E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ngushëllon familjarët e Perika Gjezit për humbjen e njeriut të tyre të dashur

Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të Perika Gjezit në të cilin thuhet:

“Të nderuar familjarë dhe të afërm të të ndjerit Perika Gjezi,

Ndihem thellësisht i prekur dhe i hidhëruar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, të aktorit që me interpretimin dhe talentin e tij i ka falur teatrit dhe kinematografisë shqiptare shumë role të spikatura që do të mbeten në kujtesën e të gjithë shqiptarëve dhe në fondin e vyer të kinematografisë shqiptare.

Perika Gjezi përmes roleve të interpretuara me mjeshtëri prej tij, në disa nga filmat më të bukur shqiptarë, do të mbetet në zemrën dhe mendjen e Korçës së tij të dashur ku u lind, u rrit dhe u shkollua duke u mëkuar me pasionin dhe dashurinë për këtë art fisnik, si dhe do të mbetet i pashlyer në zemrën dhe mendjen e të gjithë artdashësve shqiptarë.

Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta.

Me respekt

Sali Berisha”


28/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›