtu. Ata janë e ardhmja. Gjithçka këtu shkëlqen, siç shkëlqen kontributi juaj dhe unë ju jam shumë mirënjohës për këtë.

Unë gjithashtu dua të shpreh vlerësimin tim dhe nderimin tim më të madh për rektorin dhe trupën akademike të Universitetit Politeknik, për të gjithë përpjekjen e tyre të madhe për të transformuar arsimin e lartë në Shqipëri dhe Universitetin e Tiranës. Për qeverinë shqiptare, arsimimi është dhe mbetet përparësia më madhore dhe natyrisht, është fusha më serioze, pra, edhe më e vështira e më e rëndësishmja. Gjatë këtyre viteve, sëbashku me botën akademike, ne ia kemi dalë të shënojmë arritje historike në rrafshin e sasisë. Për kombin dhe vendin tim, ky vit shënon një moment shumë të veçantë e të rëndësishëm në histori, sepse 70 përqind e atyre që mbaruan shkollën e mesme janë ulur në bankat e universiteteve. Ndërkohë janë bërë përpjekje të mëdha nga bota akademike për t’u përshtatur me kushtet e tregut, janë hapur degë të reja, janë ndryshuar curricula, janë ndërtuar laborator të rinj, por unë jam absolutisht i vetëdijshëm se mbështetja duhet të jetë shumë më e madhe e do të jetë. Ashtu siç rendëm me vendosmëri të madhe drejt këtyre treguesve, tani sëbashku do të rendim drejt cilësisë dhe unë kam shumë besim se çdo vit, ne do t’ia dalim të konsolidojmë cilësinë në universitetet tona. Ora globale është ora, me të cilën ne duhet të ecim me çdo kusht.

Sot, ne ecim drejt Bashkimit Europian. Heqja e vizave ka qenë një ngjarje historike për shqiptarët, por para së gjithash, për ju, pedagogët e pedagoget, profesorët, nxënësit e studentët, sepse tani ju keni mundësi të ndërmerrni bashkëpunimin më të ngushtë, më të suksesshëm me universitetet më të mira të Europës e botës. Bashkëpunim që përbën një kusht themelor, një levë shumë të fuqishme për ne, për të realizuar një cilësi gjithnjë e më të madhe në universitetet tona. Qeveria është e vendosur t’ju mbështesë, të mbështesë studentët e studentet që fitojnë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të botës, të mbështesë çdo doktoratë e master ekstra universitar në universitete më të mira, t’ju mbështesë me ftesat që do t’u bëni universiteteve e akademikëve të vendeve tjetra, t’ju mbështesë në programet e studimeve e kërkimeve shkencore.

Shqipëria nuk është ende një vend i pasur, por është një vend me hap të shpejtë zhvillimi. Ambicia jonë është: viti 2017, Shqipëria vend i zhvilluar. Këto 20 vite, ne kemi ecur me vështirësi, por më shpejt se çdo komb tjetër në rrugën e lirisë. E kemi nisur si një nga 2-3 kombet më të varfra në botë, me rreth 204 dollarë për frymë në vitin 1992, por sot renditemi ndër kombet me të ardhura të mesme të larta. Duhet të bëjmë çdo gjë të kapërcejmë ylberin për t’u bërë një vend me të ardhura të larta dhe këtë do ta bëjmë sëbashku. Leva e Arkimedit për ta realizuar këtë është arsimimi. Kjo është një rendje drejt së ardhjes dhe absolutisht, nuk ka asnjë mekanizëm tjetër më të fuqishëm, sesa arsimimi dhe shkollimi. Cilësia pas arsimit.

Silvano, i pasionuar pas pompës dhe ujit, me fjalën e tij më rikujtoi një fakt, uji është jetë. Unë vij nga shkencat biologjike. Jeta ka lindur në ujë, jeta është e ardhmja, Ndaj jam i bindur se me modernizimin e sistemit arsimor, ne do të ndërtojmë shumë më shpejt të ardhmen që meritojmë. Edhe një herë ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju falënderoj me shume mirënjohje ju dhe vendin tuaj, Italinë, qeverinë italianë, për ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve, gjatë këtyre 20 viteve. Dua të falënderoj veçanërisht rotaristët shqiptarë, partnerët e tyre të shkëlqyer këtu, për kontributin që kanë dhënë në suksesin e përpjekjet tuaja për të ndihmuar këtë vend. Faleminderit.”  


04/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›