Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e librit “Përgjigje dashurisë”, në kujtim të përkthyesit Dritan Çela
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e promovimit të librit “Përgjigje dashurisë”, në kujtim të përkthyesit Dritan Çela, i cili u nda jeta 5 vjet më parë. Promovimi i librit u bë në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila mbështeti edhe botimin e këtij libri që vjen si një antologji kujtimesh.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar talentin e shkëlqyer të Dritan Çelës në fushën e përkthimit, i përjetësuar në gjuhën shqipe përmes disa kryeveprave të letërsisë europiane, u shpreh se “Dritani meritonte të jetonte shumë më gjatë, meritonte të krijonte më shumë, por aq sa la, fitoi përjetësinë”.
Duke folur për talentin e Dritan Çelës, Kryeministri përcolli edhe disa kujtime për të atin e Dritanit, shkrimtarin e njohur Zija Çela.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot, ne nderojmë një talent të shkëlqyer të letrave shqipe, i cili u nda nga jeta në kohën më të pamerituar, por që me muzën e tij i dha letrave shqipe perlat e letërsisë europiane dhe botërore që i mungonin. Dritani jetoi disa vite si punëtor i thjeshtë në Itali, për të ndërtuar jetën e tij të përditshme, por, në të vërtetë, me shpirt e me zemër jetoi në Shqipëri, në qiejt e këtij vendi, çdo minutë, çdo orë e çdo ditë. Ai vdiq shumë i ri. Vdekja e tij të kujton një poet të madh anglez që thotë se jeta e njeriut është si brymë që e shkrin rrezja e parë e diellit, tek zbret nga gjethi në tokë, këputet shumë lehtë. Por ajo që mbeti, mbeti krijimi i tij i fuqishëm. Agroni [Tufa] foli për muzën e përkthimit. Dua t’ju rrëfej diçka. Unë jam dashnor i letrave, adhurues i juaj. Shumë herë, unë lexoj në origjinal përkthimet tuaja dhe më rastis jo rrallë të gjej Nolin më të madh se Shekspirin, të gjej Nolin tek Shekspiri më të madh se tek Albumi dhe kjo më ndodh shpesh. Pra, i tillë është frymëzimi, e fuqishme është muza e përkthyesit.
Unë nuk e kam njohur Dritanin, e kam njohur nëpërmjet trashëgimisë. I dashur Zija, jam i bindur se që nga ato ditë e net përkushtimi total, kur Dritani luftonte me vdekjen e gjer më sot, do të doje që ai të të trashëgonte ty e kjo është normale, por e vërtetë është se sërish duhet të jesh i lumtur, sepse ai la një trashëgimi të shkëlqyer jo vetëm për ty, por për të gjithë miqtë e tu, për të gjithë shqiptarët. Natyrisht, meritonte të jetonte shumë më gjatë, meritonte të krijonte më shumë, por aq sa la, fitoi përjetësinë.
Është e vështirë të dashur miq, të ndajmë Dritanin nga Zijai, sepse Zijai e mëkoi atë me dashurinë për letrat, me dashurinë për krijimin, me dashurinë në tërësi dhe ai këtë e mishëroi në mënyrën më të shkëlqyer në krijimet e tij. Dua të them dy fjalë për Zija Çelën, të cilin ka pasur fatin ta njoh shumë vite më parë. Dy kanë qenë tiparet e tij më të spikatura e mbresëlënëse për mua, tani jemi miq të vjetër: fryma njerëzore, por edhe guximi e kurajo e tij. Dritani do të diskutonte me moshatarët e tij se si të kapërcenin pasojat e izolimit, Zijai, në një moment të caktuar, do të vinte me kurajë të madhe të gjithë çka kishte në dorë për të luftuar atë izolim.
Edhe një herë dua t’ju shpreh të gjithëve nderimin më të madh, t’i shprehim të gjithë sëbashku mikut tonë, Zija Çela, nderimin tonë për përkujdesjen prindërore, me të cilën ai përjetëson gjeninë krijuese të Dritanit. Faleminderit”.
05/03/2011