E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban

3 mars 2011
Budapest, Hungari

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Hungari, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacioni që e shoqëronte u prit sot dhe nga Kryeministri i Republikës së Hungarisë, Viktor Orban.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi dhe Kryeministri hungarez Orban vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Hungarisë, diskutuan për bashkëpunimin e frytshëm e miqësinë mes dy vendeve e popujve tanë dhe theksuan vullnetin e përbashkët për t'i thelluar ato si në nivelin politik, ekonomik, por edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje klimën e përshtatshme dhe mundësitë e gjera dhe konkrete që Shqipëria ofron për investitorët e huaj në vendin tonë për të zhvilluar veprimtarinë e tyre cilësore, çfarë dhe mund të nxisë investimeve hungareze në Shqipëri. Presidenti nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve homologe për nxitjen e investimeve ndërmjet dy vendeve dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, ndërkohë që vlerësoi dhe rolin e diasporës shqiptare në Hungari, e cila ndonëse në një numër modest, është një urë miqësie midis dy vendeve.

Gjithashtu, në këtë takim, Kryetari i Shtetit vuri në dukje gjithë angazhimin dhe vullnetin e duhur të shtetit shqiptar për të përballuar sfidat dhe detyrimet në rrugën tonë drejt familjes së madhe evropiane. Pasi nënvizoi kontributin që liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë për të lëvizur në vendet e Bashkimit Evropian sjell për zhvillimin, prosperitetin dhe për një të ardhme evropiane për Shqipërinë, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë dhënë vendit tonë në rrugëtimin e vet integrues. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje besimin se tashmë kur Hungaria ka dhe Presidencën e radhës së BE-së, mbështetja dhe ndihmesa e saj për vendin tonë janë veçanërisht domethënëse.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit të situatës politike në Shqipëri, Presidenti Topi shprehu qëndrimin e tij institucional se rivendosja e dialogut politik dhe gjetja e rrugëve institucionale për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me alternativë konkrete të zgjidhjes, janë të domosdoshme për të dalë nga kjo situatë dhe e vetmja mundësi për të zhvilluar e për të përfunduar me sukses ato projekte madhore që Shqipëria ka nisur tashmë, duke patur parasysh këtu dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve për pushtetin vendor, që priten të realizohen në 8 maj të këtij viti.

Ndërsa, duke folur për çështje të zhvillimeve në rajon, Presidenti Topi u ndal në mënyrë të veçantë tek Kosova. Presidenti Topi e rivlerësoi formimin e institucioneve kryesore drejtuese të Kosovës: Inaugurimin e Parlamentit të ri, zgjedhjen e Presidentit dhe qeverisë, si një provë e re demokratike e popullit të Kosovës dhe njëherësh, një kapitull i ri politik për Kosovën dhe shtetin e saj.

Nga ana e tij, Kryeministri hungarez Viktor Orban i vlerësoi marrëdhëniet historike dhe tradicionale mes dy vendeve tona si shumë të mira. Zoti Orban e siguroi Presidentin Topi për vazhdimësinë e përkrahjes dhe vullnetin e sinqertë të Hungarisë për përmbushjen e aspiratave integruese shqiptare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›